E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, Bylykbashi pranë rikthimit, aktivizohet në testin kundër të rinjve

Mesfushori elbasanas ka luajtur në 45minutat e dyta të ndeshjes së kontrollit që trajneri File kishte parashikuar në seancën stërvitore, duke shtuar shpresat për një përfaqësim të tijin me verdheblutë gjatë këtij sezoni

Nga ELTON KARAJ

Elbasani ka zhvilluar miqësoren e radhës në kuadër të përgatitjeve që po kryen para startit të kampionatit. Ekipi i drejtuar nga trajneri File ka fituar me rezultatin 3-1. Përballë tyre ishte ekipi i Elbasanit U-19. Ky test ishte edhe mundësia e fundit për disa lojtarë që të tregonin vlerat e tyre, për të qenë pjesë e skuadrës gjatë sezonit të ardhshëm. I pranishëm gjatë këtij 90minutëshi ka qenë edhe presidenti Arben Laze, i shoqëruar nga sekretari i klubit Erion Sqapi. Numri 1 i klubit verdheblu deklaroi se ekipi do të jetë i kompletuar 100% deri në ditën e mërkurë, duke qetësuar kështu edhe trajnerin File. Për sa i përket ndeshjes, duhet thënë se stafi teknik nuk kishte të gjithë lojtarët në dispozicion dhe kjo gjë duket se ndikoi disi në paraqitjen e ekipit që gjithsesi luajti mirë. Numri 1 i stolit të Elbasanit aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion, duke mbetur pjesërisht i kënaqur me disa prej tyre. Gjithsesi skuadra tani duket e kompletuar dhe pret vetëm ardhjen e disa elementëve të tjerë në mënyrë që grupi aktual të përforcohet akoma edhe më shumë. Një tjetër lajm i mirë është se në këtë test është aktivizuar për 45 minuta edhe mesfushori Dorian Bylykbashi, i cili ka ditë që stërvitet me Elbasanin. Pritet që mesfushori të jetë pjesë e ekipit gjatë këtij sezoni. Tashmë duket se reparti i mesfushës do të jetë një nivel më lartë pasi dihen aftësitë e një mesfushori si Bylykbashi. Ende nuk ka asgjë zyrtare mes tij dhe presidentit Laze, por burime brenda klubit deklarojnë se ai mund të qëndrojë tek Elbasani këtë sezon për të dhënë kontributin e tij në ngritjen e ekipit në Superligë. Rikthimi i tij në fushën e lojës për Elbasanin do të ishte një luks, pasi mesfushori cilësohet si një nga më të mirët në rolin e tij.

Miqësorja Ditën e hënë ekipi i Elbasanit do të ketë një tjetër miqësore. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Ruzhdi Bizhuta në orën 18:00. Ende nuk mësohet se kush do të jetë ekipi që do të ketë përballë, por me shumë gjasa pritet që të jetë ekipi i dytë i Besës .Ky do të jetë testi i fundit miqësor për verdheblutë përpara startit të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›