Ada, firmosin edhe Erkoçeviç dhe Jaçaj
Nga GJERGJ KOLA
Përforcimet tek skuadra velipojake nuk kanë të sosur. Ditët e fundit kanë dalë në stërvitje nën drejtimin e trajnerit edhe dy futbollistë të ardhur nga Vllaznia. Bëhet fjalë për mbrojtësin Gojart Rusi dhe sulmuesin Ndue Mujeci. Këta dy të fundit pritet të huazohen nga klubi shkodran, por lajmet e mira për velipojakët nuk kanë fund. Mbrëmjen e së premtes dyshja presidenciale Matia- Pjetri ka mbyllur bisedimet dhe dje janë firmosur kontratat edhe me dy futbollistë të tjerë cilësorë. Mesfushori Ervit Jaçaj, që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Besëlidhjes, ditët e fundit mori një ofertë nga Burreli, por në momentet e fundit është bindur nga oferta e Adës. Ai konsiderohet një pikë e rëndësishme në qendër të mesfushës nga trajneri Nikaj dhe për rrjedhojë me afrimin e tij, tashmë gjërat edhe në këtë repart duken më mirë. Po aq mirë janë gjërat edhe në sulm. Bekim Erkoçeviç do luajë për skuadrën velipojake në sezonin e ri. Ai ka qenë shumë pranë kalimit te Laçi, por në momentet e fundit të mbylljes së federimeve për skuadrën kurbinase drejtuesit e klubit i kanë kërkuar lojtarit të marrë një huazim të paktën dyvjeçar nga Vllaznia. Kjo gjë nuk është pranuar nga drejtuesit e saj dhe për rrjedhojë, Erkoçeviç është detyruar të kthehet prapa duke gjetur strehë tek Velipoja. Ka qenë trajneri Samuel Nikaj dhe drejtori sportiv Elvis Plori, ata që kanë bindur sulmuesin për të luajtur me ta në sezonin e ri. Dyshja e stafit teknik e kanë stërvitur atë tek ekipi i të rinjve i Akademisë Vllaznia dhe ia njohin mirë vlerat. Si për rastësi, Erkoçeviç do të ketë përkrahë në sulm Pukën, me të cilin ka luajtur edhe tek U-19 e Vllaznisë dy vjet më parë kur u shpallën kampionë të vendit. I pyetur në lidhje me marrjen e këtyre dy futbollistëve, trajneri Nikaj do të shprehej: Jam shumë i kënaqur që do ti kem edhe këta dy futbollistë në dispozicion. Ata i njoh mirë për vlerat e tyre dhe mendoj se Ada është përforcuar ndjeshëm në mesfushë dhe sulm me këta dy futbollistë. Me ardhjen e tyre mendoj se edhe merkatoja jonë është e mbyllur dhe tashmë po bëhemi gati për ndeshjen e parë me Partizanin teksa kemi objektiv ta nisim me fitore kampionatin e ri. Përveç lojtarëve të mësipërm, me Adën që nga dita e djeshme është bashkuar edhe një tjetër futbollist, pikërisht Shkëmbi, një shkodran që ka luajtur për dy sezone me Partizanin. Ada në këtë mënyrë ka marrë konfigurim të plotë tashmë dhe bëhet gati për kampionat duke pasur pretendimet e saj për të qenë në mes gjashtë ekipeve më të mira.
