E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armën në kokë të dashuruarve për grabitje

Prokuroria tha se ka gjetur prova që implikojnë tre persona të arrestuar në grabitjet e çifteve mbrëmjeve të vona në kryeqytet

Policia arrestoi në muajin prill të dyshuarit, të cilëve iu gjetën në banesat e tyre sende të grabitura

TIRANË- Një grup prej tre personash të hetuar për disa grabitje me armë në tre raste të çifteve të ndryshme, të dashuruarish që ndodheshin në vetura të parkuara në vende gjysmë të fshehta, duhet të përballen me gjykatën, me akuzën e grabitjes me armë e me dhunë në bashkëpunim. Prokuroria mbylli hetimin dhe dorëzoi për gjykim, dosjen e të pandehurve, Bashkim Begani, Ervin Xheladini dhe minorenit me inicialet SH.G.


Ata dyshohen si autorë të "vjedhjes me armë" të çifteve të dashuruar që gjendeshin në vetura anës rrugëve të fshehta apo gjysmë të fshehta në kryeqytet. Autorët pasi identifikonin një veturë me persona brenda, që putheshin, shkonin e iu vinin tytën e armës në kokë. Kështu ata iu merrnin paratë dhe sendet me vlerë.


Mbyllja e hetimit konfirmohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë, kancelaria e së cilës ka caktuar treshen gjykuese të drejtuar nga Artan Broci për gjykimin e dosjes.


Sipas kërkesës për gjykim me numër 2162, të pandehurit Begani, Xheladini dhe i mituri SH.G. kanë kryer tri grabitje me armë duke konsumuar veprat penale të "vjedhjes me armë" në bashkëpunim dhe "armëmbajtjes pa leje". Ideatori i vjedhjeve dyshohet Bashkim Begani, 27 vjeç, i dënuar dhe më parë për grabitje. "Nga hetimi, është provuar se të tre ata, në bashkëpunim mes tyre, i kanë kryer krimet në katër ditë.


Për të provuar akuzat, prokuroria ka siguruar një sërë provash materiale, sende të sekuestruara në banesat e tyre, armët e krimit, përgjime ambientale, si dhe dëshmi të kallëzuesve që kanë identifikuar autorët,"- thuhet në kërkesën për gjykim.


Të pandehurit u kthyen në tmerr për disa ditë për banorët e lagjes së "21 Dhjetorit" dhe "Fushës së Aviacionit", duke grabitur thuajse çdo veturë që parkohej anash rrugës, brenda së cilës kishte çifte. Gjithsesi policia ka siguruar tri kallëzime për të cilët edhe janë siguruar edhe provat përkatëse, duke marrë dëshmi të dëmtuarve mbi përshkrimin e personave, veshjet e tyre dhe dialektin e mundshëm të tyre.


Policia e kryeqytetit, pas tri kallëzimeve për vjedhje me armë, të kryera brenda katër ditëve, është duke vënë në alarm duke organizuar agjentë të ndryshëm, për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit me maska. Pas identifikimit të tyre nga agjentët e terrenit, policia organizoi operacionin për arrestimin e tyre duke e koduar "Fenix 2".


I pari që ka rënë në pranga të policisë ka qenë 27 -vjeçari Begani i cili në momentin që ka parë efektivët e policisë pranë banesës së tij, ka tentuar të ikë por është prangosur nga agjentët e seksionit kundër vjedhjes së pronës. Më pas, është arrestuar i mituri 15-vjeçar me iniciale SH.G. i cili ka rënë në pranga në zonën e bregut të Lumit në kryeqytet, pas ndjekjes nga agjentët e sektorit kundër vjedhjeve me dhunë.


I arrestuari i tretë, 20- vjeçari Ervin Xheladini, është prangosur pa rezistencë në banesën e tij në rrugën "Vangjel Noti" në Tiranë. Pas arrestimit të tyre, policia ka sekuestruar si prova materiale dy automatikë "Kallashnikov", dy maska të përdorura gjatë vjedhjeve si dhe disa aparate celularë, që i përkisnin "çifteve" të grabitur në momentet e tyre kulmore të dashurisë.


Grabitja e parë


Ndodhi mbrëmjen e 4 prillit 2009, pranë godinave të studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit, kur një person nën kërcënimin e armës, iu ka marrë dy të "dashuruarve" që putheshin në makinën e tyre, para e sende me vlerë. Kërcënuesi, mendohet se ka qenë 27- vjeçari Begani, ndërsa të tjerët vëzhgonin rrugën.

Grabitja dytë është kryer po në mbrëmje nga tre të pandehurit më 6 prill 2009 përsëri në zonën e "Fushës së Aviacionit" kur dy personave, një vajze dhe një djalit i janë grabitur nën kërcënimin e armëve një sasi lekësh, celularët si dhe disa bizhuteri.

Grabitja e tretë e denoncuar në polici, ndodhi një ditë më vonë, më 7 prill 2009 kur të dyshuarit, nën kërcënimin e armëve i morën një çifti, një sasi të konsiderueshme parash dhe sende të tjera me vlerë të konsiderueshme. Ngjarja ndodhi për gjatë rrugës dytësore të autostradës Tiranë- Durrës, pranë Kasharit",-thuhet në dosje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›