Përplaset në rrugë, vdes kalimtari i moshuar
TIRANE- Një kalimtar 73 vjeçar pensionist mbeti i vdekur dje në mesditë në një aksident rrugor, ndërsa policia arrestoi drejtuesin e mjetit me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e një personi. Kadri Hasa, 73 vjeç, banues në fshatin Kashar të Tiranës, është përplasur dje në mesditë nga një automjet i markës "RENAULT"me targa FR 2068 B. Drejtuesi i mjetit H. Lika, 63 vjeç, banues në Tiranë, u ndalua nga policia menjëherë pas ngjarjes. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, është munduar t'i japë ndihmën e nevojshme të dëmtuarit me të cilin edhe njihej. Pavarësisht ndihmës, i moshuari ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja me automjetin. Ndërkaq, policia ka nisur hetimin për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes, ku pensionisti Hasa mbeti i vdekur.