E Diel, 1 Nëntor 2026

Londër; U kapën me 22 kg heroinë, dënohen me 14 vjet burg 3 shqiptarët



Gjykata e Krimeve Wood Grën Croen Court në Londër ka dënuar me 14 vite burg në total tre shqiptarë, të cilët u kapën me 22 kilogramë heroinë, me vlerën e shitjes në treg 1.5 milion paund. Drejtuesi i këtij grupi kriminal ishte 35-vjeçari Elton Negro, i cili do të dënohej me tetë vite burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij Dhimitër Lundraxhiu dhe Visar Ahmeti do të vuajnë nga tre vite burg secili. Sipas hetimeve, Lundraxhiu, 26 vjeç shërbente si korrier i drogës dhe iu kapën 4 kg heroinë vetëm pak minuta pasi e mori nga Negro. Ndërsa Ahmeti, 25 vjeç do të arrestohej menjëherë kur i dorëzoi 210 mijë euro Elton Negros në parkingun e një qendre tregtare në zonën Brent Cross, mesditën e datës 7 korrik 2009. Po atë ditë, Elton Negro do të arrestohej nga skuadra speciale kundra krimit në Scotland Yard, e cila kishte kohe që e survejonte. Gjatë kontrollit të ushtruar pas arrestimit, në shtëpinë e Negros, në zonën Axbridge, policia gjeti 18 kilogramë heroinë, e cila rezultoi se ishte 60% e pastër, si dhe 22 mijë sterlina “cash” në sirtarin e rrobave. Nga hetimi u zbulua se në llogarinë bankare të tij, pavarësisht se ishte i papunë, që prej dy vitesh kishte 40 mijë sterlina. Katër muaj para arrestimit, policia franceze do t’i sekuestronte Elton Negros 500 mijë euro, për të cilat ai nuk e tregoi burimin. Që në seancën e parë gjyqësore, tre shqiptarët i kanë pranuar akuzat për “posedim dhe shitje të lëndëve narkotike” kategoria A, si dhe për “pastrim parash”. “Elton Negro ishte organizatori dhe forca shtytëse e këtij grupi kriminal, anëtarët e të cilit për asnjë moment nuk menduan dëmin që shkakton heroina tek përdoruesit”, - tha gjykatësi Simon Carre gjatë shpalljes së vendimit. Ndërsa oficeri i Scotland Yard, Steve Creys, i cili hetoi këtë grup, tha se “sekuestrimi i kësaj sasie droge është në top listën e 20 operacioneve tona për këtë vit në Londër”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›