Armët e Skënderbeut ekspozohen në Muzeun Kombëtar
Që prej ditës së sotme të gjithë kureshtarët të cilët duan të shikojnë nga afër armët e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu mund ti gjejnë ato të ekspozuara në Muzeun Kombëtar. Sot është bërë çelja e ekspozitës të armëve të Skënderbeut të cilat erdhën nga Austria tre ditë më parë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se Skënderbeu është frymëzimi dhe shtylla kryesore e identitetit të tyre kombëtar.
“Sot në këtë moment sytë, mendjet, zemrat e mbarë shqiptarëve janë të drejtuar në këtë muze dhe përjetojnë me emocionin më të madh rikthimin në dheun e vet të armëve të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të kombit shqiptar. Ndaj dhe mirënjohja ime por edhe i mbarë shqiptarëve nuk mund të paraqitet sot me fjalë”- tha Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha ardhja e armëve të Skënderbeut është dekorata më e bukur e këtij 100-vjetori.
“Luftrat e Skënderbeut, krenaria që ai ngjalli tek shqiptarët kaluan nga brezi në brez ndaj dhe ju sot keni mirënjohjen më të thellë të të gjitha brezave që tek armët shohin Skënderbeun, prijësin e tyre të gjallë”- tha më tej Berisha.
Ndërsa ministri i Kulturës Aldo Bumçi ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm ekspozimin e shpatës e përkrenares së heroit tonë kombëtar Skënderbeu.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe qeverisë austriake e cila sipas tij është edhe një nga kontribueset e mëdha për pavarësinë e Shqipërisë.
Ministrja e Kulturës së Austrisë ka theksuar se lëvizja e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut ndodh për herë të parë. “Kjo është hera e parë që ato lëvizin nga territori i Austrisë dhe ne vlerësuam se kjo ishte shumë e rëndësishme për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë”- tha ajo.
Arma dhe mburoja e heroit tonë kombëtar do të qëndrojnë të ekspozuara për 1 muaj e gjysmë në Pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar.