Armët në Kabul, Senati i kërkon shpjegime Rice
Senatori Kerry i shkruan Robert Gates dhe Condoleezza Rice për Efraim Diverolin
Kontrata e fishekëve shqiptarë që janë shitur në Afganistan ka nisur të hetohet edhe nga senatori amerikan që zgjedhjet e kaluar kandidoi kundër presidentit Bush, John Kerry. Si kryetar i komitetit të senatit për bizneset e vogla, Kerry ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë çështje. Nëpërmjet një letre të dërguar dje për Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gates, dhe Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, ai ka kërkuar një hetim të plotë në lidhje me firmën AEY dhe presidentin e saj, Efraim Diveroli. Kerry ka kërkuar sqarime në lidhje me mënyrën si AEY ka përfituar statusin e privilegjuar të kompanisë së minoriteteve, kur ai nuk e ka kërkuar asnjëherë këtë gjë. Një ndër dyshimet është se kompania e ka përfituar këtë status si rezultat i një gabimi. "Mendoj se ju i detyroheni Kongresit dhe publikut amerikan disa përgjigje. Unë jam i shqetësuar për mungesën e vëmendjes në kontratat që i jep Departamenti i Mbrojtjes kompanive të ndryshme. Ai i ka lejuar AEY gabimisht që të marrë kontrata miltimilionëshe, kur në fakt ai është një biznes i vogël",- thuhet në letrën e senatorit John Kerry. Përpara këtyre kontratave, AEY kishte bërë një biznes total prej 8.1 milionë dollarësh por më pas ajo ka përfituar 204 milionë njëherësh. Kerry i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes dhe atij të Shtetit që të bëjnë publike kontratat dhe të gjithë dokumentet që kanë nënshkruar me AEY gjatë pesë viteve të fundit. Ai ka kërkuar gjithashtu të dijë nëse ka pasur favorizime për këtë biznes të vogël që ka përfituar kontratat në mënyrë të paligjshme. "Pas këtij përcaktimi të gabuar nga Departamenti i Shtetit, AEY ka fituar 49 kontrata resht dhe ka fituar më shumë se 200 milionë dollarë. Ky problem do të ishte shmangur nëse oficerët tuaj do të kishin bërë ashtu siç duhet punën e tyre. Kjo do të kishte treguar se AEY nuk është një biznes i vogël",- thuhet në letrën që i është dërguar Condoleezza Rice. Të gjitha këto pritet që të sqarohen në seancën speciale që Kongresi Amerikan i ka rezervuar AEY dhe Diverolit më 17 prill. Deri tani është pohuar se në këtë seancë pritet të dëshmojnë vetë Diveroli, ish- presidenti i kompanisë Levi Meyer, ish- nëndrejtori David Packou si dhe përfaqësues nga Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes.