E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, hetim pamjeve satelitore të shpërthimit

 

Në fokus të hetimeve, përcaktimi i epiqendrës së zjarrit dhe perimetrit të shpërthimit. Dyshimet më të mëdha tek baruti

Ekspertët amerikanë po analizojnë pamjet e filmuara nga sateliti për të zbuluar shkakun e shpërthimit

 

TIRANË- Hetimet për zbardhjen e shkakut të shpërthimit në punishten e fshatit Gërdec kanë detyruar grupin e specialistëve të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shikojnë pamjet e regjistruara me satelit të momentit të nisjes së zjarrit dhe më pas shpërthimit. Sipas burimeve pranë grupit hetimor të organit qendror të akuzës bëhet e ditur se 6 ekspertët e ardhur nga SHBA-ja kanë filluar angazhimin total në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, duke u ndarë në grupe. "Dy nga gjashtë ekspertët e ATF-së, me profesion teknicienë të bombave dhe inxhinierë të mbrojtjes nga zjarri, prej dy ditësh po kryejnë këqyrjen e pamjeve satelitore për ngjarjen e 15 marsit, duke parë me hollësi vendin e nisjes së zjarrit dhe caktimin e vendit të parë të shpërthimit dhe perimetrit të dëmtimit. Arsyeja e këqyrjes dhe analizimit të këtyre pamjeve satelitore kaardhur për përcaktimin e vendit të nisjes së zjarrit dhe saktësimin e fillimit të shpërthimit për të nxjerrë më pas një konkluzion për shkakun e ngjarjes që solli 25 viktima dhe mbi 300 të plagosur",-thuhet nga burimet pranë grupit hetimor.

***

Ekspertët amerikanë, vetëm për pak ditë hetime kanë përcaktuar llojin e municionit të shpërthimit që krijoi valën dhe shtëllungën në formë kërpudhe. Sipas tyre, kjo mënyrë e shpërthimit është krijuar nga baruti i vendosur prej kohësh në kontenierë teneqeje, i cili i ngjeshur në këto kontenierë dhe pa hapësira ka krijuar vetiu një bombë gjigante. "Akoma nuk është nxjerrë saktësisht se sa ka qenë sasia e barutit dhe municioneve të tjera që kanë shpërthyer, por dyshohet se në oborrin e fabrikës dhe brenda tuneleve të ish-repartit të tankeve kanë qenë një sasi e konsiderueshme baruti, municion ky i zbrazur nga predhat e kalibrave të ndryshme. Magazinimi i këtyre kontenierëve dhe mungesa e kushteve të sigurisë ka shkaktuar tymin dhe shpërthimin në formë kërpudhe",-thuhet nga grupi hetimor, që sipas tyre është versioni i ekspertëve të ATF-së. Gjithashtu, mësohet se ekspertët amerikanë pas hetimeve disaditore dhe marrjes në pyetje të disa dëshmitarëve që punonin në fabrikë në momentin e shpërthimit kanë arritur në një pistë të vetme, që dyshohet se është përfundimtare për shkakun e shpërthimit. Sipas këtyre burimeve, gjithçka që nga nisja e zjarrit dhe deri te shpërthimi ka ardhur nga gabimi njerëzor.

***

Mendohet se ka qenë tërheqja e kontenierit nëpër beton, me njërën rrotë të thyer që ka shkaktuar shkëndijat e para. "Dyshohet se thyerja e rrotës së kontenierit dhe vazhdimi i tërheqjes së tij pa u ndalur ka shkaktuar shkëndija zjarri që kanë filluar të djegin barutin e hedhur nëpër beton",-thuhet nga burimet. Mendohet se personi që ka qenë duke tërhequr kontenierin është gjetur i vdekur nga djegiet dhe copat e predhave. Këto konkluzione sipas burimeve, janë nxjerrë paraprakisht nga dëshmitë e mbledhura prej punëtorëve që kanë mbetur të plagosur në këtë tragjedi, pasi vendi i ngjarjes është shkatërruar plotësisht dhe me ndihmën e pamjeve satelitore që po këqyren nga ekspertët po mundohet të zbardhen dhe faktohen këto dëshmi të punëtorëve që janë pyetur edhe nga vetë ekspertët e ATF-së.

Rolet e gjashtë ekspertëve të SHBA në hetimin e tragjedisë së Gërdecit

Ambasada e SHBA: Çfarë hetojnë ekspertët tanë

TIRANË- Ambasada e SHBA-së në Tiranë, me anë të një njoftimit zyrtar bën të ditur se 6 ekspertët e ATF-së janë pjesë e agjencisë kryesore federale, për hetimin e incidenteve me eksplozivë dhe vënien në zbatim të ligjeve mbi eksplozivët dhe rregullave të industrisë së eksplozivëve. "Qysh nga viti 1978, ATF-ja ka pasur aftësi për t'u përgjigjur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për hetimin e shpërthimeve dhe zjarreve të mëdha. Kjo aftësi, Ekipi i Reagimit Kombëtar (NRT) dhe Ekipi i Reagimit Ndërkombëtar (IRT), përbëhet nga ekipe që përgjigjen kudo në SHBA dhe nëpërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, përgjigjen në ndihmë të qeverive të huaja me hetime jashtë SHBA-së,-thuhet nga ambasada e SHBA. Sipas tyre, secili ekip përbëhet nga agjentë të posaçëm veteranë, kimistë të mjekësisë ligjore, teknicienë të bombave, inxhinierë të mbrojtjes nga zjarri dhe ata elektrikë, të cilët marrin në ekspertizë origjinën dhe shkaqet për shpërthimet dhe zjarret. "Ekipet punojnë përkrah hetuesve vendas për të rindërtuar skenën, për të identifikuar origjinën dhe shkakun e shpërthimit apo zjarrit, kryerjen e intervistave, si dhe kontrollin e mbeturinave të këtyre incidenteve për të përftuar të dhëna të lidhura me shpërthimin apo zjarrin. NRT-ja është aktivizuar për të gjitha incidentet e shpërthimeve dhe zjarreve në SHBA". Sipas këtij njoftimi, agjentët e këtyre agjencive, janë përfshirë në hetimin e bombave në Qendrën Botërore të Tregtisë në vitin 1993, bombat në Oklahoma Siti, shpërthimin në Fluturimin 800 të linjës TËA, si dhe zonat e Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit në 11 shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›