Berisha tërhiqet nga kundrafirma në dekretet e Topit
Kreu i qeverisë ka diskutuar dje ndryshimet kushtetuese me deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve
Kryeministri Sali Berisha tërhiqet nga propozimi për të kundërfirmuar dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Presioni mediatik dhe ai i opinionit të juristëve, ka vënë me "shpatulla pas murrit" kreun e Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, duke e detyruar atë që të heqë "dorë" nga një pjesë e mirë e propozimeve kushtetuese, të bëra publike disa ditë më parë në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve nga deputetja demokrate Arenca Trashani. Nisur nga reagimi jo pozitiv që shkaktoi prezantimi i kësaj pakete amendamentesh, kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje në zyrën e tij deputetët demokratë anëtarë të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ku natyrisht, ka biseduar në lidhje me propozimet konkrete. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, deputetët Ilir Rusmali, Arenca Trashani, Dashnor Sula dhe Aldo Bumçi kanë raportuar përpara shefit të mazhorancës, për nismën e ndërmarrë dhe mundësitë për miratimin e tyre në Kuvend. Burime pranë këtij takimi bënë të ditur se kreu i qeverisë ka kërkuar shpjegime në lidhje me ndryshimet konkrete, duke mos nguruar që të shprehi kundërshti për nene të veçanta. Kështu, të njëjtat burime konfirmojnë se, kreu i qeverisë ka kundërshtuar propozimin për ndryshimin e nenit 93 të Kushtetutës, propozim i cili kërkon të sanksionojë: "Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Dekretet e Presidentit kundërfirmohen nga Kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me nenet 87 dhe 104". Por deputetët janë përpjekur që t'i shpjegojnë Kryeministrit se ky propozim nuk përbën një shpikje të tyre, por është një praktikë e marrë nga Kushtetuta Gjermane. "E di që ka praktika të tilla, por mendoj se nuk duhet të jetë një praktikë që mund të zbatohet edhe në Shqipëri",- mësohet të ketë reaguar kryeministri. Më pas, diskutimi është përqendruar edhe tek reforma zgjedhore, për të cilën mësohet se Kryeministri ka theksuar se bashkëpunimi me Partinë Socialiste është i domosdoshëm.