E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset në spital shefi i Kardiologjisë

 

Sulmohet në qendrën "Nënë Tereza" mjeku i njohur. Policia arreston autorin 35-vjeçar për të katërtën herë

 

Ali Rifatllari plagoset me thikë para studentëve. Autori: Mora hakun e dajës që më vdiq

 

TIRANË- Plagos me thikë mjekun, pasi e fajësoi për vdekjen e dajës. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm, në ambientet e spitalit "Nënë Tereza" në Tiranë, kur shefi i Kardiologjisë, Ali Rifatllari, 47-vjeç, është plagosur me thikë nga një person. Arben Strazimiri, 35-vjeç, sapo ka parë të rrëzohet për tokë mjeku, ka tentuar të largohet me shpejtësi, por është kapur nga një agjent policie që ndodhej rastësisht në ambientet e spitalit. Më pas, forca të shumta të policisë mbërritën në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se mjeku është plagosur nga 35-vjeçari Strazimiri ndaj të cilit u mor masa e menjëhershme e arrestit. Ndërsa doktori i plagosur iu nënshtrua ndërhyrjes mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja

Rreth dy javë më parë, shefi i Kardiologjisë pranë spitalit "Nënë Tereza", Ali Rifatllari, ka kryer operacionin e një pacienti, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetsore. Mësohet se për kryerjen e këtij operacioni të vështirë ishte marrë miratimi i familjarëve të pacientit. Familjarët ishin njoftuar më parë nga kirurgu për pasojat që mund të kishte pacienti edhe pas operacionit, i cili kryhej me qëllim përmirësimin e gjendjes së tij. Por përballë këtij rreziku, familjarët kishin pranuar ndërhyrjen kirurgjikale. Mirëpo vetëm dy javë pas operacionit, pacienti ndërroi jetë. Fill pas kësaj, nipi i tij 35-vjeçari Arben Strazimiri ka fajësuar kirurgun Rifatllari si shkaktarin e vdekjes së dajës ndaj dhe ka vendosur të marrë hak. Rreth orës 9:00 të paradites së djeshme, Strazimiri ka shkuar në spitalin "Nënë Tereza" në Repartin e Kardiologjisë, ku mjeku Ali Rifatllari po u jepte mësim studentëve të mjekësisë. 35-vjeçari ka pritur pas derës së sallës dhe sapo ka dalë mjeku, ai i është afruar. Fillimisht Strazimiri ka përshëndetur mjekun dhe më pas e ka goditur atë me thikë në sy të studentëve të tij. Sapo ka parë doktorin të rrëzohet i gjakosur përtokë, është larguar me shpejtësi për t'i shpëtuar prangave. Por një agjent policie ka diktuar autorin, duke e kapur menjëherë atë.

Arrestimi

"Daja im vdiq për faj të tij, ndaj e godita me thikë". Me këto fjalë, Arben Strazimiri u ka treguar motivin oficerëve të policisë kriminale. 35-vjeçari është marrë në pyetje nga policia fill pas arrestimit, ku ka shfaqur shenja të çekuilibrit mendor. "Autori Arben Strazimiri është një person i rrezikshëm. Nuk është hera e parë që ai kapet nga policia për të njëjtën vepër penale. Ai është arrestuar edhe tre herë më parë pasi ka kryer plagosje",- thanë burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Efektivat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën u qëllua doktori. Ndërkohë që hetuesit e ngjarjes kanë marrë në pyetje edhe familjarët e autorit për të sqaruar motivin e kësaj ngjarjeje. Arben Strazimiri u arrestua pak kohë më pas pasi plagosi me thikë shokun e tij, teksa luanin në një lokal lojërash fati në kryeqytet. Por pasi qëndroi për pak kohë në qeli ai u la i lirë, ndërsa dje ka qenë shefi i kardiologjisë së spitalit "Nënë Tereza", viktima e radhës së 35-vjeçarit.

Sipas mjekëve të QSUT-së plagosja e Refatllarit është akt i shëmtuar dhe tepër barbar. Këto ditë do zhvillojmë grevënjëorëshe

Mjekët: Do protestojmë për dhunën ndaj bluzave të bardha

Akt i shëmtuar dhe tepër barbar. Kështu e kanë cilësuar mjekët, plagosjen e kolegut të tyre Ali

Refatllari të cilët kanë theksuar se do të organizojnë një protestë për të dënuar edhe raste të tjera të ngjashme me këtë ndaj bluzave të bardha. "Këto ditë kemi vendosur që të gjitha bluzat e bardha të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" të organizojmë një grevë njëorëshe për të protestuar ndaj këtyre akteve aspak njerëzore që ushtrohen ndaj mjekëve të cilët shpëtojnë jetë njerëzish",- pohon kryetari i Sindikatës së Mjekëve në QSUT, Skënder Skënderaj. Ndërkohë edhe drejtoria e QSUT-së është shprehur me tone tepër të ashpra ndaj agresorir të mjekut Ali Refatllari. "Ky akt i paprecedent është një krim i shëmtuar, jo vetëm kundër këtij mjeku, por kundër misionit human të bluzave të bardha, që kanë si qëllim në punën e tyre shpëtimin e jetëve njerëzore.Në jo pak raste individë të pëpërgjegjshëm kanë sulmuar personelin mjekësor",- pohon drejtori i QSUT-së, Mati Pepa duke shtuar se mjekët e këtij spitali janë persona që zgjidhin hallet e qytetarëve dhe jo shkaktarët e halleve të tyre. Sipas tij,është e pafalshme që atyre që shpëtojnë jetë, t'iu rrezikohet jeta në mënyrë të tillë makabre dhe antinjerëzore. "U bëj thirjë mbarë opinionit publik, mediave të shkruara e vizive, të gjitha organizatave joqeveritare, shoqërisë civile, që ta dënojnë këtë akt makabër, të dënojnë dorën gjakatare që ngrihet kundër bluzave të bardha", - pohon Mati Pepa. e.bardhi

REAGIMI

Urdhri i Mjekut: Të ndëshkohet fajtori

Mjekët kanë mision human pasi shpëtojnë jetë njerëzish ndaj dhuna ndaj tyre duhet të dënohet. Kështu u shpreh presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska i cili thekson se do ta ndjekin këtë rast dhe do të kërkojnë që edhe strukturat përkatëse duhet të marrin masa ndëshkimore. "Nuk është rasti i parë që mjekët tanë dhunohen nga njerëz të papërgjegjshëm ndaj ka ardhur koha që këta përsona të marrin dënimin që meritojnë",- pohon Toska. Ndërkohë ai thekson se gjendja shëndetësore e mjekut Ali Refatllari është shumë e rëndë dhe se ai po merr mjekim në shërbimin e kardiologjisë. Sipas tij, pranë Urdhrit të Mjekut ka disa ankesa të mjekëve që janë gjendur përballë agresorëve. "Duhet të kuptoni se qëllimi i insitucionit tonë është të mbrojmë ineresat e pacientëve por edhe interesat e mjekëve kur ata cënohen nga përsona të papërgjegjshëm",- thekson Toska.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›