E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kujdes, mos prekni Kushtetutën

Presidenti Bamir Topi kërkon që institucioni i Prokurorisë të mos jetë në varësi të ekzekutivit

 

Në një intervistë për "VOA", kreu i shtetit, Bamir Topi analizon situatën politike në Shqipëri, duke kërkuar nga forcat politike që të bëjnë kujdes me Kushtetutën. Pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për të ndërhyrë në të, ai ka bërë të ditur se do të jetë garant i një reforme që të mos cenojë themelet e shtetit.

Zoti President, pranimi i Shqipërisë në NATO ishte një lajm shumë i mirë për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë, ka shtuar një sërë përgjegjësish përpara vendit. Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria për përmbushjen e këtyre reformave pas Samitit të NATO-s?

Ne kemi rastin këtu të themi që marrja e ftesës presupozon një rritje të përgjegjësive, të angazhimeve, qofshin këto në rrafshin politik, por besoj edhe në të gjitha reformat që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë dhe të institucioneve të vendit. Por, njëkohësisht, ajo që është shumë e rëndësishme dhe që premton shumë për perspektivën e plotësimit të reformave është që edhe pozita, edhe opozita, kanë premtuar që do të bashkëpunojnë për reformat bazale që kanë të bëjnë me thellimin e reformimit të sistemit të drejtësisë, për reformën elektorale, që është një çështje e ditës, dhe për reformat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesat madhore të Shqipërisë. Pastaj, debati politik kuptohet, do të vazhdojë. Është një nga tiparet themelore të shoqërive që janë në demokraci që të bëjnë debatin politik të fortë, por nga ana tjetër, brenda debatit politik për çështje më të rëndësishme, ka dhe sintonizime të pozicioneve, që është parë edhe në retrospektivë, është parë dhe tani me rastin e marrjes së ftesës, por besoj do të shihet dhe në perspektivë. Besoj se Shqipëria e ka të nevojshme që jo vetëm të vazhdojë me dëshirën për të zgjeruar spektrin e reformave, por jemi në një moment, kur tek institucionet e Shqipërisë shikohet shumë edhe cilësia dhe zbatimi i reformës. Pra, jemi në një moment, kur ligjet kanë nevojë të reformohen mbi bazën e marrjes së mendimit të të gjithë grupeve dhe të profesionistëve dhe kuptohet që spektri është i gjerë, është në ekonomi, është në institucionet kushtetuese, është në drejtësi, është në financa, është për të gjitha problemet që lidhen me zhvillimet strategjike, pra, është një spektër mjaft i gjerë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike bëri disa propozime për të bërë ndryshime në Kushtetutë, midis këtyre edhe figurës së Presidentit. Cili është komenti juaj për këtë?

Unë, në rast se do të ruaj pozicionin ku jam sot, ku po intervistohem, sot jam President i Republikës dhe është në parimet e mia, por edhe në detyrimet e këtij pozicioni, që të mos interferoj në çështjet e debatit politik. Në rast se do të shkëputesha nga ky pozicion, qoftë në një pozicion politik, qoftë në një pozicion civil të paangazhuar, sigurisht që do të kisha shumë për të thënë edhe për këtë situatë. Ajo që unë mund të deklaroj sot, është që duke qenë garant i ligjeve, i Kushtetutës, për të cilën, ose prej së cilës jam votuar, unë them që në parim, kur bëhen lëvizje të Kushtetutës, i cili është dokumenti themeltar i shtetit, forcat politike, politikanët, cilëtdo qofshin ata, pavarësisht nga background-i dhe eksperienca e tyre, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po të prekësh themelet e shtetit, pa pasur një mendim të qartë dhe për të ndërhyrë në mënyrë shumë frekuente, atëherë do të thotë të mos japësh asnjë lloj garancie për muret e ndërtesës. Pra, ideja është kjo, që debati politik ka nevojë të bëhet pa emocione, pa mendime të çastit dhe shpesh, mendimet e çastit vijnë edhe nga emocione të forta politike. Të tilla ne kemi pasur rastin t'i shohim në eksperiencën tonë politike. Por bëhet e bazuar, bëhet mbi bazën e një konsultimi. Kjo e ndan politikanin nga një njeri i paangazhuar, kjo e ndan politikanin nga një profesionist i një fushe të caktuar, kjo e ndan burrin e shtetit apo gruan e shtetit me një njeri të zakonshëm, sepse ka nevojë që gjërat, pasi të konsultohen, të hidhet një dritë perspektive në vite, më tej. Dikur thoshin që quheshe intelektual, vetëm nëse parashikon se si do të jetë e ardhmja deri në njëzet vitet e ardhshme. Të jesh burrë shteti, të jesh politikan, duhet bësh një politikë vizionare. Ne kemi pasur raste, këto nuk janë nocione teorike, në historinë e njerëzimit, të politikës, të njerëzve që kanë drejtuar shtetin, edhe me eksperiencat shqiptare e dimë që janë dhënë mendime, janë të konsoliduar, të pjekura për perspektivën, dhe vlerësoj që politika, meqenëse jemi në këtë çështje, ku Kushtetuta është e nevojshme të preket, duhet të preket pasi të jetë konsultuar mirë. Përndryshe pastaj, ne mund të bëjmë veprime të cilat nuk i shërbejnë një stabiliteti apo një ecurie afatgjatë konform asaj që ne kërkojmë, që të jemi në sinkron me të gjithë standardet Euroatlantike.

A mendoni se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme duhet të jetë i pavarur, apo duhet të varet ai nga Kryeministri?

Fakti që në të gjithë diskursin politik, në debatin politik, në tentativën për të gjetur argumente për të ruajtur institucionin e Prokurorit, gjithmonë është kërkuar që ky institucion të jetë i pavarur, besoj që edhe zgjidhja duhet të jetë, së paku, në kushtet që ka Shqipëria, në vendin ku ka mjaft debat politik, vendin ku debati politik shpeshherë precipiton me nxjerrje inatesh, në vendin ku në retrospektivë kemi pasur edhe një instrumentalizim të institucionit të Prokurorisë për qëllime politike, këto janë gjëra konkrete, të shkruar në historinë e re të Shqipërisë. Unë them që modeli më i mirë është modeli që kemi sot, pra një Prokurori që presupozon një institucion të pavarur, ku dy janë bazat që e bëjnë të suksesshëm institucionin e Prokurorisë. Së pari, është integriteti moral i Kryeprokurorit dhe i të gjithë trupës së prokurorëve dhe, së dyti, është profesionalizmi. Tek e para, kemi të bëjmë me cilësitë jo vetëm të karakterit të prokurorëve, por edhe të forcës së karakterit, për të mos qenë, ose për të mos pranuar influenca qoftë edhe të karakterit politik, apo të stimulimeve klienteliste. Ndërsa profesionalizmi është ai që e bën të plotë figurën e prokurorit dhe, besoj, i jep një imazh tjetër këtij institucioni të rëndësishëm. Jam absolutisht i prirur, jam i motivuar të vazhdoj me të njëjtin pozicion që kam pasur që në ditën e parë kur jam prononcuar për Prokurorinë dhe vlerësoj në hapat e para që ka bërë Kryeprokurorja, që Prokuroria më së fundi është futur në një rrugë jashtë çdo lloj tentative, apo jashtë çdo lloj shprese për të pasur mundësinë për t'u influencuar. Unë besoj që kjo do të bëjë Prokurorinë e Përgjithshme shumë shpejt që të jetë një nga institucionet që pas kalimit të provave të para, të jetë e vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Çështja e Gërdecit. Menjëherë pas kësaj ndodhie, i bëtë thirrje Prokurorisë që të gjejë personat përgjegjës për këtë ngjarje. Megjithatë, deri më tani vetëm tre personat janë marrë në shqyrtimin e Prokurorisë. A mendoni se duhet intensifikuar ky kërkim i personave përgjegjës dhe institucioneve përgjegjëse të implikuara në këtë çështje?

Unë besoj që, të flasësh sot për fazën ku ndodhet hetimi, ndoshta do të bëjmë ndonjë gabim që lidhet me atë ç'ka unë shpreha pak më parë. Gjithmonë kemi stimuluar dhe vazhdojmë të stimulojmë punën e Prokurorisë, e cila nga ana e saj ka në profesionin dhe në artin e hetimit disa gjëra të pashmangshme, pra, është hetimi dhe bashkëpunimi fatmirësisht edhe me ekspertë ndërkombëtarë që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj që po krijohet e gjithë baza e të dhënave që do të bëjë të mundur që hetimi të jetë shumë profesional. Unë besoj që Prokuroria, mbi bazën e atij motivacioni dhe asaj ç'ka ne kërkojmë, do të bëjë një hetim të pavarur. Ajo ç'ka ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi është që ky hetim vërtet të jetë i pavarur, të jetë pa asnjë lloj paragjykimi dhe t'i shkojë gjërave deri në fund, për të demonstruar më së fundmi që Shqipëria kërkon që të bëhet shtet i së drejtës, shtet i të gjithë qytetarëve.

A do të shërbejë ngjarja e Gërdecit si një mësim për institucionet shqiptare, për të marrë përsipër përgjegjësi për çështje kaq të rëndësishme?

Nëse pëson dhe nuk nxjerr mësim, kjo është fatkeqësi në radhë të parë për popullin, pastaj për institucionin dhe të gjithë politikanët. Rasti i Gërdecit, është një rast tragjik, ku të gjithë pa diskutim duhet të nxjerrin përgjegjësitë, përgjegjësi që vijnë me autorët e drejtpërdrejtë, me përgjegjësitë institucionale, me domosdoshmërinë e bashkëpunimit të institucioneve, të reformimit, të sjelljes në standarde të të gjitha gjërave. Është një rast që nuk mund të anashkalohet, është shumë e rëndësishme që hetimi të vazhdojë në njërën pistë, ndërsa në linjën tjetër institucionet duhet të bëjnë maksimumin e tyre që të mbyllin gropat apo hendikapet e bashkëpunimit dhe gjërat të qartësohen në mënyrë të tillë, që shërbimet apo institucionet të mos veprojnë në rrugë ku nuk bashkohen, por të gjithë së bashku të krijojnë një "network" ku shteti vërtet të marrë seriozitetin e vet. Unë besoj që jemi në këtë linjë. Nuk është vetëm rasti i Gërdecit. Ne kemi mjaft raste të tjera që duhet t'i bëjmë analizën, institucionet specifike që janë direkt përgjegjëse për këtë punë, duhet të jenë më të motivuara për të zbatuar ligjin, t'i bëjnë profilaksinë gjërave dhe të mos të lenë që të bëjnë analizën post-faktum. Ndërsa të gjitha institucionet kryesore, nëse është e nevojshme që gjërat të kërkohen të reformohen me ligj, do të bëjë të mundur që sa më shpejt ne ta realizojmë këtë punë. Kemi probleme që lidhen edhe me atë aspekt të jetës civile, me digat, me depot e karburanteve, janë gjëra që ne i kemi vendosur në linjën e komunikimit dhe besoj që do të jenë një nga objektet e diskutimit në mbledhjen e afërt të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Një pyetje lidhur me çështjen e pronave, a po merren masat e nevojshme për respektimin e pronës, e cila është e sanksionuar me Kushtetutën e Shqipërisë?

Unë jo vetëm në pozicionin e Presidentit të Republikës, por edhe si politikan, edhe si profesionist, edhe si njeri i thjeshtë në jetën civile kam konstatuar që pas kthimit të sistemit, ç'ka presupozonte që prona nga pronari-shtet, kalonte në një strukturë private, kam konstatuar që janë bërë shumë akte nënligjore. Dhe për t'i bërë një vlerësim të drejtpërdrejtë aktual situatës së pronave, unë them që ka mjaft defekte, ka një lloj kaosi i cili nuk krijohet nga qytetarët, por që krijohet nga institucionet, krijohet nga politika. Politika është një term shumë i përgjithshëm, por në rastin konkret, për çështjen e pronave, përgjegjësi kanë institucionet. Fakti që flitet çdo ditë për pronën dhe fakti që çdo ditë qytetari e ngre zërin më lart për çështjen e pronave, në një vend që nuk ka shumë hapësira, ka hapësira të pakta dhe këto hapësira duhet të jenë jashtëzakonisht të kontrolluara, të menaxhuara për t'i vënë në shërbim të atyre që kompensohen. Mund t'ju them që ky është një element që kërkon patjetër një vëmendje. Do të jem, natyrisht, shumë i angazhuar në ditët që vijnë për ta rikapur edhe një herë këtë temë. Nuk e rikap këtë temë sepse kam thjesht dëshirën personale, por jam në një komunikim intensiv, të vazhdueshëm me qytetarët, vijnë letra pafund, ankohen për institucionet, ankohen për deformime të strukturës së pronës, për mbivendosje. Më thoni nëse ka kaq probleme në një vend kaq të vogël ku problemet dihen, përgjegjësia e kujt është? Duhet të dalë përgjegjësia e drejtpërdrejtë, tek e fundit, njerëzit votohen për t'iu shërbyer njerëzve, popullit dhe çdo katër vjet, kanë një bilanc të qartë. Në rast se bëhen detyrat, rikonfirmohesh, në rast se nuk bëhen detyrat, atëherë është përgjegjësia e klasës politike, e cila ka marrë përgjegjësinë për të administruar fatin e tyre. Kështu që, unë po i diskutoj gjërat në parim, hap pas hapi. Ne kemi detyrimin që institucionet t'i vëmë në lëvizje për të mbyllur në mënyrë definitive çështjen e pronave, sepse ka një parakusht: zhvillimi i ekonomisë së tregut me rregulla, sipas të gjitha standardeve të botës së kapitalit, bëhet duke pasur në radhë të parë, si pikë referimi, stabilizimin e çështjes së pronave.

 

Për reformat

"Jemi në një moment, kur ligjet kanë nevojë të reformohen mbi bazën e marrjes së mendimit të të gjithë grupeve dhe të profesionistëve dhe kuptohet që spektri është i gjerë, është në ekonomi, është në institucionet kushtetuese, është në drejtësi, është në financa, është për të gjitha problemet që lidhen me zhvillimet strategjike, pra është një spektër mjaft i gjerë. E rëndësishme është që vullneti duhet të ekzistojë, të ketë një vullnet pozitiv, të qëndrueshëm".

Për Gërdecin

"Ajo ç'ka ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi është që ky hetim vërtet të jetë i pavarur, të jetë pa asnjë lloj paragjykimi dhe t'i shkojë gjërave deri në fund, për të demonstruar më së fundmi që Shqipëria kërkon që të bëhet shtet i së drejtës, shtet i të gjithë qytetarëve. Është një rast që nuk mund të anashkalohet, është shumë e rëndësishme që hetimi të vazhdojë në njërën pistë, ndërsa në linjën tjetër, institucionet duhet të bëjnë maksimumin e tyre që të mbyllin gropat apo hendikapet e bashkëpunimit dhe gjërat të qartësohen në mënyrë të tillë, që shërbimet apo institucionet të mos veprojnë në rrugë ku nuk bashkohen".

Për Kushtetutën

"Ajo që unë mund të deklaroj sot është që duke qenë garant i ligjeve, i Kushtetutës, për të cilën, ose prej së cilës jam votuar, unë them që në parim kur bëhen lëvizje të Kushtetutës, i cili është dokumenti themeltar i shtetit, forcat politike, politikanët, cilëtdo qofshin ata, pavarësisht nga background-i dhe eksperienca e tyre, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po të prekësh themelet e shtetit, pa pasur një mendim të qartë dhe për të ndërhyrë në mënyrë shumë frekuente, atëherë do të thotë të mos japësh asnjë lloj garancie për muret e ndërtesës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›