E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Armiku i shtetit" dhe romani shqiptar bashkëkohor

Romani shqiptar duhet të kishte
vdekur disa herë (dhe pa u rritur
ende, për më tepër!)Herën
e parë, në vitet njëzet bashkë
me romanin evropian kur lindte "Uliksi"
i Xhojsit dhe për më tepër T. S. Elioti
dëshmonte vdekjen e romanit me këto
fjalë kobndjellëse: "Nëse Uliksi s‘është
më roman, kjo ndodh se romani është
një formë që s‘do të shërbejë më, që s‘do
të mund të përdoret më" dhe shpjegonte
këtë duke e quajtur romanin "jo formë,
po shprehje e një epoke, së cilës i
kishte ardhur fundi. Po në fakt, romani
evropian njohu pas këtij momenti jo një,
po disa ringjallje. Së pari, në periudhën
nga vitet ‘20 deri në vitet 60 kur "romani
i ri" rrezikoi ta vriste përsëri e deri më
sot, kur, kundër gjithë parashikimeve,
vazhdoi të jetojë. Kurse romani shqiptar,
në atë kohë ende në pelena, nuk pranoi
të vdiste pa jetuar. Romanet shqiptare
të viteve ‘30 ishin fëmijë që hidhnin
hapat e para. Në vitet ‘50 realizmi socialist
për pak ua ndaloi rritjen duke i
shndërruar në disa pjella rakitike e të
dështuara. Ky ishte rreziku i dytë për
vdekjen e romanit. Realizmi socialist, siç
pohon Kundera,(jo me këto fjalë!) e vret
romanin në mënyrë aq të ngadalshme,
aq tinëzare, sa ky lloj mund ta pandehë
veten të gjallë kur është tashmë një
fantazmë. Po romani shqiptar shpëtoi
mrekullisht nga ky rrezik se realizmi dhe
modernizmi kishin futur si qyqja zogjtë
e vet në folenë e huaj, "zogjtë e vet" në
folenë e gjerë të "realizmit socialist". Në
fakt romanet më të mira të asaj kohe nën
mbështjelljen e jashtme me etiketën
"realizëm socialist" ishin romane realiste
ose romane ku shkriheshin realizmi
dhe modernizmi. Pas rënies së diktaturës
vërshuan romane nga të gjitha
llojet. E megjithatë, romani shqiptar
rrezikoi të vdiste për të tretën herë për
shkak të rilindjes së "antiromanit" ose
më saktë të disa formave që synonin
drejt tij. Tani romani bashkëkohor
shqiptar është më i gjallë se kurrë. Dhe
më i larmë se kurrë. Studiuesit flasin për
tre lloje të tij: romanin simboliko-alegorik,
romanin monologjik dhe romanin
realist social(do të shtonim "socialpsikologjik").
Këtij lloji të fundit i përket
romani që po analizojmë. Stavri Pone që
u shfaq së pari si autor në romanin për
fëmijë dhe qe mjaft i suksesshëm në këtë
rrafsh, tani e ka afirmuar veten si romancier
për të rritur (pavarësisht nga
ç‘mund të thotë kritika zyrtare që lëngon
në pasivitet dhe i shmanget detyrës së
vet për të zbuluar talentet). Romani me
titullin intrigues "Armiku i shtetit" është
romani i tij i pestë (para tij dolën "S‘ishte
vetëm ëndërr", "Lotët e trëndafilit",
"Mirëmëngjes, e dashur", "Bora"). Problematika
e këtij romani është socialpsikologjike.
Në dallim nga disa romancierë
që e quajnë veten modernë, Stavri
Pone beson te personazhi (personazhi i
plotë, individ dhe tip social dhe jo qenie
e copëzuar) që në shekullin e njëzetë
rrezikoi të vdiste bashkë me romanin
dhe njëkohësisht beson te mesazhi që
duan ta hedhin poshtë ithtarët e formës
pa mesazh. Romani i tij ka pa dyshim
një mesazh dhe disa personazhe të
gjalla (dy protagonistët, prokurori i ri
dhe gazetarja, personazhi antagonist,
politikani Bedri Shahini). Kryepushtetari
Bedri Shahini mishëron në vetvete
veset më të shëmtuara që përforcohen
nga hipokrizia e tij, loja e tij e përsosur
prej aktori, e një njeriu që "të vret natën
e të qan ditën". Veset e tij të shumta që e
çojnë në krime (madje edhe në krim
kundër vetë gjakut të tij, djalit, krim ky
në fillim i pavetëdijshëm, po për të cilin
personazhi nuk pendohet edhe kur
ndërgjegjësohet për të, përkundrazi
zhytet edhe më thellë duke përsosur
hipokrizinë e vet) e kanë burimin tek etja
për pushtet dhe tek egoizmi dhe janë
ngushtësisht të lidhura me krizën e gjithanshme
të vlerave. Kjo figurë qëndron
midis Jagos dhe Tartufit: do të thoshim,
jo aq i mençur sa Jagoja, po më dinak se
Tartufi që verbohet për një çast nga
pasioni dhe demaskohet; jo një përbindësh
patologjik, po një personazh ku
shkrihen thelbi social me thelbin psikologjik
në përputhje me rregullat e realizmit;
për këtë dëshmon
edhe vrasja e komanduar
e ish së dashurës
prej tij që ka një motivim
të dyfishtë: vetëmbrojtja
para rrezikut të demaskimit
dhe xhelozia për
atë që e quan si dashnor
të ri të saj. Alketa, gazetarja,
është një figurë e
ndërlikuar. E mençur,
krenare, e guximshme
dhe e çiltër (ndonëse jo
krejt e zhveshur nga
naiviteti i moshës) ajo
logjikisht do të mishëronte
një vajzë të emancipuar që e
realizon vetveten nëpërmjet punës dhe
lufton për disa vlera, po nën trysninë e
rrethanave (përdhunimit, varfërisë, sëmundjes
së të atit që do ta shpëtojë me
çdo kusht) ajo kryen një gabim tragjik:
prostituohet. Megjithatë, ruan një
dëlirësi të brendshme që e bën të rilindë
shpirtërisht, të luftojë për të drejtën dhe
të vërtetën duke e rrezikuar vendin e
punës madje edhe jetën; njëkohësisht
të përpiqet për ta realizuar një dashuri
të vërtetë që me vetëmohim është gati
ta flijojë për hir të lumturisë së të dashurit,
të cilit s‘mund t‘i japë fëmijë. Kjo figurë
të kujton Katjushën e "Ringjalljes"
së Tolstoit, po vizatohet si më e ndërgjegjshme
dhe energjike se ajo. Nuk
është thjesht viktimë, "fajtore pa faj", po
njeri që lufton me jetën dhe përpiqet të
rifitojë dinjitetin e vet. Fatmiri, prokurori,
më vonë këshilltari i Bedri Shahinit,
i dashuri i Alketës, jepet nga autori si
njeri në thelb i drejtë dhe i ndershëm, i
aftë të dashurojë me gjithë shpirt, po i
kufizuar nga një farë naiviteti që e dallon
rininë dhe njerëzit shpirtërisht të pastër,
ai nuk arrin të depërtojë në thelbin e
karakterit të njerëzve, veçanërisht kur
ky thelb është negativ, po edhe në rastin
e kundërt: kështu ka iluzione lidhur me
Bedri Shahinin, i verbuar nga hipokrizia
e tij, e dënon në fillim të dashurën kur
ajo e lë (duke mos kuptuar sakrificën e
saj) dhe nuk arrin ta kuptojë plotësisht
edhe kur e njeh më mirë përmes ditarit
të saj. Vetëm koha do ta bëjë të arrijë
vlerësimin objektiv të njerëzve. Olsi jepet
përkundrazi si njeri i sinqertë, po i
dobët, që s‘di t‘u bëjë ballë pasioneve
dhe fatkeqësive të jetës. Një personazh
simpatik, ndonëse i porsaskicuar, është
Jona, një vajzë e re me çiltërsinë e rinisë
dhe ekzaltimet e saj, po edhe me energjinë
dhe vrullin e kësaj
moshe që ajo e përdor
për të luftuar për të
drejtën, me gjithë
rrethanat e privilegjuara
në të cilat është rritur.
Ajo përjeton me dhimbje,
po edhe me forcë
shpirtërore dashurinë "e
pamundur" për Fatmirin.
Autori vizaton në
evolucion edhe killerin
e paguar, kryebanditin,
që arrin në gjestin tepër
të ulët që t‘ia marrë
jetën për para pikërisht
asaj që dikur ia ka shpëtuar atij: ky personazh
arrin në pendim dhe përpiqet të
shpëtojë të pafajshmin e dënuar. Pra,
autori është larg nga krijimi i figurave
skematike "të bardha" apo "të zeza", ai
pasqyron "dialektikën e shpirtit" të njeriut.
Njëkohësisht nuk qëndron indiferent
ndaj personazheve të veta: nën
maskën e objektivitetit fsheh dashurinë,
urrejtjen, mëshirën a përbuzjen ndaj
tyre. S. Pone alternon në roman teknika
të ndryshme rrëfimi: rrëfimin në vetë të
tretë që jep iluzionin e objektivitetit,
rrëfimin në vetë të parë nëpërmjet konvencionit
tradicional të ditarit (i modernizuar
me hedhjen në kompjuter) që i
lejon autorit të zhbirojë thellë në vetëdijen
e njërës prej figurave qendrore. Në
roman zë një vend të veçantë gjyqi për
vrasje (në të cilin paradoksalisht dënohet
një i pafajshëm), kështu që në pjesën
e fundit të veprës ka elemente të romanit
policor dhe të "thrillerit gjyqësor",
lloje tepër të përhapura në kohën tonë
dhe të përfshirë zakonisht nga kritika në
"letërsinë e masës" (duke harruar se
s‘është lloji që e ul shkrimtarin, po shkrimtari
mund ta ngrejë llojin siç ndodhi
me Zhorzh Simenonin dhe madje me
Umberto Ekon). Edhe në romanin e
sotëm shqiptar mund të dallojmë dy
prirje të ngjashme me ato që vinte re
studiuesi italian Serxho Peroza në letërsinë
amerikane: ngopjen dhe përzgjedhjen,
dëshirën për t‘i thënë të gjitha
dhe përzgjedhjen e fakteve jetësore në
funksion të një ideje organizuese. Dhe
në romanin "Armiku i shtetit" kjo ide
organizuese ekziston: është kriza e vlerave
dhe korrupsioni që si një merimangë
shtrijnë pëlhurën e tyre mbi politikën,
moralin, "vizionin e jetës" në Shqipëri.
Autori ka ditur të gjejë një strukturë të
romanit që e lejon tensionin dramatik
ta përshkojë deri në kulmin dhe në epilogun
i cili zbulon plotësisht enigmën
dhe jep mundësi për një fund "të hapur"
që i rindez shpresat e shuara për drejtësi.
Ndoshta mund të dëshirohej një
ngjeshje e mëtejshme e lëndës jetësore
që shndërrohet në artistike. Vepra përshkohet
nga patosi dramatik që në çastet
kulmore shndërrohet në tragjik. Autori
e përdor në mënyrë funksionale teknikën
moderne të flash-bakut, duke lënë
përkundrazi mënjanë teknika të tilla si
monologu i brendshëm apo "përroi i
ndërgjegjes". Ai parapëlqen si mjet karakterizues,
dialogun dhe dialogët e tij
janë mjaft të gjallë, të natyrshëm dhe
funksionalë. Një veçori e romanit është
pasuria e gjuhës në të cilën luajnë rolin
e tyre edhe neologjizmat. Po ka edhe
raste që frazat e gjata e rëndojnë stilin.
Autori di ta pikëzojë këtë stil me një figuracion
shprehës. Romani, pavarësisht
nga ndonjë e metë, është një roman
tërheqës dhe dinjitoz dhe jo një vepër e
dështuar. Rikthimi te mesazhi, te personazhi
dhe te realizmi kundërshton një
prirje të romanit shqiptar bashkëkohor,
atë për errësi, për copëzim të personazhit,
për teknika të sofistikuara. Kjo
prirje lidhet me drejtimet "moderne", po
tani të tilla drejtime nuk përfaqësojnë
më avangardën, po kanë hyrë në histori
dhe ekziston një rrezik, ai i ekzaltimit të
të metave të tyre duke i quajtur cilësi.
Me këtë që themi s‘duam ta mohojmë
en bloc këtë prirje, po teprimet e saj.
Pone anon në këtë vepër nga thjeshtësia
e qartësia, po edhe i do me pasion
protagonistët e romanit të vet dhe këtë
dashuri ia komunikon lexuesit. Romanet
e këtij autori, të lëna fatkeqësisht
mënjanë nga kritika, janë pranuar
gjerësisht nga publiku. Për mesazhin e
tyre? Për fabulën tërheqëse dhe intriguese?
Është i njohur dallimi që bën U.
Eko midis "romanit të masës", që i përgjigjet
"horizontit të pritjes" së publikut,
nga romani artistik që e befason
atë dhe e trondit. Mirëdashja e publikut
mos do të thotë vallë se romanet e S.
Pones i takojnë llojit të "romanit të
masës"? Po veprat e këtij autori nuk
janë thjesht vepra me intrigë tërheqëse,
intriga e tyre sipas nesh, është në funksion
të mesazhit. Sot (jo vetëm në
Shqipëri) po përhapet një dukuri që i
afron bestsellerët me veprat "elitare",
vërtet artistike. Asgjë s‘e pengon mundësinë
që një vepër të jetë edhe artistike
edhe bestseller në kuptimin se mund
të receptohet nga shtresa të ndryshme
të publikut. Kafka ka shkruar me mprehtësi
se "një libër duhet të jetë si një
sëpatë e ngulur në detin me akull që
është brenda nesh", pra, të na zgjojë, të
na bëjë të mendohemi, të ndërgjegjësohemi,
nëpërmjet tronditjes emocionale,
të na shkrijë indiferentizmin, të
na lidhë me njerëzit e tjerë dhe me
botën. Shkrimtarët e vërtetë e bëjnë
këtë. S. Pone po ecën në këtë rrugë. Së
fundi, do të themi se kritiku s‘është si
Krishti, s‘e shndërron dot ujin në verë.
Po qe se vepra është verë dhe jo ujë, këtë
mund ta provojë vetëm koha që ia shton
vlerat verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›