E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, BE "lë në klasë" Shqipërinë

Një ditë para se Komisioni Evropian të dorëzoje tek 27 vendet anëtare të BE-së raportet për liberalizimin e vizave me Ballkanin, një dokument konfidencial paralajmëron se Shqipëria

nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret për hedhjen e këtij hapi. Dokumenti, një kopje e të cilit u sigurua nga "Top Channel", është përgatitur nga Këshilli Evropian dhe pasqyron qëndrimin e BE-së për progresin e Shqipërisë, në kuadër të Këshillit të parë të Stabilizim-Asociimit që zhvillohet sot në mbrëmje në Bruksel. Për çështjen më të ndjeshme për shqiptarët, atë të lëvizjes së lirë, ky dokument sekret vlerëson se janë bërë disa progrese, por se nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. "Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", thuhet në dokument. Me gjithë përmirësimin e perceptimit "korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz". Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar sidomos në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe nënvizohet se ky fenomen "mbetet problem serioz që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri. Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve, si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë të reduktojnë efikasitetin hetimor".

Trafiku i drogës mbetet shqetësim serioz, ndërsa vlerësohet se Shqipëria është "vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave dhe për punën e detyruar. Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje", cilëson dokumenti konfidencial.

"Kontrolli kufitar është më efektiv, por emigracioni ilegal mbetet shqetësim", sipas vlerësimit të vendeve anëtare. Për zgjedhjet e qershorit "BE është njohur me masat e marra dhe shpreh shqetësim për shpejtësinë e shpërndarjes së kartave të identitetit", thekson dokumenti. Vlerësimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të diskutohet nga vendet anëtare më 25 maj. Për shtetet ballkanike që kanë përmbushur më mirë kriteret e udhërrëfyesit, komisioni pritet t‘i propozojë Këshillit Evropian rekomandimin e tij për heqjen e regjimit të vizave në fund të muajit qershor. Deri më tani, burime diplomatike njoftojnë se vendet më të favorizuara janë Maqedonia dhe ndoshta Serbia e Mali i zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të vlerësohen në kohën e duhur kur t‘i përmbushin kushtet për liberalizimin e vizave.

Vlerësimi sipas MSA: Në cilat

fusha po çalon Shqipëria

BE i kërkon qeverisë të ruajë pavarësinë e institucioneve kushtetuese

Dokumenti përgatitor i BE-së për Këshillin e parë të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë evidenton se për disa fusha situata paraqitet më shqetësuese krahasuar me raportin e publikuar në nëntor nga Komisioni Evropian. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit, "Bashkimi Evropian inkurajon qeverinë dhe institucionet e tjera që të vënë në përdorim të plotë sugjerimet dhe asistencën e Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe ekspertëve të BE-së, në mënyrë që të arrihet qëllimi legjitim për çështjet e së kaluarës, në përputhje të plotë me standardet". Me tone më të ashpra, Bashkimi Evropian konstaton se "funksionimi i gjyqësorit mbetet i varfër. BE i kërkon qeverisë të ruajë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese, gjykatësve dhe prokurorëve". Sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reforme strategjike me qëllim që "të garantohet një gjyqësor i pavarur, transparent, eficent e i përgjegjshëm", cilësohet në dokument. Më kritik se raporti i nëntorit paraqitet dhe situata për lirinë e medias "BE vëren me shqetësim se qeveria vazhdon të injorojë një urdhër gjykate për të drejtat e vendndodhjes së një gazete. BE i kujton Shqipërisë rëndësinë e respektimit të lirisë së medias, veçanërisht në periudhën parazgjedhore, e sidomos për mbulim të balancuar nga televizioni publik.

Liria e mediave është shtyllë thelbësore e mirëqeverisjes dhe llogaridhënies".

Këshilli Evropian bën thirrje për depolitizimin e administratës publike, forcimin e institucioneve dhe më shumë përpjekje në luftën kundër pastrimit të parave. Dokumenti shënon gjuhën më të ashpër që Bashkimi Evropian ka përdorur në katër vitet e fundit për Shqipërinë.

Me nota pozitive paraqitet ecuria e vendit për sa i takon kriterit ekonomik të Kopenhagenit. "Rritja ekonomike gjatë vitit 2008 e 3-mujorit të parë 2009-ës vlerësohen të favorshme, edhe pse eksportet vuajnë nga rënia e tregtisë ndërkombëtare". Brukseli sugjeron më shumë kujdes, "pasi efektet e raundit të dytë të krizës globale ekonomike e financiare nuk mund të jenë ende tërësisht të dukshme".

Vlerësohet progresi në dogana, zbatimi i mirë i marrëveshjes së ndërmjetme, por mbledhja e taksave mbetet e ulët, sidomos në nivelet lokale të qeverisjes.

"BE nënvizon rëndësinë e kompletimit të regjistrimit, vlerësimit dhe kompensimit të tokës, pasi çështjet e pazgjidhura të pronësisë kanë dëmtuar funksionimin e tregut të tokës, duke mbajtur investimet e huaja nën nivelin potencial". Në fushën e konkurrencës kërkohet përmbushja e detyrimeve të MSA-së për ndihmën shtetërore. "E drejta e autorit mbetet e dobët, shumë pak raste të dhunimit të kësaj të drejte përfundojnë në gjykatë" dhe "nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të përmbushur detyrimet e MSA-së në këtë drejtim".

Qëndrimit të Bashkimit Evropian do t‘i shtohet sot edhe pozicioni i Shqipërisë. Në deklaratën e përbashkët priten tone më të buta për publikun, por ky dokument do të përbëjë gjithsesi prioritetet kyçe të qeverisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me familjen evropiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›