Parlamenti rinor: Pesë prioritetet e rinisë
Parlamenti rinor dhe qendra FORIS kanë zhvilluar një sondazh në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje dhe mbi prioritetet e rinisë. Sondazhi është zhvilluar në Tiranë, gjatë muajit prill të këtij viti, ku janë anketuar 500 të rinj të moshës 18 - 20 vjeç, me një përzgjedhje rastësore. Nga të dhënat del se "60% e votuesve për herë të parë janë shprehur se do të marrin pjesë në zgjedhje". Duke iu referuar të dhënave të parlamentit rinor rezulton se "73% e votuesve për herë të parë kanë aplikuar për letërnjoftimet e reja elektronike dhe 16% kanë deklaruar se do të aplikojnë". Sipas rezultateve të sondazhit, 5 prioritetet që të rinjtë do të donin të ishin pjesë e programeve partiake dhe si rrjedhim të zgjidheshin nga qeveria e ardhshme janë: problemet e arsimit parauniversitar dhe liberalizimi i universiteteve, lëvizja e lirë e të rinjve në Evropë, pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, punësimi dhe vetëpunësimi i të rinjve dhe mungesa e ambienteve kulturore e sportive. Parlamenti rinor u kërkoi partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që në fushatën zgjedhore të përqendrohen te prioritetet e rinisë, të mos përdorin të miturit për qëllime elektorale dhe të ruajnë etikën në komunikimin me publikun dhe me kundërshtarët politikë.