E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, aty ku fshati jeton me "fletoren e mjerimit"

Pas ndryshimit të sistemit
politik në Shqipëri, në
zonat rurale do të fillonte
një periudhë e vështirë
përshtatjeje. Gjatë viteve të tranzicionit,
liria e lëvizjes nxiti një
numër familjesh që të largohen,
duke kërkuar zona më "të buta"
dhe kryesisht zonat e zhvilluara urbane.
Zhvendosja nuk u krye me
programe, por në mënyrë krejt
spontane: shko ku të mundësh,
jeto si mund të jetosh. Në fshatrat e
Kukësit mbeti tashmë 1/3 e popullsisë
së dikurshme, madje disa prej
tyre janë drejt boshatisjes së plotë.
Në 68 fshatra të Kukësit deri në
vitet ‘90 jetonin rreth 65 mijë banorë,
ndërsa sot e gjithë popullsia
fshatare është reduktuar në më
pak se 23 mijë. Këtu nuk kemi llogaritur
dy-tre fshatra të periferisë së
qytetit, të cilat janë trefishuar në
numër. Banorët që jetojnë aktualisht
në shtëpitë e të parëve në fshat,
qëndrojnë ende jo për nostalgji,
por janë shumë të varfër dhe
nuk kanë mundësi të lëvizin. Tek
ata mbizotëron mendimi se sapo
t‘u krijohet rasti do të largohen, e
rasti s‘është gjë tjetër veçse
mundësia ekonomike për të blerë
një copë tokë diku apo një truall në
zonat urbane. Janë të paktë ata që
shprehin dëshirën të vazhdojnë të
jetojnë në fshat, por vetëm pamundësia
i detyron të qëndrojnë
ende në vendlindjet e tyre.
Duke qenë se toka është
shumë e pakët dhe aspak e bonifikuar,
fshatarët nuk e nxjerrin
jetesën duke u marrë me të, nga
ana tjetër edhe pyjet janë zhdukur
pothuajse plotësisht, saqë peizazhi
i fshatit të ngjan me zona të
shkreta në mëshirën e erozionit.
Nga ana tjetër, shteti mburret se u
dërgon banorëve "ndihmën
ekonomike". "Më thoni, a ka diskriminim
më mizor se ndihma që
këta (qeveria) e quajnë ndihmë
ekonomike, mor djalë, hë si thua
ti, a quhet ndihmë ekonomike
2000 lekë të reja në muaj", na thotë
një 60-vjeçar nga Topojani, në
bisedë e sipër. Në këto zona mjerimi
duket në çdo detaj të jetës dhe
më tepër në kuzhinat e familjeve,
ku më së shumti amvisat gatuajnë
për ushqim vetëm patate me gjizë,
në veshjet e varfra të fëmijëve,
dyshemetë prej balte të shtëpive
përdhese...
Në kafenenë e fshatit Pakisht,
gjejmë vetëm një grup të vogël të
rinjsh, si dhe një burrë rreth 50
vjeç, për të cilin mësuam se quhej
Rifat dhe se ishte kryeplaku. Ky i
fundit tregon se katundi po shkon
drejt shuarjes, pasi që prej më
shumë se dy dekadash aty nuk
ishte ndërtuar asnjë shtëpi e re.
"Njerëzit po ikin prej këtu, nuk ka
mjete jetese, as rrugë makine s‘ka,
as punë. Këtu kanë mbetur vetëm
familjet që nuk kanë lekë për të
paguar transportin e teshave për
të ikur prej aty. Kaq dobët është
gjendja", thotë Rifati dhe bën me
gisht kah banaku i lokalit, "ai e ka
fletoren e mjerimit", tha duke shtuar
se më mirë se ai do të fliste fletorja,
ku ishin shënuar borxhet e
fshatit. Pronari i lokalit, një 30-
vjeçar nga i njëjti fshat, tregon se
në fletoren e tij janë plot 6 milionë
lekë borxhe të fshatarëve dhe
mendo, në fshat janë katër dyqane
të tillë. "Si e paguajnë? Asnjëherë
nuk mund ta lajnë, vetëm sa vjen
e thellohen në borxhe, sepse nuk
kanë punë, më paguajnë vetëm
ata që vijnë nga emigracioni, nëse
u ka ecur", thotë pronari i lokalit,
duke treguar fletoren e borxheve
ku, siç tha, asnjëherë nuk shënohen
lekët e vogla. Nëse pihet kafe
dhe nuk paguan s‘prish punë, por
kur blen ushqime duhet të shënohet.
"Shteti duhet ta lidhë me mua
kontratën e ndihmës ekonomike,
sepse sapo ndihma të shpërndahet
fshatarët e sjellin këtu, por është
shumë e pakët për të shlyer
borxhet për miellin që kanë blerë
apo për disa makarona", thotë ai.
Rinia
Të rinjtë vazhdojnë të largohen
kryesisht në vendet perëndimore
për një punë, për të mbajtur famil-
jet, ndërsa shumë rrallë njerëzit i
janë kthyer fshatit të lindjes për të
parë mundësinë se edhe aty
mund të jetohet. Në fshatin Orgjost
takojnë edhe aty dy-tre të rinj,
të cilët siç tregojnë, janë fatkëqij,
pasi kanë qenë në Greqi për punë,
por i ka kapur policia se kanë qenë
pa dokumente dhe i ka rikthyer në
Shqipëri. "A mund të jetohet në
këtë fshat, që nuk na ofron asnjë
mundësi. Nuk ka mundësi tjetër,
veçse të ikim prapë", hidhet dhe
thotë një nga të rinjtë, që ka tentuar
disa herë të shkojë emigrant, por
ikja për të, si dhe për pjesën dërrmuese
të shqiptarëve, është tepër
e vështirë. "Kalojmë disa shtete,
derisa shkojmë te vendi i punës",
rrëfen itinerarin ai, që siç na tregon
kalon nga Kosova, Maqedonia dhe
më në fund në Greqi. "Bëjmë rreth
40 orë rrugë në këmbë", tregon më
pas një i ri, duke përshkruar rrugën
nga fshati deri në Greqi për pjesën
që e bënin në këmbë.
Djemtë gjejnë rrugëdalje tek
emigracioni, atje gjejnë ndonjë
zanat dhe nuk kthehen më në
vendlindje. Vendosen diku në
fushë, afër zonave urbane dhe atje
ndërtojnë një jetë të re. "Këtu në
fshatin tonë, por edhe në fshatrat
e tjerë siç po i sheh, nuk të jep kush
nuse, asnjë vajzë nuk pranon të
martohet në fshatin tonë", thotë
një burrë dhe shtoi se dasmat në
fshat ishin të rralla, vetëm në rastet
kur një vajzë e këtij fshati martohej
brenda për brenda fshatit.
Për vajzat jeta "mbyllet" me
mbarimin e shkollës së
detyrueshme. Në të rrallë vajzat
që mbarojnë arsimin e mesëm shkojnë
në shkollë të lartë dhe kjo
dukuri quhet "shpëtoi nga jeta e
vështirë e fshatit". "Për vajzat nuk
mbetet alternativë tjetër përveç
martesës, kush ta kërkojë e japim
nëse e pëlqen edhe vajza", tha një
amvisë nga fshati Orçikël, 35 km
larg nga Kukësi. Ajo shtoi me
dhimbje se për vajzat, me mbarimin
e shkollës 9-vjeçare mbaronte
e gjithë periudha e lirisë së
tyre. "Vajzat e familjeve që shkojnë
me banim në Kukës apo në
Tiranë janë bërë me shkollë, por
vajzat tona deri këtu e kanë
cakun", thotë një prind. Pas mbarimit
të shkollës së fshatit vajzat
merren me punë dore dhe ruajnë
bagëtitë, punojnë tokat dhe merren
me punët e shtëpisë deri sa
"t‘u dalë fati", që do të thotë derisa
dikush të ndërhyjë, për t‘i
kërkuar dorën te prindërit. Në
shumicën e fshatrave të Kukësit,
përjashtohet mundësia që vetë
vajza të japë mendim për burrin
ardhshëm. Në të vërtetë vajzat e
këtyre zonave nuk kanë asnjë
kontakt me njerëz të tjerë dhe
kështu nuk kanë se si të krijojnë
një lidhje apo të njohin dikë.
Pensionistët
Të jesh pensionist në fshat
nuk është edhe aq keq, veçanërisht
nëse ke pension shtetëror.
Një çift pensionistësh nga fshati
Bele, thonë se ndihen shumë
mirë në fshat. Janë ende të fortë
fizikisht, burri është 67 vjeç,
ndërsa e shoqja 62 vjeçe dhe
marrin rreth 30 mijë lekë në muaj
që të dy. "Punojmë arat, mbajmë
dy lopë, mbajmë edhe disa bletë,
kemi pemë, jetojmë shumë
mirë", thotë gruaja. Por ajo, pasi
hesht një copë herë thotë se ka
një brengë të thellë, gjithsesi,
fëmijët janë martuar dhe kanë
ikur nga fshati dhe nuk kthehen
më. "Kam pesë fëmijë, dy vajza e
tre djem, që të gjithë janë martuar
dhe kanë ikur në Kukës dhe në
Tiranë, një ka ikur në Greqi, çfarë
të bëjmë ne vetëm këtu?" - thotë
e brengosur gruaja. Por pensionistë
të tillë përbëjnë vetëm 10%
të krejt numrit të pensionistëve
në fshat. Dhjetëra e dhjetëra të
moshuar detyrohen të mbijetojnë
me të ardhura krejt minimale,
krejt të braktisur nga shteti
e pse jo dhe nganjëherë edhe
nga të bijtë. Mbijetesa e tyre sigurohet
kryesisht duke punuar
arat e pakta me krahë apo me kafshë,
për teknologji as nuk mendohet
fare. Për pasojë është e
natyrshme që me rropatjen e
përditshme të sigurohet vetëm
minimumi i ushqimeve të vitit.
Në mesin e një fshati ndodhet
një godinë mjaft e madhe e
bardhë, që dikur ka qenë një shkollë
e bashkuar, e mesme dhe 8-
vjeçare. Shkolla është ndërtuar
në dekadën e fundit, por është
krejt bosh, për shkak të largimit
të familjeve nga fshati. Ata pak
nxënës që kishin mbetur i kishin
bashkuar me nxënësit e një fshati
tjetër nja 2 km më tej. Dy nxënës
të vitit të tretë që takuam,
treguan se do të rrinin në fshat
vetëm sa të mbaronin shkollën.
"Nuk shohim arsye pse të rrimë
këtu", thonë adoleshentët. Ata i
pret një botë e panjohur dhe të
vjen keq që atdheu nuk u premton
më shumë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›