E Diel, 1 Nëntor 2026

PR: Neritan Alibali, kandidat në Shkodër

Partia Republikane ka prezantuar në Shkodër kandidatin e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, Neritan Alibalin. Menjëherë pas këtij prezantimi, struktura e lartë e PR-së është drejtuar në Tiranë për të mbajtur simpoziumin nën moton "Sot NATO, nesër BE". Dorëheqja e ministrit Fatmir Mediu vetëm pak ditë përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, "pengoi" Partinë Republikane të shpaloste punën që kryetari i tyre në Ministrinë e Mbrojtjes kishte bërë për më shumë se dy vjet për reformat në ushtrinë shqiptare. Të ftuarit specialë në këtë simpozium ishin Gordon England, ish-zv/sekretari amerikan i Mbrojtjes, si dhe Lazar Elenovski ish-ministri i Mbrojtjes së shtetit Maqedonas. "NATO-n nuk na e falën, por atë e fituam me përpjekjet tona të vazhdueshme, sakrifica, luftë, reforma të ndërmarra. Unë kujtoj vitin 2005, kur ne kërkonim të hynim në NATO dhe shumë tregoheshin skeptikë, ndërsa sot, jemi duke ndërtuar partneritete afatgjata me vendet anëtare të kësaj Aleance", tha Mediu. Në fjalën e tij, ish-zv/sekretari amerikan, England, tha se "të gjithë e dimë se të jesh një vend anëtar i kësaj aleance nuk është aspak e lehtë, por unë mendoj se z. Mediu e realizoi më së miri ëndrrën e madhe që ju kishit duke zbatuar me rigorozitet të gjitha reformat e kërkuara, ndaj them se një pjesë e madhe e kësaj merite i takon atij dhe punës këmbëngulëse të tij". Ndërkohë, nga ana tjetër, ish-ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Lazar Elenovski, theksoi se "Mediu ka qenë vizioni i Shqipërisë, në rrugën drejt integrimit të vendit tuaj në Aleancën më të madhe, atë të Atlantikut të Veriut. Unë dua që ashtu sikurse Shqipëria, këtë NATO ta marrë edhe Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›