Toka bujqësore, verifikim çdo vendimi të dhënë në 17 vite
• Qeveria do të verifikojë nëpërmjet Komisionit të Ndarjes së Tokave të gjithë titujt e pronësisë të tokës bujqësore të dhëna gjatë këtyre 17 viteve.BLEDAR HOTIQë nga miratimi me konsensus politik PS-PD të ligjit 7501 "Për tokën" toka e dhënë bujqësore pritet të përfshihet në një hetim të plotë të mënyrës së dhënies së titujve të pronësisë. Gjatë diskutimit të projektligjit "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", deputetët e PS-së dhe PD-së në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kontestuan procesin e verifikimit të pronësisë. Dy ish-ministrat e Bujqësisë, Ylli Bufi i PS-së dhe Rexhep Uka i PD-së, të dy anëtarë të këtij komisioni u shprehën kundër kësaj ideje të verifikimit të të gjithë titujve të pronësisë. "Kjo do të krijonte probleme sociale, rishikimi i titujve të pronësisë. Ne jemi të vendosur që të mbyllim këtë problem, duke i dhënë titujt e pronësisë", deklaroi Uka. Deklarata e tij u mbështet nga ana e kryekomisionerit Ylli Bufi. Të dy drejtuesit e këtij komisioni u shprehën kundër dhënies së kompetencave të komisioneve vendore të tokave, duke u shprehur se dhënia apo heqja e titujve të pronësisë jepet vetëm me vendim gjykate. Ndërsa u shprehën se, ky verifikim mund të sjellë abuzime të mëtejshme në vlerësimin e titujve të pronësisë.Problemet në zonat verioreVerifikimi i titujve të pronësisë për tokën bujqësore të dhënë rrezikon 23 mijë ha tokë të rretheve të veriut të Shqipërisë. Toka bujqësore përfshin rrethet Malësi e Madhe, Tropojë, Kukës dhe Has. Në këto zona nuk ka vepruar ligji 7501 "Për tokën", pasi toka e shpërndarë bujqësore është ndarë mbi bazën e pronësisë që kanë pasur banorët e zonave që në kohën e mbretit Zog në Shqipëri. Eksperti i Ministrisë së Bujqësisë, Skënder Tola, në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, theksoi se "mbetet problem verifikimi i pronësisë së tokës bujqësore të këtyre personave pasi nuk kanë titull pronësie". Një çështje e tillë u ngrit gjatë shqyrtimit të projektligjit "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Por Tola hodhi poshtë pretendimet e deputetëve të komisionit se një gjë e tillë do të krijonte përplasje me banorët e zonave.Neni 9, ndryshimiNjë tjetër çështje e ngritur nga komisioni ka qenë ai i nenit 9 të projektligjit, në të cilën parashikohej që "toka e zënë në mënyrë të paligjshme që e ka mbajtur në përdorim të jepet pronësia, me detyrimin e pagesës së saj sipas çmimeve të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit të Pronave". Kjo dispozitë e pikës 3 të nenit 9 u kontestua fuqishëm në mbledhjen e komisionit të Ligjeve. Eksperti i Ministrisë së Bujqësisë deklaroi se, "ne kemi rishikuar propozimet dhe mund të përjashtojmë nga kjo e drejtë ata familje që kanë toka në zonat turistike". Ndërsa për toka të tjera bujqësore të kësaj kategorie mund të jepet titulli i pronësisë, duke e detyruar atë ta blejë tokën që ka pasur në përdorim në kundërshtim me ligjin.Rastet e titujve të paligjshëm Kur personi ka marrë më shumë tokë nga ç'parashikonte ligji. Këtu do t'i jepet pronësia kundrejt pagesës. Kur personi ka marrë pyje në pronësi, duke e quajtur si tokë bujqësore. Këtë rast do t'i hiqet pronësia. Kur personi nuk ka qenë banor, ose anëtar i ndërmarrjeve bujqësore, kooperativa bujqësore. Toka do t'u merret, në rast se ka konflikt pronësie, do shqyrtohet. Nëse s’ka, shkon për kompensim fizik.