E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Kërcënimi, një absurditet

• Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka cilësuar absurde iniciativën e disa prej drejtuesve të klubeve të Kategorisë Superiore.“Nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar nga këta presidentë për qëndrimin e tyre, por këtë po e mësoj nga media, – tha Duka për ‘Panorama’. – Të gjithë këta persona përfaqësojnë zyrtarisht nga një klub, por mbledhja e tyre së bashku nuk përfaqëson asgjë, sepse në Shqipëri është Federata Shqiptare e Futbollit ajo që përfaqëson futbollin e vendit tonë. Kështu që unë nuk di se si ta interpretoj këtë, aq më tepër kur asnjëri prej tyre nuk i është drejtuar zyrtarisht Federatës, apo instancave të saj si Komiteti Ekzekutiv, apo Asamblesë, për të dhënë një sugjerim, për të bërë një ankesë apo për të bërë kërkesa. Këto lloj veprimesh më duken të pamatura dhe absurde. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, – nënvizoi Duka. – Të gjithë janë dëshmitarë të ecurisë së gjithë këtij kalvari të gjatë, i cili gjatë këtyre tre viteve nuk ka bërë gjë tjetër veçse na e ka vështirësuar punën. Ne jemi treguar të hapur për bashkëpunim dhe kemi qenë gjithnjë transparentë, çka është konfirmuar edhe nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat kanë ndjekur me shumë vëmendje gjithë atë që ka ndodhur me futbollin shqiptar gjatë këtyre viteve të fundit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›