E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armiqtë Shehu-Tito udhëtojnë bashkë në "Queen Elizabeth"

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork – 20 shtator 1960 – Dy njerëz për të cilët i gjithë gadishulli i Ballkanit do të ishte shumë i vogël për të jetuar të dy së bashkë, kanë udhëtuar “përkrah” njëri-tjetrit në anijen britanike "Queen Elizabeth", e cila i solli ata drejt Nju-Jorkut për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Këta janë marshalli Tito i Jugosllavisë dhe kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, që zëvendëson Enver Hoxhën, e ardhmja e të cilit mbetet e panjohur. Presidenti jugosllav mbërriti këtu në Nju-Jork ditën e sotme dhe tha se do të ishte i pranishëm gjatë seancës së asamblesë në përpjekje për të ulur tensionet. Udhëheqësi komunist jugosllav buzëqeshi dhe përshëndeti njerëzit që ishin mbledhur për ti uruar mirëseardhjen. “Ne vijmë në Kombet e Bashkuar për të shpalosur idetë tona për shumë probleme që sot shqetësojnë botën”, - u tha Tito gazetarëve. Atij iu urua mirëseardhja nga rreth 100 persona që ishin mbledhur përpara portit. Moli i lumit Hudson ku u ankorua anija “Mbretëresha Elisabet” ruhej nga 500 policë. Këto masa sigurie ua kalonin vetëm atyre të mbërritjes së Sekretarit të Parë të PKBS-së, Nikita Hrushov. Menjëherë, sapo Tito la kuvertën, dy fëmijë jugosllavë u afruan dhe i dhuruan dy buqeta me lule. 68-vjeçari dukej i nxirë dhe i shëndetshëm. Në momentin që anija iu afrua molit binte një shi i lehtë. Tito hyri në një limuzinë dhe iu bashkua misionit të tij të përhershëm në Kombet e Bashkuara në Rrugën 5 të rezidencës së tyre në Nju-Jork. Kryeministri shqiptar, Shehu, priti që të largohej Tito dhe doli nga anija 25 minuta më pas. Ai theksoi edhe një herë tjetër vendosmërinë e Shqipërisë ndaj “bashkekzistencës paqësore”. Thelbi i deklaratës së tij ishte i njëjti me ato të udhëheqësve të tjerë komunistë, të cilët mbërritën këtu ditën e hënë. Nuk është ende e qartë se çfarë masash ishin marrë nga kapitaneria e anijes “Mbretëresha Elisabet”, por mendohet se nuk ka pasur asnjë takim mes dy delegacioneve “armike”, ndërsa kryenin ushtrimet e tyre fizike në kuvertën e anijes në mëngjes. Tito, ndryshe nga komunistët e tjerë, mund të ftohet në Uashington për të mbajtur një takim me presidentin Ajzenauer gjatë vizitës së presidentit amerikan këtu ditën e enjte. Sulmi i fundit i jugosllavëve ndaj komunistëve shqiptarë ndodhi më 9 shtator kur qeveria e Beogradit lëshoi një protestë të fortë ndaj “veprimtarisë diversioniste shqiptare në Jugosllavi”, një akuzë që drejtohet në mënyrë konstante nga Tirana drejt Beogradit. Në një letër dorëzuar të ngarkuarit shqiptar me punë në Beograd, i cili, me që ra fjala, refuzoi ta lexonte i pari, qeveria jugosllave protestonte “jo ndaj dhjetë, por qindra artikujve antijugosllavë të botuar në shtypin shqiptar”. Për më tepër, jugosllavët pretendojnë në letrën e tyre se qeveria shqiptare kishte organizuar dhe arritur me sukses një sërë infiltrimesh të shtetasve të vetë në Jugosllavi, përfshirë dhe shumë oficerë, me detyrën që të kryenin akte terrori dhe sabotazhi” (eliminime të personaliteteve të veçanta dhe krijimit të një rrjeti spiunazhi dhe sabotimi në këtë vend). Letra jugosllave vazhdonte më tej duke protestuar për shkak të epiteteve të përdorura nga shqiptarët kundër udhëheqësve jugosllavë. “Tito dhe togerët e tij kryesorë, - shkruante letra, - nuk u përmenden me emrat e tyre të vërtetë, por me epitete si “xhelatë”, “kriminelë”, “gangsterë fashistë”, “agjentë imperialistë”, “vrasës”, “komplotues”, “kolonizatorë”, “mercenarë provokatorë”, “gangsterë titistë”, “armiq të çmendur të Shqipërisë”, “agjentë të egër të imperializmit”, “përkrahës të regjimit nazist”, “gangsterë të Beogradit” etj. Është pothuajse e pamundur që Mehmet Shehu dhe miqtë e tij të jenë ndjerë rehat në udhëtimin komod me anijen luksoze angleze, ku shumë “gangsterë” jugosllavë (ashtu siç shqiptarët i quajnë) kanë ndarë hapësirën e kuvertës me “besimtarët e vërtetë” nga Shqipëria. Sjellja e shfrenuar antijugosllave e Shqipërisë nisi me akuzat e Byrosë Informative kundër Titos dhe mbështetësve të tij në vitin 1948. Letra jugosllave e 9 shtatorit 1950 u kujton shqiptarëve se në 4 tetor 1947, Enver Hoxha kishte thënë gjatë një fjalimi të tij: “A mund ta imagjinoni, shokë, se cili do të ishte fati i kombit tonë të vogël pa Jugosllavinë demokratike dhe mike. Kombi i vogël shqiptar nuk do të kishte lirinë, të cilën e gëzon sot, por do të kalonte ditë dhe një të ardhme të errët. Kjo është mënyra se si miqësia, vëllazëria dhe bashkimi që na lidh ne me Jugosllavinë e Titos duhet të çmohet... Populli shqiptar nuk e ka harruar kurrë dhe nuk do ta harrojë ndihmën që ata kanë marrë nga populli dhe qeveria e Republikës Federale të Jugosllavisë në një kohë kur kishte më shumë nevojë...” Por e gjitha kjo u tha nga Hoxha në momentin kur Edvard Kardeli (ashtu siç citohet nga Dedijer në librin e tij "Flet Tito") po i thoshte Stalinit në Moskë se Enver Hoxha “kishte karakteristika të caktuara të një intelektuali mikroborgjez”. I pyetur nga Stalini për të dhënë mendimin e tij për Hoxhën, Kardeli shtoi se udhëheqësit shqiptar i mungonte “formimi marksist-leninist” dhe ky është shkaku pse jugosllavët mendonin që figura më e mirë për të drejtuar në Shqipëri ishte Koçi Xoxe, të cilin Hoxha e eliminoi më 1949 si një “tradhtar titist”. Nga ana tjetër, Koçi Xoxe është njeriu që eliminoi Nako Spirun, burrin e Liri Belishovës, e cila u spastrua së fundmi së bashku me Koço Tashkon. Është shumë e vështirë të mos e humbësh rrugën në këtë rreth vicioz, ku të gjithë janë kundër njëri-tjetrit. Në mars 1958, ambasadori jugosllav në Shqipëri, që sot është ambasador në Bukuresht, Arsa Milatoviç, u tërhoq nga Beogradi pasi u arrestua dhe u mbajt 12 orë në burg nga autoritetet shqiptare në Vlorë, ku ai gjoja kishte kaluar “zonën e ndaluar”. Që prej atëherë, Beogradi është përfaqësuar në Tiranë vetëm nga një i ngarkuar i posaçëm. Vetëm pak kohë më parë shqiptarët e tërhoqën ambasadorin e tyre nga Beogradi, Spiro Koçin, duke e emëruar këtë të fundit në Sofje.

Ky lajm është publikuar: 04/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›