E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Asambleja e PS, debate për ndryshimet në statut

Autori i Lajmit: Redaksia
Grupi i punës, i ngritur nga Partia Socialiste për ndryshimet statusore, do të paraqesë sot në Asamblenë e partisë draftin me ndryshimet për tu dhënë dorën e fundit, para se të kalojë për miratim. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet që të mblidhet ditën e sotme për të diskutuar mbi ndryshimet statutore të saj. Konkretisht, ndryshimet në statut kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste në qendër dhe në rrethe.
Ndërkaq, në draftin e hartuar, parashikohet që të rikthehet struktura organizative, me kryetar rrethi. Pritet që diskutimi i këtyre ndryshimeve statutore të shoqërohet me debate në radhët e dy grupimeve që ekzistojnë brenda selisë rozë, atij të mbështetësve të kryetarit Rama dhe Lëvizjes për Mendimin Ndryshe.
Ndryshimet
Pika e parë do të jetë ngritja në nivel rrethi e një strukture vendimmarrëse, gjithëpërfshirëse dhe me përfaqësues nga të gjitha njësitë vendore që ka në juridiksion rrethi. Grupi i punës ka vendosur ngritjen e Asamblesë Kombëtare në nivel rrethi në përbërje të së cilës do të marrin pjese delegatët e kongresit të PSSH-së, si dhe drejtuesit lokalë dhe të forumeve të tjera të partisë.
Kryetarët e Partisë Socialiste në komunë dhe bashki nuk zgjidhen më përmes parimit një anëtar, një votë, por nga anëtarët e Asamblesë Socialiste të komunës ose të bashkisë. Një pikë tjetër është ngritja e një strukture të re në nivel qarku, që do të ketë rol koordinativ. Në përbërje të kësaj strukture do të jenë deputetët e qarkut dhe kryetarët e partisë së rretheve. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste propozohet të hyjnë drejtpërdrejt kryetarët e PS së rretheve, të zgjedhur nga anëtarësia e çdo rrethi. Një pikë tjetër do të jetë riformatimi i strukturës së Partisë Socialiste në emigracion që do të synojë ta bëjë atë edhe më funksionale. Në lidhje me Forumin e Gruas Socialiste dhe FRESSH, propozohet që organizimi i tyre të jetë i njëjtë me atë të partisë në të gjitha nivelet si dhe përfaqësuesit e tyre do të jenë drejtpërsëdrejti anëtarë të forumeve vendore dhe qendrore të partisë.
Asambleja
Asambleja do të mblidhet sot, pasi kështu e parashikon edhe rregullorja e Partisë Socialiste. Ajo mblidhet dhjetë ditë para Kongresit të Partisë, i cili do të mbahet më 18 prill. Ndërkaq, sipas sekretarit për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa, programi i ri politik nuk do të miratohet nga Kongresi i thirrur në datën 18 prill, por do të mbetet një draft në të cilin do të punohet me anëtarësinë socialiste dhe me ekspertë të PES për ta perfeksionuar. Sipas z.Xhafa, Partisë Socialiste do ti vlente më së shumti nisja e një turi të ngjashëm me “Dialog për Shqipërinë” mbi programin, pasi frytet e tij ishin reale aq sa u imitua në mënyrë të shëmtuar nga demokratët.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›