Armir Grima: Premtoj më të mirën për Vllazninë
Ish-portieri i kuqebluve pohon se emërimi si drejtor sportive do të jetë me fat për shkodranët, të cilët do të fitojnë ndaj bardhebluve
Vllaznia Tirana (nesër 16:00)
Që prej së mërkurës ka nisur një punë të re. Tashmë jo më zanatin e futbollistit dhe as atë të trajnerit. Armir Grima do të jetë sërish pranë futbollit, por jo atij të luajtur. Ai është emëruar dy ditë më parë nga ana e drejtuesve të bashkisë në rolin e drejtorit sportiv të klubit. Emërimi i tij është pritur mirë nga ana e opinionit sportiv shkodran, duke njohur vlerat e tij sportive, por edhe ato njerëzore. I kënaqur duket edhe vetë Grima, që për Sportin shqiptar do të deklaronte kështu në të parën intervistë të tij si drejtor sportiv i Vllaznisë:
Grima, si e pritët emërimin tuaj në një pozicion zyrtari te Vllaznia?
E prita mirë, sepse është një vlerësim për karrierën time sportive dhe tashmë më besohet edhe roli i drejtuesit. Për këtë falënderoj mbi të gjitha kryetarin e bashkisë, Lorenc Luka, për besimin e treguar ndaj meje dhe kuptohet do të mundohem të bëj më të mirën për ti shërbyer ashtu siç duhet Vllaznisë në këtë pozicionin e ri.
Në çfarë konsiston detyra e drejtorit sportiv që ju do mbuloni?
Do të merrem me të gjithë anën sportive të klubit, që nga ekipi i parë edhe deri te moshat e vogla që janë pjesë e Akademisë. Më është ngarkuar të shoh punën e stafit teknik, të punoj për merkaton për të sjellë lojtarët e duhur në skuadër, për të bërë seleksionimin e duhur nga ekipet zinxhir, për të parë si punohet me moshat dhe për të rregulluar gjërat në aspektin sportiv.
Përveç kësaj, detyra ime konsiston edhe në atë që të luaj rolin e një ndërmjetësi në mes skuadrës dhe drejtuesve të klubit. Shqetësimet që do të kenë futbollistët apo dhe pjesëtarët e stafit, do shkojnë përmes meje tek administratori dhe drejtuesit e tjerë të klubit për të gjetur zgjidhjen e duhur.
Mendoni se do ta keni më të vështirë tashmë si drejtues sesa kur keni qenë portier?
Çdo detyrë ka përgjegjësinë e vet. Kur kam qenë portier, nëse do të pësoja një gol që nuk duhej, kisha shumë përgjegjësi mbi vete, përgjegjësinë e gjithë skuadrës, por edhe të një qyteti të tërë. Edhe tashmë kam një përgjegjësi të madhe, sepse vërtet jam drejtues, por në punën time patjetër që duhet të lë një gjurmë pozitive. Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe ka shumë punë për të bërë për ta çuar edhe më lart emrin e saj.
Megjithatë, ti shërbesh Vllaznisë edhe si drejtues, është nder për ju, pasi e keni bërë këtë gjë për gati 20 vjet me radhë si sportist?
Ti shërbesh Vllaznisë është vërtet nder dhe unë jam i privilegjuar që ma kanë besuar një detyrë të tillë. Prandaj dhe premtoj se do të bëj më të mirën që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet në aspektin e punës sime.
Ndeshja e radhës, me Tiranën. Besoni te suksesi i Vllaznisë?
Unë në natyrë e kam të jem optimist dhe, pse jo, të mos fitojmë edhe ndaj Tiranës. Mbase emërimi im do shërbejë për ta nisur me këmbë të mbarë dhe me fitore në detyrën që më është besuar. Unë kam shumë besim se futbollistët shkodranë do të arrijnë ta fitojnë këtë ndeshje.