Presidenti Zeqo: Besoj te trajneri Levi, por të presim
Bosi i korçarëve thotë se është shpejt për të gjykuar një trajner që ka vetëm 48 orë në krye të ekipit, do tia lë kohës
Skënderbeu Kamza (nesër 18:00)
Kanë kaluar vetëm 48 orë që Stanislav Levi, trajneri i ri i Skënderbeut, është në krye të skuadrës dhe e them me bindje që edhe për trajnerin më të mirë në botë do të ishte shpejt për të thënë një gjykim të saktë për kaq orë që ndodhet në krye të ekipit. Levin ne e sollëm te Skënderbeu për të bërë ndryshimin dhe shpresoj që të marrim ndryshimin, por sigurisht që nuk mund ta marrim sa hap e mbyll sytë. Të presim dhe të shikojmë Skënderbeun në fushën e lojës, ndërkohë që unë besoj te ky trajner.
Besoj, sepse unë në fakt, te çdo trajner që ka qenë pjesë e Skënderbeut kam besuar, ashtu siç besova edhe te Duroja, por koha do ta tregojë qartë se çfarë do të mund të marrim nga ky trajner i ri. Këto kanë qenë fjalët e presidentit të Skënderbeut, Agim Zeqo, teksa bosi korçar është dukur optimist për këtë zgjedhje që ka bërë.
Provën e parë Stanislav Levi do ta ketë këtë të shtunën në Korçë, një ndeshje që në fakt duket e lehtë për korçarët, por që në këtë sezon të ri, këto ndeshje të ashtuquajtura të lehta, kanë dalë më të vështira. Në Korçë thonë që Skënderbeu edhe pa trajner të jetë, ndaj Kamzës do të fitojë, por të shohim Levin, ndoshta ndryshimet e para do të duken vetëm në fushën e lojës.
Zeqo për Kamzën Në lidhje me ndeshjen e së shtunës që skuadra e tij do të luajë ndaj Kamzës, presidenti Agim Zeqo do të pohonte: Fjalia e parë që dua të them për këtë ndeshje është ajo se ne duhet të kemi shumë kujdes nga ekipet e ashtuquajtura të dobëta. Një e tillë është edhe Kamza dhe jam i bindur që ekipe të tilla të mblidhen në portë dhe hajde tu shënosh gol.
Këtë përvojë e kemi edhe në javët e para të superligës, kur kujtojmë që Tomori në javën e parë na u mblodh i gjithi në portën e tij dhe një javë më vonë e provuam edhe në kryeqytet, ku Dinamoja po ashtu mendoi më shumë për mbrojtjen, pavarësisht se nuk luajtëm ashtu siç e prisnim. Me pak fjalë, ne duhet të gjejmë zgjidhjet tona, që të mposhtim edhe skuadra të këtij niveli, që kanë si synim vetëm të mbrohen.
Rivalët Për sa u përket rivalëve për titull, që për momentin ndodhen në krye dhe Skënderbeu ndodhet në vendin e 10-të, Zeqo do të shprehej: Ne nuk duhet të merremi aspak me ekipet e tjera dhe kjo do të ndodhë që në këtë moment dhe në vazhdim. As na duhet se çfarë do të bëjë Tirana, Vllaznia, Flamurtari, apo të tjerat.
Ne do të shikojmë vetëm punën tonë dhe vetëm kur të marrim kreun, do të mund të flasim edhe për to. Çelësi i Skënderbeut tani e në vazhdim do të jetë vlerësimi njësoj që do tu bëjmë të gjitha skuadrave dhe të gjitha ndeshjet do ti marrim një e nga një. Të mundim njëherë Kamzën dhe pastaj do të kemi kohë të flasim edhe për ndeshjen e radhës që do të kemi në Durrës. Kam shumë besim se me këtë rrugë që kemi nisur në këtë moment edhe me ardhjen e trajnerit të ri, do tia dalim.
Zv.trajneri prononcohet, gati gjoba e parë
Menjëherë sapo stafi i ri teknik ka marrë detyrën e re të drejtimit të Skënderbeut, është marrç edhe gjoba e parë. Nuk bëhet fjalë për trajnerin e ri të Skënderbeut, Stanislav Levi, por për ndihmësin e tij, Lorenc Hysi, i cili të mërkurën që sapo kaloi shkeli edhe rregulloren e vendosur nga ana e klubit. Vetë Hysi bëri publik lajmin të mërkurën në orët e pasdites se deri në përfundimin e ndeshjes ndaj Kamzës të gjithë lojtarët dhe stafi teknik do të heshtin për mediat, gjë që e pohoi edhe zyrtari i klubit, Ilirjan Përmeti.
Dhe në fakt, kjo ka ndodhur për disa media, ndërkohë që për media të tjera, Hysi ka dhënë intervistë, duke shkelur në këtë mënyrë edhe rregulloren e klubit kampion, çka parashikon gjobë. Të pyetur në lidhje me atë se sa do të jetë shifra e gjobës për Hysin, drejtuesit e klubit juglindor nuk kanë mundur ta bëjnë të ditur, ndërkohë që kjo shkelje e rregullores i është bërë e ditur edhe vetë ndihmësit të trajnerit çek Levi.
Nuk ka pushim, Levi edhe pas Kamzës në stërvitje
Asnjë ditë pushim për Skënderbeun, madje është planifikuar që edhe pas ndeshjes ndaj Kamzës, e cila do të luhet të shtunën në mbrëmje, që menjëherë një ditë më vonë, të dielën, skuadra të zhvillojë një seancë stërvitore, madje me ngarkesë të plotë. Mosnjohja me ekipin që ka trajneri Levi dhe ndihmësi i tij kanë bërë që të merret ky vendim, ndërkohë që kujtojmë se për herë të parë Skënderbeu do të zhvillojë një seancë stërvitore edhe ditën që do të luhet ndeshja.
Kjo do të ndodhë pikërisht nesër, ku në orët e paradites, skuadra nga grumbullimi do të zbresë përsëri në stadium, ku do të kryejë një seancë të shkurtër, për të qenë pasdite gati në orën 18:00 për ndeshjen e javës së 5-të. Kjo do të thotë që kampionët nuk do të marrin frymë, pasi çeku ka vendosur të ndryshojë gjithçka në klubin juglindor.
Shtrydhen korçarët, edhe ujin e pinë me leje
Aq shumë i ka shtrydhur në stërvitje lojtarët e tij trajneri i ri, aq sa edhe ujin të gjithë fubollistët e pinë me leje. Kjo ka ndodhur edhe dje në stërvitjen e pasdites, ku pas çdo ushtrimi me topin lojtarët kërrkonin të pinin ujë, por trajneri u kishte dhënë urdhër që vetëm në pushim të çdo ushtrimi do të ndodhë një gjë e tillë, madje edhe uji do të pihet në mënyrë të organizuar.
Kjo ka rënë në sy në seancën e djeshme, ndërkohë që në rrethimin e brendshëm të aneksit të stadiumit, atje ku skuadra ka zhvilluar edhe seancën e djeshme, nuk është lënë të hyjë asnjë, qoftë ky edhe gazetar, ndërkohë që heshtja ka mbizotëruar në të gjithë fushën, pasi lojtarët nuk kishin kohë të shkëmbenin fjalë me njëri-tjetrin. Ky është trajneri i ri i Skënderbeut, që edhe ujin e ka porositur të pihet me leje.
Dilema për formacionin, titullarë gati stolin
Me shumë gjasa, përveç ndryshimeve në stërvitjen e kampionëve, që janë ndryshime të mëdha, ditën e nesërme, kur do të luhet edhe ndeshja ndaj Kamzës, pritet që disa nga titullarët që në 4 javët e para kanë luajtur dhe e kishin të sigurt formacionin, ta fillojnë ndeshjen nga stoli.
Kjo është parë edhe dje në stërvitjen e Skënderbeut, teksa Levi në momentin që bënte taktikë me të tijtë në fushë, ka provuar disa ndryshime, ku hera-herës edhe titullarë që e mendonin të sigurt vendin në formacion, kanë qëndruar jashtë skemës në stërvitje. Përpara se të aludohet për emra futbollistësh, ajo se kush do ta nisë ndeshjen nga stoli, do të duket qartë nesër, në orën 18:00, orë kur do të startojë edhe ndeshja me Kamzën.
