E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi, sot për të hequr qafe një rival direkt

Nga AGIM META

Ballshiotët kërkojnë hakmarrje ndaj Kastriotit, pasi kujtojnë që vjet nuk janë pritur aspak mirë në Krujë

Bylis Kastrioti (sot 14:00)

Sot superliga shqiptare do të rinisë pas një pushim gati dyjavor. Ekipi i Bylisit do të vijë i plotë në sfidën e sotme ndaj Kastriotit, me mungesën e vetme brazilianin e mbrojtjes Genivaldo Souza. Bylis do të hyjë në fushë me qëllimin e vetëm fitoren dhe për këtë arsye ballshiotët kanë zhvilluar dy javë stërvitje intensive dhe trajneri Shensoj mësohet se ka studiuar me kujdes ekipin e Kastriotit, për të qenë sa më i përgatitur në këtë sfidë.

Bylisi këtë sezon pretendon të arrijë zonën europiane, ndaj ndeshja e stome ndaj Kastriotit do të jetë një sfidë që duhet kaluar për ballshiotët, në mënyrë që ata të tregojnë edhe një herë në këtë sezon se janë një ekip i ndryshuar dhe me pretendime serioze. Në sezonin e shkuar Bylisi do të fitonte 1-0 përballë Kastriotit në Adush Muça dhe në këtë sezon ata do të kërkojnë një fitore edhe më të thellë.

Por në mënyrë që të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv, ballshiotët duhet të arrijnë të jenë aktivë dhe të fortë në repartin e mbrojtjes, pasi Kastrioti ka një sulm mjaft aktiv dhe të rrezikshëm. Në repartin e mbrojtjes Bylisi ka jo pak lojtarë cilësorë dhe një prej tyre është 22-vjeçari Hektor Idrizi, i cili është rritur profesionalisht pranë ekipit të Bylisit. Idrizi beson se ekipi i tij do të arrijë një rezultat të kënaqshëm ndaj Kastriotit për sa kohë ata luajnë sipas udhëzimeve të trajnerit.

Ndaj Kastriotit pa dyshim që do të jetë një sfidë e vështirë dhe impenjative, por gjithsesi mendoj se ne do të dalim nga fusha me tripikëshin. Ne kemi bërë një përgatitje shumë intensive për këtë takim, ndaj mendoj se do të tregojmë në fushën e lojës një lojë të bukur dhe agresive. Në mbrojtje kemi ardhur në një fazë mjaft të lartë ndaj mendoj se ky repart te Bylisi tashmë është i kompletuar dhe gati për të treguar gjithë potencialin e tij. Në fushën e lojës ne duhet të kryejmë detyrën tonë dhe të mendojmë për lojën e ekipit, pasi grupi vjen përpara individit, shprehet Idrizi.

Klubi i Bylisit: Jemini ka qenë i shpallur non grata

Ne e kemi kontestuar që në fillim të edicionit Lorenc Jeminin, zyrtarisht në FSHF, ku kemi kërkuar që të mos e gjykojë asnjë ndeshje Bylisin, për shkak se na ka penalizuar pa të drejtë disa herë në të shkuarën. Është i vetmi gjyqtar, që e kemi kontestuar, ndërkohë që federata cakton pikërisht atë. Pse u ndërrua mbrëmë gjyqtari, që u caktua njëherë për ndeshjen Bylis-Kastrioti, i cili ishte Enea Jorgji, dhe u vendos Lorenc Jemini? FSHF-ja të na japë shpjegim përse e bëri këtë gjë?

Apo, mos vallë Kastrioti po luan në të dyja drejtimet, në fushë dhe jashtë saj, me gjyqtarët. Sepse jo më larg se javën e shkuar u akuzua publikisht nga Vllaznia një gjyqtar tjetër, që penalizoi shkodranët në ndeshjen me Kastriotin. Jemini është një gjyqtar i padëshirueshëm në Ballsh, kështu që caktimi i tij në këtë ndeshje vetëm sa provokon atmosferën dhe tifozët tanë, duke i hedhur kot benzinë zjarrit para një ndeshjeje që duhet të zgjidhet vetëm në fushën e lojës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›