Tirana e futbollit përllogaritet 5 miliardë lekë kapitale
Klubi i kryeqytetit, me 47 trofe në palmaresin e vet, vlerësohet për herë të parë financiarisht pas 91 vitesh që nga krijimi
Kthimi në sh.a, të mërkurën, në mbledhjen e këshillit bashkiak të kryeqytetit, duket se i ka hapur rrugë edhe privatizimit të Tiranës, skuadrës bardheblu, që numëron në palmaresin e vet 47 trofe, prej të cilëve 24 tituj kampionë, 14 Kupa të Shqipërisë dhe 9 Superkupa. Nga burime pranë Bashkisë së Tiranës merret vesh se është bërë tashmë një vlerësim total i KF Tiranës, sa u përket ambienteve sportive dhe aseteve të tjera plotësuese, të cilat arrijnë një vlerë totale prej 5 miliardë lekësh.
Deri në vitin 1992 në varësinë e ish-komitetit ekzekutiv, KF Tirana kaloi po atë vit në varësi dhe u bë pronë e bashkisë së kryeqytetit. Sikurse dihet, gjatë viteve të demokracisë, kur Tirana ka qenë në vijën e parë të futbollit kombëtar shqiptar, duke dominuar me trofetë e fituar, skuadra 24 herë kampione e vendit është mbështetur financiarisht nga disa donatorë, apo sponsorë, që sipas rastit janë pagëzuar në mënyra të ndryshme edhe si presidentë të klubit, të tillë si Metush Seferi, egjiptiani El Sajed, Lutfi Nuri, Agron Papuli, Shefikat Ngjela dhe Refik Halili.
Ky i fundit nuk i është ndarë për asnjë moment Tiranës, e ka financuar në bashkëpunim me të tjerët, por prej më shumë se dy vitesh ka gjithçka mbi shpatullat e tij. Gjithsesi, shndërrimi i KF Tiranës në shoqëri aksionare i nxjerr praktikisht dhe ligjërisht jashtë loje, pasi të gjithë kanë investuar si sponsorë vullnetarë, pa gëzuar asnjë aset në klubin bardheblu.
Nga ajo që tha kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, u la të nënkuptohet se mbajtja 100 përqind e aksioneve të klubit nga bashkia është një zgjidhje e momentit, pasi bordi drejtues i sh.a-së do të procedojë më tej, hap pas hapi, me afrimin e donatorëve të interesuar.
Çka do të thotë se aksionet do të nxirren në shitje, por se sa do të mbajë vetë Bashkia e Tiranës, sa do tu afrohen atyre që kanë shpenzuar te kjo skuadër në të shkuarën e largët apo të afërt, a do të afrohen donatorë të tjerë të rinj, janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Referuar vlerësimit të bërë nga bashkia për KF Tiranën, merret vesh se rreth 80% të vlerës e përbën stadiumi Selman Stermasi, bashkë me aneksin e tij.
Vetëm ky stadium, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 27.466 metra katrorë, ka si vlerë trualli në atë zonë rreth 120.000 lekë për metër katror. Pra, si impiant sportiv i bie të kapë në total shifrën e 3.3 miliardë lekëve. Po ky stadium ka të përfshirë edhe 7144 metra katrorë tokë, që përbëjnë fushat e kompleksit, sipërfaqe kjo e vlerësuar me rreth 860 milionë lekë.
Stadiumit Selman Stermasi i shtohet edhe godina e tribunës, e zyrave, shkallët e muret rrethuese, duke e mbyllur këtë aset në total me një vlerë prej 4.2 miliardë lekësh. Një tjetër aset i rëndësishëm i Tiranës është kompleksi Skënder Halili. Ky kompleks ka një sipërfaqe prej 7208 metra katrorë.
Trualli i kësaj zone, në bazë të ligjit, vlerësohet me 9000 lekë për metër katror, që do të thotë se në total kompleksi Skënder Halili, përfshirë këtu fushat stërvitore dhe ndërtesën dytkatëshe, vlerësohet me rreth 500 milionë lekë.
Në pronësinë e klubit të futbollit Tirana janë edhe dy fusha në zonën e Kombinatit, me një sipërfaqe 14.394 m2. Këto sipërfaqe janë vlerësuar me rreth 300 milionë lekë. Pra, gjithsej vlera totale e skuadrës së Tiranës, 24 herë kampione e Shqipërisë, arrin shifrën e 5 miliardë lekëve.
Mbetet të vlerësohet edhe stema dhe emri i këtij klubi, i cili ka hyrë në një fazë të re të funksionimit të tij, si sh.a, e regjistruar si e tillë edhe në QKR tashmë, por mbetet të sqarohet mënyra se si do të administrohen dhe shpërndahen aksionet. Për momentin është bërë regjistrimi në QKR dhe kthimi i klubit në sh.a., duke përmbushur kështu një kërkesë të UEFA-s dhe FSHF-së.
