Lutaj i qetë, sheh një Flamurtar tejet të motivuar
Keni për të parë një ekip plot grintë dhe luftarak. Kjo më mbush me optimizëm jo vetëm për ndeshjen ndaj Pogradecit, por edhe më shumë
Flamurtari Pogradeci (nesër 14:00)
Në situatën që është krijuar në kampin vlonjat, stafi teknik dhe drejtues të ekipit janë të vetmit të cilët mund të prononcohen në prag të ndeshjes me Pogradecin. Nuk dua të keqkuptohemi, por kështu e kemi vendosur, ndaj futbollistët të mendojmë veç për ndeshjen. Për sa i përket përballjes me Pogradecin, mendoj se është një takim shumë i rëndësishëm për Flamurtarin dhe ecurinë e mëtejshme të ekipit gjatë këtij sezoni.
Është një takim ku hapat falsë janë të ndaluar, megjithatë, në syrin tim shoh që gjendja në ekip është mjaft pozitive. Kjo më mbush me besim se ndaj Pogradecit do të dimë të dalim fitues në fund të 90 minutave. E kemi menduar si një takim shumë të rëndësishëm, ashtu siç theksova më lart, dhe nuk më intereson aspak gjendja apo objektivi që ka kundërshtari.
Ata bëjnë llogaritë e tyre, ne tonat, ndaj mendoj se takimi fitohet në fushën e lojës dhe për këtë duhet të tregohemi të matur të kujdesshëm dhe të mos i lëmë hapësira kundërshtarit. Nëse luajmë lojën tonë, të jeni të sigurt se në fushën e lojës do të shihni një Flamurtar mjaft këmbëngulës dhe pa dyshim luftarak, që do të dijë të kënaqë me lojë dhe rezultat, thekson numri një i stolit vlonjat.
Formacioni Ndryshime në formacion? Ende nuk kam vendosur për këtë gjë, kemi edhe një ditë tjetër në stërvitje dhe për formacionin titullar do të vendosim sërish, ndoshta edhe në prag të takimit, duke parë gjendjen e çdo futbollisti në veçanti. Por siç edhe theksova më lart, klima në ekip është pozitive dhe kjo tregon se ndeshja përballë Pogradecit është vlerësuar maksimalisht edhe nga futbollistët, te të cilët kam parë impenjim maksimal edhe gjatë procesit stërvitor.
Edhe gjatë ndeshjes së kontrollit, që zhvilluam një ditë më parë, pashë në fushë ato gjëra që dëshiroja nga futbollistët. Kështu tani kryesorja është të mendojmë për ndeshjen e së shtunës, ta kalojmë me sukses këtë të fundit dhe pas saj gjithçka mund të jetë më ndryshe. Gjithsesi, të gjithë besojmë se kemi ekipin e duhur për të marrë fitoren e radhës në kampionat dhe fakti që luajmë në shtëpi, na motivon më shumë, pasi përballë sportdashësve tanë nuk mund të gabojmë, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.
Vendoset heshtja për shtyp për lojtarët vlonjatë
Flamurtari vendos heshtje për mediat për futbollistët deri pas ndeshjes me Pogradecin. Është ky vendimi i marrë nga klubi vlonjat në prag të takimit që do të luhet ditën e shtunë, ku vetë trajneri Lutaj ka konfirmuar se, duke u konsultuar edhe me pjesën tjetër të stafit teknik dhe drejtues të ekipit, ka vendosur që futbollistët të mos pronocohen në media në prag të takimit me Pogradecin.
Gjatë gjithë javës është folur shumë për këtë takim, si momenti ku ekipi vlonjat duhet të shkojë te fitorja pas humbjes së fundit të regjistruar në kampionat ndaj Tiranës. Duke kërkuar dhe argumentuar vendimin e marrë, trajneri dhe stafi teknik kanë bërë me dije se diçka e tillë kryhet vetëm për të lënë ekipin në qetësi të plotë dhe për të menduar për ndeshjen.
Trajneri i ekipit vlonjat ka saktësuar se kërkon që asnjë prej futbollistëve të mos shpërqendrohet me deklarata në media, por vetëm të mendojë për takimin e të shtunës. Ndaj deri pas ndeshjes me Pogradecin, futbollistët e Flamurtarit do të jenë në heshtje për mediat e shkruar dhe vizive, të paktën sipas vendimit të fundit. Ekipi i Flamurtarit aplikon pikërisht për herë të parë diçka të tillë pas vetëm katër javëve kampionat, aty ku pas dy fitoreve dhe dy humbjeve, në Vlorë kërkojnë në ndeshjen e pestë të sezonit vetëm fitoren.
Rotacion vetëm në portë, Spaho për Moçkën
Ndryshime në formacionin e Flamurtarit. Ende nuk është konfirmuar, por duket se lushnjari Spaho mund të jetë titullar në portë gjatë ndeshjes me Pogradecin. Në mbrojtje u besohet sërish lojtarëve si Sakaj, Veliu, Rajoviç dhe Abraham. Ndryshime nuk pritet të ketë as në mesfushë, me aktivizimin e Kuqit, Prognit, Arbrit dhe Lenës, ndërsa sulmi starton me Hysën dhe Brkiçin. Të paktën ky duket se do të jetë formacioni titullar i Flamurtarit për ndeshjen me Pogradecin. Në këtë ndeshje, trajneri Lutaj nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin Halim Begaj, i cili nuk u riaftësua pas dëmtimit të pësuar në stërvitje.
