Banka Botërore: Është momenti për një zgjidhje të vërtetë të problemit të pronësisë
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore znj. Jane Armitage, ka mbajtur një konferencë për shtyp në mbyllje të vizitës së saj në Shqipëri. Ajo mori pjesë në një seminar për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri. Por në konferencën e saj ajo theksoi problemin kryesor në qendër të vizitës së saj: çështjen e pronësisë. Ajo i parapriu një raporti që do publikojë Banka Botërore për çështjen e pronësisë në Shqipëri. Armitage ka thënë se problemi i pronësisë është kompleks dhe zgjidhja e vështirë. Por ajo shtoi se duhet gjetur një zgjidhje për shkak se ky problem po dëmton shumë rritjen ekonomike, po mban peng integrimin e vendit dhe po vështirëson jetën e shqiptarëve.
Pak ditë më parë, ishte Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Kseniya Lvovsky, që kërkoi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës në mënyrë të drejtë.
Bregdeti i Ksamilit, një qytezë e vogël në jug të Sarandës është një nga vendet më të bukura në botë. Një plazh me rërë të artë shkrihet me detin jashtëzakonisht blu, rrethuar nga ishuj të vegjël e të mrekullueshëm. Një vend ku çdokush do të dëshironte të kthehej gjithmonë. Vetëm pak blloqe më tej, dhe bukuria e përrallave zëvendësohet nga një peizazh urban aq demoralizues dhe kaotik sa dëshira për tu rikthyer zhduket, sikurse po zhduket dhe potenciali i atij vendi për tu kthyer në një perlë turistike.
Ky është vetëm një nga shembujt e mundësive të humbura që ta copëtojnë zemrën. Ka shumë të tillë nëpër Shqipëri, të cilët kanë një emërues të përbashkët: probleme të vazhdueshme me pronësinë, transferimin, përdorimin dhe menaxhimin e tokës, shkruante ajo.