Ndalohen të rinjtë, dyshohen për disa vjedhje makinash në kryeqytet
Tiranë – Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera kryen ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndalimin e shtetasve; Besart Brahaj, 22 - vjeç, lindur në Fushë - Arrëz dhe banues në Fushë – Krujë, Admir Zogu, 24 - vjeç, lindur dhe banues në Larushë Fushë – Krujë dhe Daniel Isaku, 22 - vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Fushë - Krujë. Ndalimi i tyre u krye sepse në bashkëpunim me njëri - tjetrin dyshohet se dy ditë më parë, në afërsi të bar - restorant “Pjaca”, kanë vjedhur një kasetofon dhe një xhup në automjetin me targa TR 5503 K, në pronësi të një shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Pranga tre të miturve, tmerr i plazhistëve dhe shtëpive në Tiranë
Tiranë - Tre të mitur janë vënë në prangat e policisë pasi dyshohen për disa vjedhje në Durrës dhe në Tiranë. Burime policore thanë se G.I., 14 – vjeç, E.B., 16 - vjeç dhe M.C., 11 – vjeç dyshohet se kanë vjedhur në zonën e plazhit si dhe një shtëpi në kryeqytet. G.I., i cili dyshohet se ka realizuar dy ditë më parë vjedhjen e banesës së një shtetaseje në Malin e Robit, u ndalua nga policia e Kavajës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një kompjuter dhe sasia parave të vjedhura prej tij. Po ashtu uniformat blu të Kavajës arrestuan në flagrancë E.B., banues në Kavajë. Arrestimi i tij u krye sepse dje dyshohet se në kompleksin “XIXA” në Golem, ka vjedhur një aparat celular tip “Samsung”. Ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, mundësuan identifikimin e vjedhjes së banesës së një shtetasit, e ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Ferit Xhajko”, ku janë vjedhur 903 euro, 14 700 lekë dhe një telefon celular. Nga puna hetimore e kryer rezultoi se autor i kësaj vjedhje është shtetasi M.C., 11 - vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, i cili në prezencë të familjarëve të tij, pranoi autorësinë dhe shpjegoi mekanizmin e vjedhjes së kësaj banese. Për të tre shtetasit u kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Tenton vetëvarjen 79 vjeçari
Kolonjë - Në rrethana ende të panjohura një 79-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës, duke u vetëvarur pranë banesës së tij. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se ngjarja ndodhi në fshatin Qinam të rrethit të Kolonjës. “Shtetasi 79-vjeçar, Haxhi Dilo ka mbërritur në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Ersekës dhe aktualisht është nën trajtimin intensiv të mjekëve”- thanë burimet policore. Sipas informacioneve të policisë, Dilo kishte tentuar të vetëvarej në ambientet e plevicës së shtëpisë së tij, në një gjendje dëshpërimi dhe depresioni. Mësohet se ai ka dashur t’i japë fund jetës, por ende nuk janë sqaruar shkaqet që e kanë shtyrë të ndërmerrte këtë akt ekstrem. Por në momentet që po kryente aktin është ndërhyrë nga pjesëtarët e familjes, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe më pas e kanë nisur në drejtim të spitalit ku dhe po kurohet nga bluzat e bardha në një gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve nga spitali, mësohet se gjendja e tij është e rëndë, ndërkohë policia është duke hetuar për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
22 Korrik 2008