Roja i sigurisë së diskos ndalon policin të kryej detyrën
Luan Kondi
DURRËS – Ka penguar uniformat blu të ushtrojnë kontroll në ambientet e një diskoje të njohur në Durrës, ndaj Prokuroria ka nisur procedimin penal në liri të 30-vjeçarit E. Kurti. Ky është precedent që nxjerr në pah edhe njëherë nevojën e zbatimit të ligjit nga rojet private, i cili sqaron se punonjësi i policisë nuk duhet penguar në të drejtën e tij për ushtrimin e detyrës funksionale. Organet e hetimit janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes e cila për pak sa nuk është kthyer në një konflikt fizik mes policit dhe punonjësit privat të diskos.
Konflikti
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, ndërsa një punonjës policie, specialist i hetimit në zonën ku ndodhet diskoja, ka dashur të hyjë në ambientet e saj për të përmbushur detyrën. Agjenti është paraqitur në hyrjen e diskos, madje duke u prezantuar, por roja i sigurisë nuk ka dashur t’ia dijë për të, dhe pa drojë ka refuzuar të bisedojë me të. Me dokumentin në dorë polici ka kërkuar edhe një herë nga punonjësi i sigurisë së diskos se ai duhet të hynte në ambientet e saj për të ushtruar detyrën funksionale, megjithatë ai ka marrë po përgjigje negative nga “i forti” privat. Ndërsa qindra të rinj shijonin muzikën ritmike dhe kërcenin me pasion atë, jashtë një punonjës i policisë nuk lejohej të hynte brenda për të verifikuar informacionin se mes tyre ndodhej edhe një person në kërkim. Specialisti i zonës pas marrjes së informacionit në rrugë operative se një person i kërkuar ndodhej në disko, pak para se të njoftonte kolegët e tij, kërkoi nga roja i sigurisë leje për të hyrë në ambiente që të verifikonte atë. Pas debateve, punonjësi i policisë është detyruar të tërhiqet, pasi situata rrezikonte të kthehej në një konflikt me rojën e pabindur privat. Menjëherë pas mosdakordit të punonjësit të sigurisë polici është detyruar të njoftojë kolegët eprorët e tij për situatën e krijuar. Drejtuesit e policisë së qytetit bregdetar kanë nisur në vendin e ngjarjes grupin e gatshëm i cili ka shoqëruar për në ambientet be komisariatit të Durrësit 30-vjeçarin Kurti.
Procedimi
Në komunikatën për media të policisë thuhet se “më datë 20.07.2008 filloi procedimi penal në gjendje te lirë ndaj shtetasit Elidon Kurti, 30-vjeç, lindur në Burrel e banues në Tirane, me arsim të lartë, i padënuar më parë. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se më 19 korrik 2008, rreth orës 23:30, duke qenë i punësuar si roje sigurie në një disko të njohur në lagjen Nr. 13 Durrës, nuk ka lejuar një nga specialistët e Policisë së zonës të kryejë detyrën dhe nuk i është bindur urdhrit të tij”. Sipas policisë dje janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “të mosbindjes ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit.
22 Korrik 2008