E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Butrinti” çon në pranga një grup kriminal për trafik klandestinësh



TIRANË - Një grup i strukturuar kriminal është goditur gjatë paradites së djeshme nga një operacion i përbashkët i Antikrimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Fierit. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Albania”, se operacioni “Butrinti” u finalizua me arrestimin e 5 shtetasve. Të njëjtat burime konfirmuan se janë arrestuar; Resul Çela 42 vjeç nga Lushnja, B.P. 38 vjeç nga Saranda, Pëllumb Guri, 35 vjeç nga Lushnja, Irfan Dalipaj 47 vjeç nga Tirana dhe Nino Tushe 38 vjeç nga Gjirokastra. Gjykata e Krimeve të Rënda, më 20 korrik 2008, për katër nga shtetasit e mësipërm ka caktuar masën e sigurisë, “arrest me burg” për veprat penale, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” si grup i strukturuar kriminal, ndërkohë që për Pëllumb Gurin është caktuar masa “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore. Ky grup, i cili trafikonte klandestinë nëpërmjet tokës dhe detit, nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në shtete të tjera të Europës operonte i shtrirë në linjat: Tiranë –Elbasan - Korçë, Tiranë – Fier - Gjirokastër dhe Tiranë – Fier -Vlorë - Sarandë. Nga ky trafik, pjesëtarët e grupit detyronin çdo person të trafikuar të paguante shumën prej 3000 eurosh. Në momentin e arrestimit 5 të dyshuarve, u janë sekuestruar 3 automjete me të cilët bëhej transporti i klandestinëve, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik. Gjatë fundjavës së kaluar, Policia e Shtetit organizoi operacionin “Korridori i lirë”, i cili përfundoi me arrestimin e 14 personave. Njëri prej tyre ishte prift në Karavasta të Lushnjes, ndërsa tre të tjerë punonjës policie në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›