E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediokriteti i ndryshimeve në qeveri



Nga Armando Meta

Mazhoranca qeverisëse, e cila nuk mund të quhet as e djathtë dhe as e majtë, por thjeshtë është një magazinë subjektesh politike, gjendet në kuotat e saj më të ulëta sa i përket perceptimit në opinionin publik. Zërat për keqqeverisje të vendit, e cila çdo ditë e më shumë po rrit koston e jetesës së qytetarëve shqiptarë, nuk vinë vetëm nga kampi i opozitës, por edhe nga vetë brenda mazhorancës. Figura mjaft të njohura brenda PD-së, gjithnjë e më qartë, kanë filluar të artikulojnë nevojën për ndryshime dhe përmirësime në cilësinë e qeverisjes. Ka madje deputetë të PD-së të cilët kanë shënjestruar gishtin në drejtim të ministrave të veçantë, duke kërkuar largimin e tyre nga qeveria. Ata kanë paralajmëruar se nëse ecet më tej me këtë kabinet qeveritarë, atëherë PD-ja rrezikon të humbasë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Është e kuptueshme se shenjat e para të krizës qeverisjes shfaqen në atë moment kur kërkesat për ndryshime në qeveri vinë nga brenda partisë më të madhe qeverisëse. Për opinionin qytetarë gjithnjë e më qartë ka dal në pah fakti se prej afro 3 vitesh vendi qeveriset në mënyrë shumë arrogante, cinike dhe me një stil qeverisje në nivele mediokre. Shumë prej ministrave janë thjeshtë papagallë të kryeministrit, duke e imituar atë në gjeste dhe fraza. Disa ministra të tjerë mendojnë lloj- lloj marifetesh sesi t’ua bëjnë më të vështirë jetesën biznesit, disa të tjerë “as nuk e vënë ujin në zjarr” për një seri problemesh mjaft të mprehta që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, eliminimin e krizave energjetike dhe ekonomike, eliminimin e monopoleve që po i marrin shpirtin konkurrencës, e plot e plot probleme të tjera, të cilat e bëjnë këtë vend gjithnjë e më të pabanueshëm. Por a janë ministrat të vetmit fajtorë për situatën e krijuar? Në pjesën më të madhe po. Por jo pa faj është edhe kreu i qeverisë, i cili duket se prej kohësh përjeton brenda vetes një sukses imagjinar të bumit ekonomik që, sipas tij, po ndodh në Shqipëri. Argumentet që shumë prej ministrave nuk kanë shënuar ndonjë arritje në fushat që ata drejtojnë i jep vetë kryeministri Berisha. Ky i fundit gjatë turit që po zhvillon në Shqipëri duke inaguruar 1.2 km rrugë aty, një kanal vaditës atje dhe ndonjë objekt tjetër social- kulturor, rrallë ka marrë në krah të tij ndonjë ministër. Natyrisht që kryeministri e ka konsideruar turrin e tij si një investim personal për rimëkëmbjen e imazhit të tij dhe të qeverisë që ai drejton pas tragjedisë së Gërdecit. Fakti që Shqipëria mori ftesën për në NATO, nuk arrin dot të mbulojë një seri gropash të zeza me karakter social, të cilat janë hapur në të katër anët e vendit. Nga ana tjetër, po të vihet re me kujdes edhe buxheti suplementarë që pritet të miratohet në Kuvend, nuk merr në vlerësim problemet sociale me të cilat po përballen qytetarët, por më së shumti shkon për rrugën Durrës- Kukës. Pavarësisht rëndësisë që ka rruga në fjalë, është luks i tepërt që thuajse pjesa e luanit të parave të taksapaguesve shqiptarë të shkojë për këtë rrugë, ndërkohë që kushtet e jetesës në vend sa vinë dhe bëhen me të këqija. Ende pas tre vitesh nuk kemi ndërtesa për të pastrehët, nuk kemi një mbrojtje serioze sociale për shtresat në nevojë, nuk kemi një ndihmë për familjet e reja, të cilat përballen me një seri vështirësish për rritjen e fëmijëve, nuk kemi një sistem shëndetësor normal modern që mund t’u japë ndihmën e nevojshme të gjitha shtresave, nuk kemi pensione, të cilat do të mund të siguronin një jetesë dinjitoze të moshës së tretë, etj., etj. Është e qartë se ky vend përballet me një seri problemesh mjaft të vështira dhe që nuk mund të zgjidhen të gjitha brenda një mandati qeverisës. Por kur shikon se cilat janë përparësitë e qeveris “Berisha” në letër me ato të zbatuara në praktikë, kupton sesa larg objektivave të saj është kjo qeveri. Në kohën që ka mjaft vështirësi për të rregulluar sadopak jetën e qytetarëve, konstaton se ky vend, për një kategori zyrtarësh të lartë është një parajsë pasurimi. Natyrisht që nuk jemi aq naiv sa të besojmë deklamimet televizive të drejtuesve më të lartë të qeverisë për luftën kundër korrupsionit. Kur shikojmë se çfarë ndodh në jetën reale, ku për çdo gjë duhet të paguash dhe sesi një pjesë e madhe zyrtarësh e kanë rrethuar veten me një luks cinik për varfërinë e këtij vendi, arrimë të kuptojmë sesa larg realitetit është e ashtuquajtura betejë kundër korrupsionit. Nisur nga kjo, bëhet e qartë se keqqeverisja nuk është problem thjeshtë i një ministri apo i disa ministrave. Problemet me qeverisjen kanë të bëjnë me mënyrën sesi po qeveriset. Duke parë nivelin thuajse mediokër të kabinetit qeveritarë, bëhet lehtësisht e kuptueshme se nuk mund të presim e të shpresojmë më shumë nga kjo qeveri. Ndryshimet në kabinetin qeveritarë janë thjeshtë truke, të cilat ushqejnë fantazinë e qytetarëve, deri diku, por që nuk ndryshojnë aspak thelbin e problemit që ka ky vend prej më shumë se një dekade: qeverisjen e papërgjegjshme.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›