Dobjani i dorëzon detyrën Podës
Fatos Mahmutaj
Përfundon mandatin Avokati i Popullit Ermir Dobjani. Në ditën e fundit të mandatit, ai caktoi zëvendësues komisionerin më të vjetër të institucionit, Riza Poda. Gjatë paradites së djeshme Dobjani është paraqitur në zyrën e tij, në të cilën ka qëndruar plot 10 vjet. Pasi është përshëndetur me stafin, u ka komunikuar atyre se ligjërisht mandati i tij i dytë në këtë detyrë ka përfunduar. Pas kësaj Dobjani u ka komunikuar ish-vartësve se detyra, sipas ligjit i lihej komisionerit më të vjetër në detyrë, i cili sipas ish-Avokatit të Popullit është Riza Poda. Kjo ka sjellë reagimin e komisioneres Florina Nuni, e cila ka pretenduar se ishte pikërisht kjo komisionerja më e vjetër në detyrë, dhe se duhej që drejtimi i institucionit t’i lihej asaj. Por edhe pas debatit me fjalë nuk është zgjidhur asgjë, pasi Podës i është dorëzuar posti i kreut të përkohshëm të Avokatit të Popullit. Pas kësaj Dobjani është larguar, nga institucioni, pasi, nëse fillon një mandat të tretë, i duhet të marrë votat e të paktën 84 deputetëve të Kuvendit. Dje në mbyllje të mandatit të tij, Dobjani është pritur në një takim nga kryeministri Berisha. Dy ditë më parë, vetë Dobjani pohoi se do e kërkonte një mandat të tretë në këtë detyrë. Sipas tij ligjet shqiptare nuk e pengonin një gjë të tillë e për pasojë ai do të niste mbledhjen e firmave të 28 deputetëve, të cilët do të bënin propozimin e tij si kandidat. Dobjani pohoi se fillimisht do të kërkonte aprovimin e të dy krahëve të politikës, maxhorancës dhe opozitës dhe vetëm nëse do të merrte aprovimin prej të dy palëve do vendoste të kandidonte për një mandat të tretë në detyrë. Ai tha se do kërkonte mbështetje nga të dy anët e politikës, dhe nëse nuk do arrinte ta siguronte këtë mbështetje atëherë ai do hiqte dorë nga kandidimi për të vazhduar mandatin e tretë në krye të institucionit. Dobjani ndodhet në krye të institucionit të Avokatit të Popullit që nga 16 shkurti i vitit 2000. Pasi mbaroi mandatin e parë pesëvjeçar, në shkurt të vitit 2005, Dobjani u rizgjodh sërish nga Parlamenti në këtë detyrë, më 17 shkurt 2005, ndërsa tashmë votimi i tij ka mbetur peng i bojkotit të Kuvendit nga opozita e majtë. Që nga dita e djeshme postin e Dobjanit ka nisur ta mbajë komisionari Poda, i cili do e ushtrojë detyrën “i komanduar”, në këtë mënyrë, derisa Kuvendi të zgjedhë Avokatin e ri të Popullit. Dobjani u zgjodh në krye të institucionit të Avokatit të Popullit në vitin 2000 pas një karriere të gjatë në sistemin e Drejtësisë. Që nga viti 1976 kur është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe deri në vitin 11992 Dobjani ka mbajtur mjaft detyra nëpër institucione të ndryshme të ligjit si dhe në fushën e mësimdhënies. Referuar biografisë së tij të publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, Dobjani mban gradën “Doktor i Shkencave Juridike”, ndërsa është autor i mjaft botimeve, si dhe ka marrë mjaft kurse kualifikimi.