E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistët fotografojnë mbeturinat dhe makinat për skrap

Vëzhgim në Shkodër Rrugë të papastruara, qytetarë që hedhin mbeturina nga dritaret e automjeteve, përgjegjës që “s’e vënë ujin në zjarr”

Prej më shumë se 10 vitesh, disa segmente të rrugës nacionale Shkodër-Hani i Hotit janë kthyer në vendgrumbullimi mbeturinash. Situata nuk duket aspak normale kur në këtë aks futen turistë nga vende të ndryshme të Europës. Kontakti i parë me vendin tonë janë mbeturinat dhe mbetjet inerte. Pak kohë më parë, Kryeministri i Shqipërisë, në një mbledhje të radhës të qeverisë, u shpreh se akset rrugore dhe zonat bregdetare duhet të pastrohen në mënyrë urgjente. Por, pavarësisht këtij urdhri verbal, dhënë një javë më parë nga Kryeministri, situata lë shumë për të dëshiruar. Jo vetëm që mbeturinat nuk janë hequr nga rruga, por ato sa vijnë dhe shtohen. Sapo hyn në Han të Hotit dhe deri në qytetin e Shkodrës, në të dyja anët e rrugës gjen mbeturina dhe makina të prishura që shiten për skrap apo për pjesë. Një ndotje të madhe, përveç papërgjegjshmërisë së banorëve, krijojnë dhe kalimtarë të cilët hedhin nga makinat dhe autobusët mbeturina të ndryshme. Pavarësisht se kush e krijon ndotjen, ajo që bie në sy është indiferenca e gjithë strukturave. Të pyetur në lidhje me situatën, drejtues të njësive vendore heshtin, duke të lënë të kuptosh se më shumë se askush tjetër, faji është i tyre që nuk e pastrojnë rrugën dhe nuk marrin masa administrative për persona që kanë probleme me qytetarinë. Jo pak herë shikon turistë të huaj që fiksojnë në aparatet e tyre pamje të mbeturinave dhe siç duket këto foto do u shërbejnë për të kujtuar Shqipërinë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›