E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësia, Solis: Konkurrenca në privat do të sjellë zhvillim

Ish-ministri i Shëndetësisë deklaron se qendrat jopublike duhet të jenë transparente për kostot

Shëndetësia shqiptare nuk do të zhvillohet vetëm për shkak të reformave në shëndetësi, politikave apo gjithçka tjetër që përfshin projekte ambicioze në fushën e zhvillimit dhe profesionalizmit. Ai që do të bëjë që shëndetësia të ecë, madje të hedhë shumë hapa përpara, është edhe sistemi privat, komplementar në politikat shëndetësore, rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe ofrimin e kujdesit ndaj pacientit. Atë që sot nuk e bën dot sistemi publik, po e ofron sistemi privat, sigurisht jo për 100 për qind të popullsisë, por të paktën për 60 për qind të saj. Dje në inaugurimin e spitalit të ri në periferi të Tiranës, ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, deklaroi se spitalet private mund të krahasohen me vrapuesit dhe sistemi shëndetësor me një garë vrapimi, në të cilën edhe pse fituesi mund të jetë një, ata që e ndjekin mundohen ta arrijnë dhe të rrisin më tepër cilësinë për të qenë të parët. Kjo konkurrencë, por nga ana tjetër edhe ambicia për të rritur kapacitetet profesionale në radhët e mjekëve dhe specialistëve, do të jetë në dobi të pacientit. Por një tjetër pikë për të cilën qendrat private duhet të bëjnë kujdes, është transparenca e kostove, në mënyrë që pacienti ta dijë se sa do t’i kushtojë dhe vlera të mos rritet në mënyrë të zhdrejtë me ditën e qëndrimit në spital. Spitali i ri i inauguruar dje është i pari i cili ka futur një gamë pajisjesh moderne, fjalën e fundit të shkencës, në mënyrë të veçantë aparaturën e akseleratorit linear, një formë “kobaltoterapie” me laser, e cila përdoret në të gjitha spitalet me traditë në Perëndim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›