E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta ndaj duhanit

OBSH-ja do të celebrojë të hënën ditën pa duhan, një apel për gratë duhanpirëse në botë, numri i të cilave po shtohet gjithmonë e më shumë në mënyrë të frikshme Rritet numri i grave duhanpirëse, por tani është më e lehtë të heqësh dorë

Mund të jetë zakon, ves, varësi apo diçka tjetër, pak rëndësi ka. Thjesht fakti se është rritur shumë numri i grave duhanpirëse në botë të bën të reflektosh. Nga 50 miliardë cigare që tymosen në ditë në një vend europian, rreth gjysma e tyre konsumohet nga femrat. Dy vitet e fundit, numri i femrave duhanpirëse është rritur me rreth 2 për qind nga 19.7 për qind në 2010-n kundrejt 17.8 për qind në 2008-n. Po thellohet gjithmonë e më shumë ndarja mes dy sekseve që pinë duhan në favor të seksit të dobët. Një tjetër alarm vjen nga vendet në zhvillim, ku po rritet ndjeshëm numri i vajzave që tymosin. Në botë gratë përfaqësojnë 20 për qind të atij 1 miliard e 2 milionë duhanpirës. OBSH-ja, për ditën botërore pa duhan në 2010-n, të hënën më 31 maj synon të zhvillojë një fushatë tërësisht femërore me “Gender and tobacco with an emphasis on marketing to women”. “Kjo ndodh sepse në shumë vende kompanitë e prodhimit të cigareve ‘mbërthejnë’ me strategjitë e tyre të marketingut gratë, që falë emancipimit dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike kanë nisur të pinë duhan ashtu siç bënin burrat 50 vjet më parë”, tregojnë ekspertët. Në shumë vende të botës numri i grave duhanpirëse rritet nga një vit në tjetrin me ritme të shpejta, pavarësisht fushatave parandaluese dhe reklamave për dëmet e pafundme që ai ‘ofron’ në organizëm. Po ashtu shumë vende e ndalojnë pirjen e duhanit te të rinjtë nën moshën 18 vjeç, grave shtatzëna, në shkolla, spitale, universitete. Por problemi është se nëse për ta nisur është shumë e lehtë, për të hequr dorë prej tij bëhet shumë e vështirë. “Kush është me të vërtetë i motivuar ia del mbanë. Heqja dorë lidhet me frikën e sëmundjeve”, shpjegojnë mjekët. Por a arrin të heqë dorë ai që ua beson veten specialistëve? “Sot flasim për trajtime të njohura shkencërisht, të certifikuara për të kuruar varësinë ndaj nikotinës”, vazhdojnë më tej ata. Shumë pak u drejtohen këtyre qendrave, të bindur se mund t’ia dalin vetë mbanë. Trajtimet që sigurojnë një lloj përqindjeje suksesi janë katër. Aty përfshihen: konsultimit në grup, që zgjasin dy muaj, konsultimi individual, terapitë me nikotinë (cerota, çamçakëzë, spraj për hundët), një lloj terapie zëvendësuese për të kuruar simptomat nga varësia ndaj nikotinës. E fundit është edhe terapia me bazë ilaçesh, gjithmonë sipas këshillave të mjekut: ajo që ka rëndësi është edhe trajtimi i integruar, mbështetje psikologjike dhe ilaçe apo përbërës me nikotinë, të cilët duhet të shoqërohen me masazhe çlodhëse, agopunturë, apo auricoloterapi”. Po ashtu atyre që vendosin të lënë duhanin mjekët u këshillojnë të pinë shumë ujë mes vakteve për të eliminuar sasinë e nikotinës së depozituar në organizëm. Por cilat janë motivimet për të hequr dorë? Sepse shkakton dëme serioze në 40 për qind të njerëzve që pinë duhan, motivimet shëndetësore në përgjithësi zënë vendin e 38.5 për qind, për lindjen e fëmijës 7.3 për qind dhe vetëm 0.4 për qind për të mos u bërë skllav i këtij vesi të dëmshëm. Por gjithsesi duhet edhe një vullnet i fortë. Ndërsa për sa i përket biznesit të medikamenteve që ndihmojnë në lënien e duhanit, fitimet janë kolosale. Madje këto vitet e fundit ato janë rritur ndjeshëm. Sipas statistikave, në shtatë vende të botës (SHBA, Japoni, Gjermani, Britani, Francë, Spanjë, dhe Itali) fitimet nga biznesi i produkteve që ndihmojnë në lënien e duhanit ka arritur shifrën e 231 milionë dollarëve dhe mendohet që në vitin 2016, ato do të arrijnë në 4.6 miliardë dollarë. Shifra të konsiderueshme. Por si ta bëjmë që t’i themi lamtumirë duhanit? Për ta kuptuar këtë duhet më parë të kuptojmë nëse jemi totalisht të varur ndaj nikotinës. Të pish duhan sapo zgjohesh nga gjumi apo të ndezësh një cigare në çdo gjysmë ore, është alarmi i rrezikut. Vetëm një në pesë duhanpirës mund ta kenë të lehtë ta lënë duhanin, pasi katër në pesë e kanë shumë të vështirë të marrin nga medikamentet alternative atë çfarë marrin nga duhani. Pra vesi bëhet gjithmonë e më shumë një varësi fizike e parezistueshme. Por gjithsesi edhe përdorimi i medikamenteve alternative nuk është fort i këshillueshëm, pasi shumica e këtyre farmaceutikëve kanë efekte dytësore, si tharje të syve, të gojës ose pagjumësi. Por, megjithatë, përdorimi i tyre deri sa të heqësh dorë përfundimisht nga duhanpirja, sigurisht që është më i shëndetshëm, edhe pse ato nuk të japin kënaqësinë e një cigareje që e mban në dorë me gjithë qejf përpara një filxhani kafeje. Mjafton të mendosh për kancerin e mushkërive që shkakton tymi i një cigareje. Dhe këtu qëndron ironia, pasi përsëri nuk na bën përshtypje një gjë e tillë. Duke u eksperimentuar janë edhe dy lloje vaksinash, të cilat stimulojnë prodhimin e antitrupave nga ana e sistemit imunitar. Ndoshta këto do të jenë shpëtimtaret e të gjithë neve që pimë duhan, por gjithsesi disa mendojnë se edhe farmaceutikët, që aktualisht janë në treg, janë mjaft efikasë në qëllimin e tyre. Nëse nuk ia arrijmë që t‘ia dalim vetë, atëherë do të mbështetemi te këto mënyra alternative, ose thjesht do të vazhdojmë të pimë duhan si më parë. Disa studiues thonë se më e rëndësishmja është që të mos dorëzohemi pas tentativës së parë të dështuar për lënien e duhanit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›