Apeli lë në qeli njërin nga tre të dyshuarit për vjedhjen e bankës
TIRANË - Gjykata e Apelit vendosi të mërkurën të lërë në burg pa afat njërin nga tre të dyshuarit si autorë të grabitjes së filialit të bankës "NBG" në Tiranë. Kjo gjykatë mori në shqyrtim mesditën e djeshme kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit Fation Karanxha për apelimin e masës "arrest me burg", marrë pak ditë më parë ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në përfundim të procesit, Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e palës mbrojtëse për një masë më të butë sigurie për të pandehurin Karanxha, duke lënë në fuqi me kërkesë të prokurorisë masën "arrest me burg" ndaj tij. Ditët në vijim, Gjykata e Apelit pritet të marrë në shqyrtim edhe kërkesën për apelimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve të tjerë të kësaj grabitjeje, Luan Kuçi dhe Edmir Shehi. Tre personat e lartpërmendur janë arrestuar nga shërbimet e policisë së Tiranës, pas grabitjes para disa ditësh të bankës “NBG” në kilometrin e 8-të të autostradës Tiranë -Durrës. Sipas të dhënave hetimore të prokurorisë, grabitësit përmes kërcënimit me armë mundën të vidhnin një sasi prej 10 milionë lekësh të vjetra në bankën që ndodhet në periferi të kryeqytetit. Pak ditë më pas u ndaluan tre persona të dyshuar. Pak javë më parë u vodh edhe një bankë tjetër në zonën e Zogut të Zi në kryeqytet, ku policia ende nuk ka arritur të prangosë autorët e saj.
21 Gusht 2008