E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrati 30 minutëshe nga Burgu i Burrelit

Nuk ka zgjatur shumë aventura e arratisë për dy të burgosur të burgut të sigurisë së lartë në Burrel. Fran Marashi dhe Preng Lleshi, të dënuar përkatësisht me burgim të përjetshëm dhe 16 vjet burg, kanë arritur të shijojnë për pak kohë lirinë, kur kanë mundur të largohen nga vendi i vuajtjes së dënimit nëpërmjet dritareve të banjës që ndodhet në pjesën lindore të tij. Lajmi konfirmohet edhe nga burime zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilat saktësuan se kanë arritur të kapin të dy të arratisurit brenda një harku kohor prej 30 minutash, ndërsa ata kishin mundur të bënin rreth dy kilometra rrugë.

Ngjarja ka ndodhur pasdreken e djeshme, rreth orës 16.35. Të dy të burgosurit që me sa duket kishin mundur të sharronin më parë hekurat e dritareve të banjës, kanë vënë në jetë planin e tyre për t‘u larguar nga burgu. Ata kanë kërcyer jashtë godinës, dhe më pas në mënyrë të çuditshme kanë mundur të kalojnë edhe murin e jashtëm rrethues të burgut. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në një informacion të saj, thotë se pikërisht në këtë moment të burgosurit janë pikasur nga punonjësit e shërbimit. "Shërbimet e rojës së burgut i kanë sinjalizuar dhe kanë ndjekur të gjitha procedurat për ndalimin e tyre, që nga sinjali ndal, deri në qëllimin në ajër", thuhet në njoftimin e Burgjeve.

Menjëherë për ngjarjen është vënë në dijeni edhe Komisariati i Policisë së Matit. Efektivat e këtij komisariati, së bashku me grupin e gatshëm të policisë së burgut kanë nisur ndjekjen e të arratisurve në luginën e Matit, në drejtimin nga ishin parë të largoheshin Marashi e Lleshi. Pas gati 30 minutash ndjekje, në një distancë rreth 2 kilometra në lindje të burgut, policia ka arritur të ndalojë të dy të arratisurit dhe t‘i rivërë ata në pranga. Burimet zyrtare thanë se kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e punonjësve të burgut në këtë ngjarje. Duket se të burgosurit kanë pasur mundësinë e posedimit të një mjeti prerës me të cilin kanë prerë hekurat e dritares dhe më pas janë larguar. Policia dyshon se Marashi dhe Lleshi mund të kenë pasur një bashkëpunëtor në radhët e punonjësve të shërbimit të burgut, që i ka ndihmuar ata. "Aktualisht, forcat e policisë janë duke punuar për të zbardhur përgjegjësit e kësaj ngjarjeje, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre u kanë krijuar lehtësira të dënuarve me burgim të përjetshëm të arratisen", thuhet në një njoftim të zëdhënësit të policisë.

Kush janë të arratisurit

Fran Marashi, 30 vjeç dhe Preng Lleshi, 34 vjeç janë dënuar respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 16 vjet burg. Ata së bashku edhe me persona të tjerë në datë 17 qershor të vitit 1997, në Urën Vajgurore afër Beratit, kanë vrarë me armë zjarri policët Miltiadh Koci, Arjan Shemuni, Asllan Selami, Ilia Bano dhe kanë plagosur rëndë policët Thimi Tanku e Ylli Dhamo. Pas ngjarjes, Marashi është larguar jashtë vendit dhe është fshehur në Itali, deri në vitin 2006, kur është kapur nga policia e shtetit fqinj dhe është ekstraduar në Shqipëri, për t‘u dërguar më pas në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, prej nga ku u arratis dje për rreth 30 minuta, së bashku me Lleshin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›