E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Misteret" e 109-vjeçares, që sfidon kohërat

Ngrihet në këmbë për të të pritur e përcjellë. Është një nënë e fisme, që qëndron me trupin drejt, në dhomën e rrethuar nga librat. Shamia e zisë që mban mbi krye, mbulon kurorën e flokëve të bardhë, duke i shtuar një hije vezulluese gruas historike, që mban mbi shpinë më shumë se një shekull jetë. "Jam 109 a 110 vjeç". Kështu përgjigjet Halime Zemani, teksa anon pak kokën në shenjë dashamirësie dhe buzëqesh me një vështrim gri, që ka tjetërsuar ngjyrën e kaltër të viteve të kaluara. "Kam parë shumë mirë, thotë, por tani sikur më janë veshur pak", dhe tregon me gisht drejt syve, që ndonëse nuk e kanë shkëlqimin e dikurshëm tregojnë për një grua të bukur, e cila i ka lënë trashëgim shenjat e hijeshisë së saj te dy vajzat, Vasieko Salaj dhe Hajrie Harizaj. Nënë Halimeja ka lindur shumë fëmijë, dy djem dhe shtatë vajza. Por në ato kohë të vështira, sikundër pohon edhe vetë, djemtë nuk i rrojtën, por ikën njëri pas tjetrit, që në moshë të njomë. Po kështu edhe katër vajza. "Kam bërë jetë të vështirë. Jam lodhur shumë", thotë 109-vjeçarja, teksa lëviz njëra pas tjetrës rruzaret e zeza me 99 gurë, të sjella nga Irani posaçërisht për të, nga i nipi Bashmiri, që njeh shumë nga "sekretet" e gjyshes së moçme.

Sot ajo ka një familje shumë të madhe, që zgjerohet vit pas viti me nipa e stërnipa. "Natën nëna nuk fle. Rri dhe i kujtoj të gjithë", tregon ajo, dhe i përmend me radhë emrat e djemve dhe vajzave të fëmijëve të saj, si dhe më të vegjlit e tyre. Gjithsej janë 67 nipër e mbesa, mosha e të cilëve në fakt varion nga të miturit e deri në 60-vjeçarë. Një pjesë e tyre jetojnë jashtë vendit dhe kjo është një dhimbje e madhe për të moshuarën që megjithatë nuk lë asnjë ditë pa i menduar apo folur për ta. Tani pret verën, që një pjesë e tyre të kthehen për pushime që t‘i përqafojë fort.

Kur e pyet për sekretin e jetës së saj të gjatë, ngre supet e kujton se në rini ka qenë natyrë shumë e gjallë. Por duket se bulmeti dhe mishi, që kanë qenë ushqimet kryesore gjatë jetës, kanë bërë punën e tyre.

Nuk harron asgjë nga ditët e saj të rinisë, ndonëse kanë kaluar dhjetëra vite. Kujton ditën e dasmës dhe duvakun e kuq. Momentin kur e mbyllur në dhomë tentonte plot kureshti të shihte nga plasa e derës, burrin e zgjedhur për të nga e ëma. "E pashë, e pashë. Ishte goxha djalë, më pëlqeu", pohon dhe qesh e shoqëruar edhe nga familjarët, që e rrethojnë çdo ditë me ngrohtësi dhe dashuri. Atëherë ka qenë vetëm 16 vjeç. Madje, përmend edhe njërën nga gratë e mëhallës "që mbahej më shumë", e cila e ka veshur dhe ujdisur si nuse, me gishtat e lyer me këna.

Që prej 15 vitesh, nuk mundet më të dalë nga shtëpia. Për këtë i vjen shumë keq, megjithatë ka një mik tjetër të ngushtë, televizorin. "Pleqtë një herë e një kohë thoshin se do të vijë një ditë që do shohësh dynjanë në një pasqyrë dhe kështu është", thotë nënë Halimeja, që ka mundur të jetojë në të dyja kohët, si një mesazhere e së kaluarës drejt së tashmes. Në mendjen e saj gjallojnë ende të freskëta kujtime pa fund. Pika më e fortë e kësaj gruaje që ka përjetuar momentet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, është kujtesa. Memoria nuk ka humbur thuajse asgjë në këto dhjetëra vjet jete të saj, që e kanë kapërcyer kufirin e një shekulli.

Viti i saj i lindjes daton në fillimin e shekullit të kaluar, në 1900-n. E pavarësisht moshës, ajo kujton pjesëmarrjen e xhaxhait të saj në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, vizitën në Jug të vendit, në vendlindjen e saj, Tepelenë, të motrave të ish-mbretit Zog. Ndonëse këtë të fundit nuk e ka parë asnjëherë, për motrat e tij kujtohet mirë dhe përshkruan veshjen e tyre moderne, madje dhe "fytyrën gjysmë mbuluar me perçe rrjete dhe kapelet evropiane mbi kokë". Kujton momentet kur kanë dalë t‘i presin që nga ura e Luzatit për t‘i shoqëruar më pas deri në Tepelenë.

Nuk harron as tmerret e luftës italo-greke. Por ajo që pëlqen më shumë të tregojë është Lufta Nacionalçlirimtare dhe përpjekjet e lodhjet e mëdha të partizanëve. "I prisja me grupe partizanët në shtëpi. Ishin të rraskapitur nga lodhja. I bëja për të ngrënë, japrakë në një tavë të madhe. I lyeja me gjalpë e me kos, por nuk kisha bukë dhe dilja nëpër fshat të kërkoja", rrëfen, duke mbajtur mend edhe detajet e mikpritjes së viteve të luftës. Gjermanët i burgosën bashkëshortin në vitin ‘44, ndërsa kishte shkuar në Berat për vaki, te disa shokë të vrarë në luftë. Lufta nuk është e mirë, thotë me bindje Halimeja.

Kërcimi ka qenë një ndër pasionet e nënës së madhe, që e ka shoqëruar deri vonë. Në martesën e nipit të parë të saj, Bashmirit, ajo mbahet mend se ka kërcyer me një shishe birrë në kokë. Vetë tregon se sikundër ka qenë traditë në zonën ku ka lindur dhe është rritur në Jug të vendit "ka qenë shumë e mirë për të ngritur dolli, dhe rakia nuk ka munguar asnjëherë në tavolinë". Por përveç kësaj, ajo është shquar në mënyrë të veçantë si një qitëse e shkëlqyer dhe jo vetëm me armë sportive, por edhe me ato luftarake, madje edhe kur ka qenë afër të 50-ve. Duke renditur mendimet, ajo fillon e tregon për kohën kur "në shkollën e qenve", siç quhej dikur bënin qitje. Bënte pjesë në SHNUM-në që drejtohej në atë kohë nga Spiro Moisiu. Ishte shpallur edhe kampione. Dhëndri i saj, Nesim Harizaj, tashmë 81- vjeçar, por me një karrierë të gjatë ushtarake, kujton se kur bënin qitje, vjehrra e tij dilte gjithmonë më mirë. "Ajo kapte 10 pikë, kurse unë vetëm 8 pikë", pohon ai.

Aftësitë rigjeneruese të Halimesë janë vërtet mbresëlënëse, duke lënë pas atë që rëndom e quajmë mosha e tretë. Nipi i saj, Bashmir Salaj, tregon se pas të 90-ve, gjyshja e tij, duke përpjekur që të rregullojë një tub sobe të bllokuar, është rrëzuar dhe ka thyer dorën. "Mjeku që erdhi dhe e mjekoi nuk i dha asnjë shpresë për shërim, por nuk kaluan më shumë se 20 ditë dhe nëna e mori veten sërish", tregon Bashriu, duke shtuar se tashmë është harruar edhe doktori.

Teksa tregon historitë e saj pa fund, nënë Halimeja, mbledh duart kryq. Ato duar, që çuditërisht mosha nuk ka arritur t‘i "trembë" e t‘i bëjë të dridhen, por vetëm t‘i veshë me damarë të fortë blu që lakohen gjithandej, si vija e jetës së gjatë të kësaj gruaje të vendosur, që nuk ka ditur kurrë të tërhiqet.

Familjarët: Ka një aftësi të jashtëzakonshme për të mbajtur mend

Këngët e vjetra folklorike në

kujtesën që ka sfiduar kohën

Dita e nënë Halimesë është e qetë dhe tashmë me pak lëvizje. Ajo jeton me vajzën e saj 79-vjeçare, Hajrien, dhe me dhëndrin 81- vjeçar Nesimin, një njeri mjaft i lexuar e me kulturë të gjerë. Hajria ka trashëguar nga e ëma jo vetëm sytë e bukur, por edhe një humor të lavdërueshëm e mjaft të këndshëm. Ndërsa vajza tjetër, më e madhja, Vasieko Salaj, plot 79 vjeç, është një ndër vizitoret më të shpeshta të Halimesë. "Ka qenë gjithmonë një nënë e përkushtuar dhe e sakrificës. Na ka ndenjur pranë dhe na ka ndihmuar sa ka mundur", shprehet Vasieko, duke shtuar se nëna e saj është e rrallë. Ambienti, në të cilin ajo kalon vitet pas një shekulli jetë me plot pasardhës, është i mbushur plot dije, koleksione të mrekullueshme arti dhe një investimi serioz kulturor. Më shumë se 100-vjeçare, Halimeja thotë se tani i ka mbyllur të gjitha punët "dhe i ka tepër ditët që po jeton". Por kjo shprehje ndez kundërshtinë e të dashurve të saj, që tashmë janë mësuar me bejtet e vjetra, që vijnë nga mendja e re e nënë Halimesë. E ashtu siç thotë edhe vetë që "me moshë është e madhe, por edhe me mendje është e fortë", reciton pa u lodhur vargjet e këngës së Shane Shasë…

Kush ta vrasë gjetë belanë

Theftë ja këmbë ja kranë

Kush do shkon m‘këtë rrugë

S‘flet si qen, po flet si burrë

Këngët e vjetra folklorike janë arkivuar më së miri në memorien e çuditshme, që nuk pranon të plaket. Kjo kujtesë stoike që ruan histori brezash, sfidon jo vetëm kohën, por edhe shekullin e kibernetikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›