E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg lazaratasi i akuzuar për trafik droge

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rivlerësuar dje masën e sigurisë ndaj 23-vjeçarit Sinan Rabi, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Pasi ka dëgjuar argumentet e prokurorit të çështjes, si dhe kundërshtimin e të pandehurit, i cili nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, gjykata la në fuqi masën e sigurisë burg pa afat. Rabi, i lindur dhe banues në fshatin Lazarat të rrethit të Gjirokastrës, akuzohet se është i implikuar në trafikun e lëndëve narkotike të sekuestruara nga policia gjatë operacionit të koduar "Gjuetia malore" i zhvilluar më datën 19 shkurt të këtij viti. Gjatë këtij operacioni, uniformat blu kanë mundur të sekuestrojnë në malin e fshatit Bularat të rrethit Gjirokastër 26 kilogramë kanabis sativa, e cila ishte e destinuar për t‘u trafikuar përtej kufirit me Greqinë. Pas hetimeve të kryera rezultoi se Rabi ishte i përzier në këtë trafik droge dhe ndaj tij gjykata e rrethit caktoi masën e sigurisë arrest në burg. Pas arrestimit të 32-vjeçarit, çështja i kaloi për kompetencë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila dje ka bërë rivlerësimin e masës së arrestit duke e lënë sërish në burg Rabin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›