E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 140 milionë lekë për plehrat e komunës

Një vendim i Komunës së Bradasheshit do të zgjidhë përfundimisht problemet e mbeturinave. Sipas diskutimeve të kësaj komune, një taksë që do të mblidhet nga komuniteti do të shfrytëzohet për grumbullimin, pastrimin dhe përpunimin e plehrave. Atë që s‘e ka bërë as Bashkia e Elbasanit, edhe pse po diskutohet prej vitesh duket se do ta realizojë Komuna e Bradasheshit. Projekti i kësaj komune parashikohet të vihet në zbatim kësaj vere.

Problemi i grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve organike dhe inerte do të zgjidhet me vetë mjetet e komunës. "Kemi parashikuar 140 milionë lekë të vjetra që do të përdoren për makina transportuese të plehrave, si dhe për blerje pajisje e makineri të përpunimit të pjesshëm të këtyre mbetjeve", pohoi kryetari i Komunës së Bradasheshit, Sabri Sollaku. Sipas tij, i gjithë fondi që sigurohet nga pagesa e taksës së pastrimit nëpërmjet familjeve të komunës dhe biznesit në këtë territor, do të shkojë po për pastrimin. Vendimi më i fundit i këshillit të komunës do të bëjë të mundur zgjidhjen përfundimtare të grumbullimit dhe përpunimit të plehrave. Sollaku ka sqaruar se në sajë të këtij investimi me fondin e të ardhura komunare, do të blihen dy mjete transporti motorike, 140 kazanë metalikë për plehrat, si dhe një impiant i thjeshtë që do të përpunojë pjesërisht plehrat dhe mbetjet e tjera organike. Zbatimi i këtij projekti mbetet i pari në të gjitha komunat e këtij rrethi, madje konsiderohet edhe si një sfidë ndaj bashkisë së qytetit, kufiri mes të cilave mbetet i ndërmjetëm për vetë pozitën gjeofizike të këtyre dy njësive vendore. Sipas studimit të specialistëve të komunës, është gjetur dhe vendi i hedhjes dhe përpunimit të mbeturinave buzë lumit të Shkumbinit, por pa shfrytëzuar shtratin e tij për këto mbeturina. Projekti starton në fundin e muajit maj dhe investimi nuk prek fondet për infrastrukturën e fshatrave të kësaj komune.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›