Shpallen fituesit e Olimpiadës së Kimisë
Shpallen fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Kimisë. Ministria e Arsimit ka shpallur dje emrat e fituesve të kësaj olimpiade zhvilluar për kategorinë e nxënësve të shkollave të mesme. Konkursi është mbyllur më 29 mars dhe gjatë ditëve në vazhdim komisioni shkencor ka pasur kohë për të shqyrtuar punimet e pjesëmarrësve dhe për të shpallur fituesit. Vendin e parë e ka fituar nxënësja nga Fieri, Malbora Kurti. Ndërsa dy vendet e tjera janë fituar nga nxënësit e Tiranës, konkretisht vendi i dytë nga Edona Fasllia, shkolla "Mehmet Akif" dhe Kristi Toska nga gjimnazi "Petro Nini Luarasi". Fituesja e çmimit të parë është vlerësuar me 95 pikë, vendi i dytë me 91 pikë dhe vendi i tretë me 81 pikë. Ministria e Arsimit ka dashur të jetë edhe inkurajuese. "Tre prej pjesëmarrësve në garë, nxënës nga Fieri Shkodra dhe Tirana janë shquar në këtë olimpiadë, pavarësisht se nuk kanë fituar", ka njoftuar ministria. MASH organizon çdo vit nëpërmjet drejtorive arsimore rajonale, 5 olimpiada kombëtare në lëndët: matematikë, informatikë, fizikë, kimi-biologji dhe letërsi. Çdo vit, nga këto konkurse, spikasin dhe nderohen me çmime rreth 150 nxënës të talentuar të moshave nga 14 deri në 18 vjeç. Deri më sot, Shqipëria ka marrë pjesë në 23 olimpiada ballkanike dhe 7 botërore. Rezultatet pozitive të nxënësve tanë, në aktivitetet shkencore jashtë shtetit, tashmë janë bërë një realitet i pranueshëm nga juritë ndërkombëtare. Ky rezultat është edhe një fryt i punës së mësuesve, në shkollat e mesme të vendit.