Arrati dhe këngë
Skënder Frashëri, historia e panjohur e themeluesit të këngës së krijuar në Mat. Njeriu i etnosit që ka punuar sekretar në Ministrinë e Jashtme dhe më vonë, duke dhënë mësimet e frëngjishtes, muzikës dhe si përkthyes në legatën turke deri në kohën e pushtimit fashist. Për ndjenjat e tij atdhetare dhe veprimtarinë e tij antifashiste, burgoset në Tiranë dhe më pas internohet në kampin e Kolfioritos, e më vonë në Siena, ku ka qëndruar 3 vjet. Edhe pas ardhjes në Tiranë, ndiqet familjarisht dhe futet disa herë në burg në Tiranë e Vlorë
Kanë mbetur pak njerëz në Burrel që e kanë njohur. Po kaq të pakët janë edhe ata që kanë dëgjuar emrin e tij. As shkruesi i këtyre radhëve nuk e ka takuar kurrë.
Kam pasur fatin dhe nderin të jem i pari artist matjan, që kam shkruar në kopertinën e një albumi muzikor, emrin e tij, si krijues i njërës nga këngët e interpretuara nga ana ime.
Prej 60 vjetësh këndohen këngët e krijuara prej tij, nga këngëtarë matjanë e matjane dhe interpretues të tjerë në Radio-Tirana. Atëherë, nuk dija nëse përmendej emri si krijues apo jo, por një gjë është krejt e sigurt. Hitet e para të kënduara në vitet ‘50-‘60, të vlerësuara me çmime, ishin këngët e krijuara nga Skënder Frashëri.
Cikël biografie
E përcaktova kështu, pasi origjina dhe kontributi i tyre, do të nderonin një pendë të artë për të përshkruar dhe plotësuar një monografi të veçantë në llojin e vet.
Skënder Frashëri është pinjoll i një familjeje të madhe me origjinë nga Frashëri i Përmetit. I lindur në Stamboll, në vitin 1901, bir i Dr. Rifat Frashëri mikrobiolog, me nënë stambolleshë nga Bërzeshta e Librazhdit, ka mbaruar liceun frëng në Stamboll për piano. I ati, Rifati, ishte profesor në Universitetin e Stambollit dhe kryetar i Lëvizjes së Shqiptarëve, i inkuadruar në shoqërinë “Bashkimi” deri në vitin 1913. Pas këtij viti, për ndjenjat dhe aktivitetin e tij patriotik internohet në Siri. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore lirohet nga internimi dhe kthehet në atdhe me banim në Tiranë. Në kohën e Qeverisë së Fan Nolit emërohet menjëherë drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, duke themeluar kështu të parin institucion të këtij profili në Shqipëri. Ministri Leonard Solis e nderon me mirënjohje për “Kontribut në shëndetësi”, në korrik të vitit 2000.
Rifat Frashëri vdes në vitin 1934 dhe varroset me nderime nga shteti i atëhershëm.
Sot njihet si patriot i Rilindjes Kombëtare.
***
Skënder Frashëri ka punuar sekretar në Ministrinë e Jashtme dhe më vonë duke dhënë mësimet e frëngjishtes, muzikës dhe si përkthyes në legatën turke, deri në kohën e pushtimit fashist. Për ndjenjat e tij atdhetare dhe veprimtarinë e tij antifashiste, burgoset në Tiranë dhe më pas internohet në kampin e Kolfioritos e më vonë në Siena, ku ka qëndruar 3 vjet. Edhe pas ardhjes në Tiranë, ndiqet familjarisht dhe futet disa herë në burg në Tiranë e Vlorë. Vëllai i tij, Vedat Frashëri, vritet nga fashistët në mars të vitit 1943, duke u rreshtuar në radhët e dëshmorëve të Luftës NAÇL.
Pas çlirimit, Skënder Frashëri punon si përkthyes e mësimdhënës i frëngjishtes në Ambasadën Sovjetike në Tiranë deri në vitin 1951. Arrestohet për ngjarjet e ambasadës në atë vit, por merr pafajësinë nga gjyqi ushtarak dhe emërohet nga bashkimet profesionale në Qarkun e Tiranës si instruktor muzike. Atë vit, sipas kujtimeve të tij, merr një çmim të parë në një Festival artistik Kombëtar. Në vitin 1954 arrestohet përsëri dhe internohet deri në vitin 1956, pa iu treguar arsyeja. Ai kishte fëmijë të xhaxhait të tij, Servetit: Naim Frashërin-artist, Safo dhe Mediha Frashërin, nëpunëse të asaj periudhe.
Në vitet 1952-1959, me krijimet e tij muzikore vlerësohet me çmime, si dhe regjistron në Radio-Tirana disa këngë. Në vitin 1957 dërgohet me punë në Peshkopi, pranë shtëpisë së Kulturës, ku çmohet puna e tij krijuese e përkushtuar. Në qershor të vitit 1959, transferohet në Burrel i emëruar drejtues muzike pranë Shtëpisë së Kulturës dhe mësues i muzikës në shkollën 11-vjeçare të qytetit. Gjatë punës së tij artistike, siç edhe shkruan në arkivin e tij, së bashku me kolektivin që drejtonte artistikisht, ngrenë grupin e estradës duke shkruar për to të gjitha materialet muzikore.
Ardhja në një qytet të ri e një kuadri pasionant dhe i talentuar, në një periudhë ku trashëgimia autoktone artistike ishte krejt e virgjër dhe e panjohur, kishte të mirat, por edhe pengesat e veta specifike. Vetë kompozitori tregon, se “fillimet ishin shumë të vështira. Për shkak të fanatizmit, të rejat dhe gratë nuk pranonin të këndonin përpara meje. Burrat këndonin vetëm këngë trimërie. M’u desh të bëja rrugë të gjata në këmbë për të ndjekur dasmat dhe ceremonitë e ndryshme popullore në fshatra. Frytet e punës sime filluan pas një viti, kur edhe me ndihmën e arsimtarëve, u bëra si njeri i brendshëm në shumë familje. Gratë e vajzat u lejuan të këndojnë para meje... Deri në atë kohë, Radio-Tirana transmetonte nga folklori i Matit vetëm vallen e Burrelit nr. 1 dhe 2”.
Skënder Frashëri, tashmë me përvojën e fituar dhe përgatitjen e tij profesionale, ishte i pari që ngriti siparin e prezantimit të këngëve popullore qytetare matjane. Ai shprehej se ishte me fat, që ndeshej me një begati e larmi të rrallë lirikash dhe ritmesh popullore dhe që rrethohej nga dashamirës të shumtë të artit, zëra të bukur e origjinalë. Brenda vitit ngrenë grupin e estradës amatore me këngë, valle, kuplete e skeçe, grupin e burrave dhe të solistëve dhe një orkestër modeste. Në një letër që i dërgon Institutit të Folklorit më 7 qershor 1962, deklaron bilancin e punës së tij trevjeçare ku kishte mbledhur 125 këngë (tekste e melodi), 42 valle popullore matjane. Tridhjetë e dy këngë prej këtyre i kam incizuar në Radio Tirana me këngëtarë e këngëtare matjane. Këngët që transmetohen thuajse çdo ditë për dëgjuesit me kërkesa ishin:
“Çfarë të donte shtati moj Fate”, “Shtati jot i hollë si kurona”, “Do të marr mori bardhoshe”, “Lefi qeni, krisi gardhi”, “Fërfëlloj fëllanxa n’ujë”, “Hiq jelekun, qenke djers, moj tranafile”, “Sa gjethe që ka plepi”, “Luje mori, luje”, “Paske syn oj cucë, porsi rrush i zi”, “Trandafili me gjashtë rrema”, “Qan nji lule n’at rraz’ shkambi”, “O florini i vogël-o”, “A e mban mend moj e vogël-o”, “Kur dole në lëmë”, “Rrushi i kuq i bukur-o”, “Tanë malësore”, “Hypi djali n’mollë”, “Të kërkova lis më lis”, “Cucë e bukur moj matjane”, “Skuadërkomandantes”, “Më ka zanë maraku me një cucë matjane, etj.
Arti rrezëllon dhe rezonon në mënyrë specifike. Krenaria me vlerat e vokacionit të shprehur nëpërmjet artit, gjithmonë ndahet me autorët krijues. Në fakt, këtë, në mënyrë të hapur, e bëjnë vetëm ato që fisnikërohen nga arti. Dhe nuk ka munguar edhe tek matjanët kjo fisnikëri. Rasti me kompozitorin e tyre, që për herë të parë hodhi në pentagram visaret e artit muzikor të Matit, flet shumë dhe qartë. Është fat që ende ruhen letërkëmbime në dorëshkrime midis këtij kompozitori dhe disa kuadrove të asaj periudhe.
Vlerësime miqsh
Terzi Dungu, që aso kohe ishte mësues në Peshkopi, në letrën e tij që mban datën 05.03.1962, e falënderon nga zemra për punën e shkëlqyer në nxjerrjen në pah të vlerave të folklorit të Matit dhe jehonën e tyre në shkallë republike. “...Ju lutem të falënderoni nga ana e jeme edhe solistët e solistet Feriden me shoqe, që kaq bukur po i këndojnë ato këngë, pa harru edhe orkestrën. Kam besim se ju jeni i palodhun për ta vazhdue punën edhe në zona të tjera të Matit... se, kjo për juve, ka për të mbetun një meritë e çmueshme dhe e pashlyeshme...”.
Dali Terziu, të cilin e kishte edhe bashkëpunëtor në krijime letrare, në letrën e tij të datës 29.05.1962, me një vlerësim të lartë dhe admirim të thellë “si një njeri i shtrenjtë dhe zbulues i ndërgjegjshëm për krenarinë e maleve të vendit tim” i kërkon të vazhdojë punën dhe midis të tjerash i shkruan: “... njeriu i ndërgjegjshëm, me sedër e pa interes, e ka për detyrë të punojë për të ndihmue atë që asht’ nji hap ma mbrapa... kjo tregon pjekurinë e kulturës njerëzore”. Ai falënderon me përulësi këngëtaren e mirënjohur, “vajtimtaren e trimave” Fitnete Rexhën, që nuk përtoj për t’i shtuar krenarisë së rrethit tim, së bashku me ty i dashur kompozitor, një këngë të vjetër me një dëshmi të gjallë. Edhe sot, pas 106 vjetësh, në gërmadhat e këshllasë së Gjalishit, sheh ferrat që donte të vadiste turku me gjakun e trimave të maleve tona. Me zërin dhe melodinë tuaj, po i kujtoni brezit të ri se sa e çmonin baballarët tonë lirinë. Ju i dhatë matjanit të drejtën të mburret me krenarinë e vet. Për këtë, ju falënderoj me sinqeritetin ma të madh dhe njëkohësisht, na kemi detyrë t’ju themi “miq të paharruar”.
Tek ne, njerëzit jabanxhi, janë larguar me moton “sytë që nuk shohin, harrojnë”, por ju po tregoni se edhe larg nesh, po vueni dhe sakrifikoni për ne...”.
Muziktari Ymer Neli është dëshmitari skenik i tij, i cili flet për të me adhurim, sa e krahason Skënderin për muzikën e Matit, si ai që shpiku për herë të parë zjarrin për njerëzimin. Profesori mbante gjithmonë me vete fletore muzike dhe një lapës. Nuk kishte nevojë për gomë, pasi i hidhte në notë këngët shumë shpejt dhe pa gabime.
Për krijimin dhe orkestrimin e këngëve, ai përdorte një fizarmonikë. Ngaqë ishte i sëmurë dhe i lodhur nga jeta, nuk e vinte në krah, por në prehrin e Y. Nelit dhe e përdorte si piano. Ymeri, si një bartës i shkëlqyer i motiveve të folklorit të zonës së Prellit, ishte njëkohësisht furnizuesi me bulëza muzikore për muzikantin Frashëri. Aftësitë krijuese të Skënderit e shndërruan folklorin burimor matjan në krijime me vlera të spikatura, duke u bërë pjesë e transmetimeve të përditshme të Radio-Tiranës.
Mbështetja në motivet e mrekullueshme të këngëve të dasmës matjane, meloritmika e pasur dhe e pastër, harmonia e thjeshtë e përdorur prej tij, shoqërimi me një formacion të vogël orkestral, dhe në mënyrë të veçantë vokali brilant i këngëtareve Feride Kurti, Vera Kurti, Selvie Lena, Hysni Hysneli etj., e prezantuan këngën matjane në skenën shqiptare si pjesë e qytetarisë që ajo meritonte.
***
Historia e zhvillimit njerëzor është dokumentuar nga njerëz me dhunti, dashuri dhe seriozitet të veçantë. Në këtë dokumentim dhe rritje të shpejtë progresive, kanë kontribut specifik edhe krijues të artit. Nëpërmjet artit, dëshmive të tyre të zbuluara, janë nisur shumë studiues, zbulues, historianë, antropologë, arkeologë, gjuhëtarë, etnomuzikologë etj., për të përcaktuar origjina e përkatësi, vlera të veçanta e universale. Ky universalizëm i përfshin të gjithë: subjekte si prodhues të artit dhe përthithësit që vetëndryshohen prej tij. Respekt dhe mirënjohje për intelektualë të tillë.
Nuk ka dyshim se ardhmja jo e largët do të kërkojë një studim të kujdesshëm e të thelluar, jo vetëm në aspektin e folklorit muzikor, por në rrafshin e gjithë etnokulturës së kësaj treve. Ka shumë elementë qytetarie, të dallueshëm nga trevat e tjera të zonës veriore e verilindore. Pasuria e gjuhës e përdorur me disa nëndialekte dhe veçoria e aftësisë së ndryshimit të dialektit më me lehtësi se trevat e tjera rrethuese, përbën një aspekt të rëndësishëm. Kështu mund të flitet edhe për elementë të tjerë në veshje, jetesë etj. Vëzhgime e studime të tilla mendoj se mund të çojnë në përcaktime më të sakta e më specifike etnokulturore.
* Drejtor i QKVF-së