Gjykata pushon padinë e Pinarit kundër Prokurorisë
Pas 7 muajsh, Gjykata e Tiranës pushon kërkesën e Ylli Pinarit, ish-drejtorit të ndërmarrjes shtetërore MEICO, i cili kundërshtonte vendimin e sekuestros së dokumenteve në zyrën e tij nga ana e prokurorisë pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec. I pandehuri Pinari kishte paditur organin qendror të akuzës, duke kërkuar nga togat e zeza vleftësimin e sekuestros së bërë nga grupi hetimor pas arrestimit të tij. Gjyqtari Petrit Çomo vendosi pushimin e gjykimit të kësaj kërkese penale, me argumentin se dosja tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë për gjykim dhe do jetë Kolegji Penal që do vendosë nëse është a jo e drejtë vendosja nën sekuestro e dokumenteve të Ylli Pinarit. Kërkesë-padia e Ylli Pinarit u depozitua në Gjykatën e Tiranës më 16 maj të vitit të kaluar, ndërkohë që seanca e parë e shqyrtimit të kësaj kërkese daton në shtator të po këtij viti. Sipas burimeve zyrtare nga gjykata, objekti i padisë është “Vleftësimi i sekuestros”. Ky reagim i Pinarit përmes avokatit të tij, Ardian Leka, erdhi pas një vendimi gjyqësor të 30 marsit të vitit të kaluar, dy javë pas tragjedisë së Gërdecit, kur grupi hetimor kontrolloi zyrën e Pinarit në ministri, duke sekuestruar të gjithë dokumentacionin e mbajtur nga ky i pandehur, si dhe arkivin e MEICO-s. Të gjitha këto dokumente u morën në shqyrtim nga Prokuroria, pasi me anë të tyre pritet të provohet trafiku i paligjshëm i armatimeve dhe municioneve të bëra nga ndërmarrja shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes, që drejtohej nga Pinari, ndërkohë që ishin element i rëndësishëm për hetimin 1-vjeçar të grupit hetimor. Me anë të kësaj padie, Pinari pretendonte se janë marrë edhe disa sende e materiale të tij personale. Ish-zyrtari kërkonte nga gjykata që të shfuqizohet ky urdhër i nxjerrë nga ana e prokurorisë dhe t'i kthehen sendet e sekuestruara.
Somario
Reagimi i Pinarit erdhi pas një vendimi gjyqësor të 30 marsit të vitit të kaluar, kur grupi hetimor kontrolloi zyrën e Pinarit në ministri, duke sekuestruar të gjithë dokumentacionin e mbajtur nga ky i pandehur, si dhe arkivin e MEICO-s