Vizita e Obamës dhe sfidat europiane
Dhjetëditëshi i parë i muajit prill 2009, do të shënojë tre zhvillime të rëndësishme për marrëdhëniet Amerikë- Europë, e më gjerë: Takimi i G-20-ës në Londër, Samiti i NATO-s (zgjerimi i aleancës me dy anëtarë të rinj, Shqipëri e Kroaci), si dhe takimi i BE-së me pjesëmarrjen e Obamës.
Në këtë kuptim, mund të thuhet pa mëdyshje, se këto dhjetë ditë do të jenë të një rëndësie të veçantë për marrëdhëniet ekonomike, politike dhe ushtarake midis dy anëve të Atlantikut.
Sado që këto takime të veçanta, por të ndërlidhura me njëri-tjetrin do të trajtojnë një numër problemesh, ku kriza ekonomike dhe Afganistani do të zënë një vend kyç, ato do të kenë në themel të tyre marrëdhëniet e SHBA-së me Europën, pas largimit të Presidentit Bush dhe ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Barak Obamës. Dhe kjo është e kuptueshme.
Bashkimi Europian dhe SHBA-ja, të marra së bashku, përfaqësojnë më shumë se 50% të produktit të përgjithshëm botëror bruto. Ndaj, mënyra sesi ato bashkëveprojnë dhe bashkëpunojnë, është e një rëndësie të posaçme në shkallë globale.
Në këtë kontekst, kuptohet rëndësia që kanë marrëdhëniet SHBA-Gjermani, kur është i njohur roli i ekonomisë gjermane, si lokomotivë e ekonomisë europiane.
Ja përse këto takime, në këtë fillim prilli në Europë, do të jenë edhe një barometër për të matur gjendjen e këtyre marrëdhënieve, për një numër çështjesh, ku kërkohet bashkëpunim.
Siç është e njohur, marrëdhëniet e SHBA-së me dy prej fuqive të mëdha europiane, Gjermaninë dhe Francën, në kohën e administratës Bush, linin shumë për të dëshiruar, e thënë kjo në mënyrë të zbutur.
Të gjithëve u kujtohet se si Obama e mbështeti një pjesë të fushatës elektorale edhe në vlerësimin se një nga gabimet e mëdha të Bushit, ishte dështimi i tij për ta afruar akoma më shumë SHBA-në me aleatët e vet evropianë. Është e qartë se, Obama dhe fuqitë e mëdha evropiane, dëshirojnë të kenë marrëdhënie të ngushta.
Por, çështja është se pritshmëritë nga të dyja palët, nuk janë të njëjta. Nga optika europiane, problemi i administratës Bush ishte se ai nuk konsultohej si duhej me ta, ndërsa kërkonte shumë prej tyre.
Sot ata presin nga Obama që ai jo vetëm të konsultohet me ta edhe më shumë, por të ketë më pak kërkesa ndaj tyre. Obama, nga ana e tij, nuk do të mungojë së konsultuari më mirë me Europën, por ai pret që edhe ajo të jetë më e gatshme për të ndihmuar e bashkëpunuar me SHBA-në.
TAKIMI I G-20-ës DHE PRITSHMËRITË NDAJ TIJ / Samiti i G-20-ës, që përfaqëson ekonomitë më të mëdha të botës, me 80% të prodhimit të përgjithshëm botëror bruto, po zhvillohet në sfondin e një krize ekonomike globale të pashembullt.
Vetë formati i këtij grupimi, dëshmon se problemet e sotme dhe aktoret që ndikojnë në përballimin e tyre, i kalojnë kufijtë dhe mundësitë e G-7-ës, për t'u marrë në mënyrë të suksesshme me to. Ja pse në përbërjen e G-20-ës, sot janë edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, përveç SHBA-së dhe BE-së, si Rusia, Kina, Japonia, India, Brazili, etj.
Duhet vënë në dukje se gjendja ekonomike në këtë prag samiti paraqitet paksa më e qartë në krahasim me takimet e G-20-ës, të nëntorit 2008; madje mund të vihen re edhe shenjat e para, sado të zbehta, të fillimit të një rimëkëmbjeje në SHBA. Sado që dhimbjet ekonomike vazhdojnë të jenë të forta, ato nuk janë të tilla si gjashtë muaj më parë, kur krijonin panik.
Megjithatë, ekzistojnë mospërputhje dhe mosmarrëveshje, të cilat nuk mund të kalohen lehtë. Kështu, ndërsa SHBA-ja dhe Anglia kanë zgjedhur një strategji që bën thirrje për stimulim ekonomik nga secili vend (Anglia gjithsesi ka filluar t'i zbusë kërkesat e saj!), ato kërkojnë që edhe Europa të bëjë të njëjtën gjë.
Por duhet thënë se, anglo-amerikanët druhen se ekonomia gjermane e orientuar drejt eksporteve, do ta shfrytëzojë këtë stimulim ekonomik për rritjen spektakolare të eksporteve gjermane drejt këtyre vendeve.
Pra, Gjermania dhe Franca do të përfitonin nga paketa e stimulimit ekonomik, pa bërë vetë ndonjë sakrificë, apo pa paguar ndonjë kosto; kur dihet që Amerika vazhdon të rrisë borxhin e saj të brendshëm, si kosto e kësaj pakete stimuluese.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, argumenton se Gjermania nuk mund të nxisë atë stimulim ekonomik, që pretendojnë anglo-amerikanët, sepse problemet demografike të saj, janë të tilla që do t'i impononin një borxh afatgjatë një popullsie, që nuk vjen duke u rritur, por zvogëlohet.
Nuk mund të thuhet se asnjëra palë nuk ka logjikë në argumentet e veta; ajo që mund të thuhet pa më të voglin dyshim, është se interesat gjermane dhe ato amerikane, nuk janë fare të njëjtë.
Ato janë, ashtu siç u shpreh Merkel në një intervistë për "New York Times": "Politika e jashtme, pavarësisht miqësisë dhe gjërave të përbashkëta, është gjithmonë shprehje e interesave të vendit të vet".
Një tjetër problem, ku pikëpamjet dhe qëndrimet midis amerikanëve dhe evropianëve (më saktë gjermanëve) ndahen, është sesi të ndihmohen vendet e Europës Qendrore, për të përballuar krizën e sotme financiare. Amerika gjykon se problemi që kanë këto vende, nuk është krijuar prej saj, ai është një problem i shkaktuar nga praktikat e brendshme europiane.
Tashmë është e njohur se bankat e Europës Perëndimore, kanë patur pozita dominuese në Europën Lindore këtë dekadën e fundit, duke dhënë hua dhe borxhe me interesa të ulëta, gjersa u arrit këtu ku jemi sot, me probleme të mëdha. SHBA-të e shohin këtë si një problem të brendshëm të Bashkimit Europian, duke pritur kështu që, vendet europiane t'i shpëtojnë vetë bankat e tyre.
Ndërsa Gjermania, që është më pak e ekspozuar ndaj dukurive negative të krizës, e bllokoi hartimin e një pakete europiane shpëtimi, duke shpjeguar se vendet e Europës Qendrore duhet të ndihmohen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas saj, FMN-ja po konfigurohet për të zgjidhur probleme të tilla në vendet me ekonomi më pak të fuqishme dhe, gjithnjëë sipas Gjermanisë, FMN-ja do të përdorej kështu, për atë qëllim që ajo ishte krijuar. Kurse amerikanët mund ta shohin këtë si një përdorim që gjermanët i bëjnë SHBA-së, Kinës dhe Japonisë, për të siguruar para prej këtyre të fundit, për zgjidhjen e një problemi që është europian.
Në këtë kontekst, mund të përmendim dhe kompleksitetin e OPELIT, një prodhuese gjermane makinash, që është pjesë e GM-së (General Motors). Gjermanët pretendojnë se u takon amerikanëve që ta ndihmojnë dhe shpëtojnë atë, ndërsa amerikanëve u duket se kjo nuk është punë e tyre.
Vlen të theksohet këtu që, të gjithë e dinë se ekonomia amerikane është më e madhe se ekonomia e çdo vendi tjetër në botë, dhe nga kjo buron mendimi se rimëkëmbja ekonomike e Amerikës, do të tërheqë edhe ekonomitë e vendeve të tjera, sidomos ato eksportuese, e do t'i nxjerrë ato nga gjendja ku ndodhen sot.
Ja pse gjermanët e shohin të udhës të mos sakrifikojnë deri në atë shkallë që, sipas tyre, mund t'ua keqësonte më tej gjendjen në të cilën ndodhen sot. Situata që përshkruam, na bën të mendojmë se gjermanët nuk do të çedojnë ndaj një plani për stimulim ekonomik; dhe gjasat janë që as Obama nuk do të ngulë këmbë në këtë.
Nuk duhet harruar se çdo ndihmë që SHBA-ja mund t'i japë FMN-së, do të perceptohet nga amerikanët si përdorim i parave të tyre, për të shpëtuar bankat europiane në Europën Qendrore, në një kohë që borxhi i brendshëm i Amerikës, sa vjen e rritet.
SAMITI I NATO-s / Duke mos arritur të marrë në Samitin e Londrës, atë që mund të ketë pritur, Obama do të përpiqet ta kompensojë këtë në samitin dyditor të NATO-s, ku me të drejtë, ai mund të shpresojë për një angazhim më të madh të evropianëve me trupa në Afganistan.
Megjithatë, vështirë të pritet që Gjermania dhe Franca ta marrin këtë angazhim; kjo jo vetëm sepse opinioni publik i këtyre vendeve është kundër, por edhe ngaqë resurset e tyre ushtarake janë të kufizuara. Obama, gjatë fushatës elektorale, kishte shpresuar se Europa do të tregohej më bashkëpunuese për të ndihmuar në Afganistan.
Por, me sa duket, më e shumta që Gjermania do të bëjë, është ndonjë gjest simbolik, duke dërguar punëtorë rindërtimi, apo me ndonjë ndihmë në Pakistan, veçse jo duke dërguar trupa.
Është e natyrshme që Amerika të presë më shumë nga Europa në këto momente; ajo vetë po ndihmon FMN-në, kur dihet që një pjesë e këtyre ndihmave do të destinohen për Europën; ndërsa Europa nga ana e saj, refuzon t'i bashkohet Amerikës në stimulimin ekonomik, pa përmendur mungesën e gatishmërisë për të dërguar trupa në Afganistan - një luftë, të cilën evropianët e kanë quajtur të drejtë e të justifikueshme në krahasim me atë në Irak.
Dhe tani vijmë tek Samiti i BE-së, ku merr pjesë dhe Obama.
Në këndvështrimin amerikan, por jo vetëm, nga pikëpamja politike dhe ushtarake, Europa është sot jo pak e fragmentuar.
Por, për shkak të politikës egoiste të vetë vendeve europiane dhe të këndvështrimit të tyre për menaxhimin e krizës ekonomike, edhe vetë ekonomia europiane paraqitet e fragmentuar.
Mjaft vende të vogla anëtare të BE-së, që kanë patur shpresa të mëdha nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, janë sot të zhgënjyera nga vetë BE-ja, kur shikojnë mungesën e vullnetit dhe të dëshirës për t'u ndihmuar në këto ditë kaq të vështira.
Ky është, në vija të përgjithshme, konteksti në të cilin vjen Presidenti Obama në vizitën e tij të parë në Europë. Dhe ja sepse takimi i NATO-s në Strasburg, do të evidentojë rolin e saj në sfondin e relatave ndëraleate, pas ardhjes se Obamës në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk ka dyshim se NATO-ja, pas Luftës së Ftohtë, nuk është më ajo e një gjenerate më parë. Realitetet kanë ndryshuar dhe, në një formë apo një tjetër, kanë evoluar dhe ndryshuar dhe interesat kombëtare.
Ajo që lipset të mbetet konstante, është NATO-ja si një aleancë politiko-ushtarake e vlerave të mëdha të kohës sonë - çka e bën atë një instrument të domosdoshëm në mbrojtje të paqes e sigurisë ndërkombëtare. Ajo që vihet re sot, është se kriza ekonomike ndërkombëtare nuk i ka ulur, por ka sjellë një rritje të nacionalizmit.
Kjo mund të shihet në proteksionizmin dhe në tendencën e çdo vendi për t'u marrë vetë me përballimin dhe zgjidhjen e problemeve të veta. Vendet më të pafuqishme, si ato të Europës Qendrore e Lindore, s'ka se si të ndihen mirë, kur ata shohin se po lihen t'i zgjidhin vetëm hallet e tyre.
Veç këtij aspekti të ndjeshëm të ekonomisë politike, vendet e Europës Qendrore e Lindore përballen sot edhe me një shqetësim tjetër të padëshiruar - ajo është Rusia, e cila edhe sot e kësaj dite nuk ka arritur të ndërtojë një politikë proaktive, të një shteti demokratik.
Përkundrazi, e krekosur dhe më arrogante për shkak të një farë pasurimi konjuktural e të shpejtë me paratë e naftës dhe gazit (dhurata të zotit këto, por jo meritë e drejtimit të mirë politik e ekonomik), ajo kërkon të rikthejë "lavdinë" e humbur të perandorisë ruso-sovjetike.
Nuk është e rastit që Rusia fryhet edhe më shumë, duke i shtuar orekset e saj, kur sheh një Gjermani që i hap rrugë gjithnjë e më shumë, për shkak të varësisë së madhe energjetike nga Moska; Ja pse vendet në periferi të BE-së, nuk mund të mos ndjehen, në një farë mënyre, të pasigurt, madje edhe të kërcënuar.
E gjithë kjo bën që ato do të jenë gjithnjë e më shumë të prirur të shohin nga Amerika si kampione e lirisë dhe demokracisë, e aftë të korrigjojë veten dhe të ngrihet në lartësi të reja, për të udhëhequr në këto kohë të vështira.
Le të kujtojmë se udhëtimi i Presidentit Obama nuk përfundon në Europë. Ai e çon atë në Turqi - një vend i rëndësishëm i NATO-s, që ka njohur deri më sot shijen e bllokimit për t'u anëtarësuar në BE. Turqia ka patur një performancë të kënaqshme, në kushtet e krizës së sotme ekonomike. Veç kësaj, ajo përfaqëson një shtet me një potencial të konsiderueshëm ushtarak.
Askush, aq më pak Amerika, nuk mund të mos vlerësoje rolin e rëndësishëm të Turqisë në zhvillimet e sotme e të ardhshme në Irak, në frenimin e ambicieve të Teheranit për të turbulluar ujërat në atë rajon, ose edhe për t'i kujtuar Rusisë disa të vërteta të rëndësishme, sot, pas Luftës së Ftohtë.
Vërtet kriza ekonomike globale e ka zbehur, në një mënyrë, rolin e lidershipit që Amerika ka gëzuar prej kohesh, por kurrsesi nuk e ka zëvendësuar atë. Është një bindje e justifikuar se aftësia e saj për të reflektuar dhe për t'iu përshtatur ndryshimeve e kushteve të reja, do t'i jepte Amerikës dhe kësaj administrate, rolin që i takon dhe për të cilin bota ka nevojë.
*Ish-ministër i Jashtëm