E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Spahiu në gjendje kritike shëndetësore

Poeti Xhevahir Spahiu është goditur papritur nga një infarkt në tru që e ka privuar nga e folura


Vetëm pak ditë më parë, poetin Xhevahir Spahiu e shihje rrugëve të Tiranës duke shëtitur apo në ndonjë kafene duke u fjalosur me miqtë. (Është e çuditshme se si jeta të përball me situata të pazakonta që, sa më shumë përpiqesh t'i kuptosh aq më të pakuptueshme bëhen).

Ndërsa prej 5 ditësh poeti është banor i një dhome në spitalin e neurologjisë në Tiranë. Ishemia cerebrale (infarkt i trurit) u shfaq papritur në shëndetin e poetit. Familjarët thonë se nuk kishte pasur asnjë shqetësim shëndetësor deri në momentin që pësoi këtë tronditje.


Në spitalin nr. 5, në kompleksin spitalor universitar "Nënë Tereza", i vetmi privilegj që ka pasur poeti është qëndrimi në një dhomë pa pacientë të tjerë. Gjë për të cilën është kujdesur vetë ministrja i Shëndetësisë, Anila Godo.


Edhe nëse do të kishte mysafirë të tjerë në dhomë poeti vështirë se do të komunikonte me ta. Xhevahir Spahiu, njeriu që jetën ja ka dedikuar fjalës, pas kësaj tronditjeje nuk arrin të flasë. Familjarët, i vëllai dhe i biri Orgesi, thonë se për momentin kjo është pasoja e vetme që i ka dhënë infarkti, dhe fatmirësisht poeti është ende në gjendje të lëvizë gjymtyrët.

Por vetëm kaq. Gjendja shëndetësore e tij vazhdon të jetë e rënduar.
Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Që nga ky vit e deri më sot ai ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist.


I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet '70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si "Ti qytet i dashur (1973)", "Vdekje e perëndive (1977)", "Dyer dhe zemra të hapura (1978)", "Poezia shqipe (1990)", "Kohë e krisur (1991)"etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, "Udha".


Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun duke e bërë anëtar të saj.


Spahiu ka një poezi me titull "Fjala" ku duket se reflektohet thelbi i përvojës jo të frytshme për shumë shqiptarëve pas rënies së regjimit dhe periudhës së gjatë të tranzicionit.


Ky dëshpërim dominon në vargjet e një poezie tjetër të titulluar "Përmbysje", një poezi e shkurtër në të cilën pulëbardha e bardhë e vendosur në një sfond blu, simbolizon rebelimin e poetit ndaj pushtetit monist. "Në mendjen time/jetojnë gjithë ngjyrat e universit", shkruan Spahiu.

Diçka më optimist është toni në "Udhëtimet e mia", në të cilën sikur e largon mendjen nga e kaluara dhe po i drejtohet të ardhmes.
Një të ardhme që Xhevahir Spahiu ndoshta kurrë nuk e kishte imagjinuar në një dhomë të vetmuar në spital si sot.


Kërkesë presidentit: Bëjeni Moisiun "Nder të Kombit"

Më 2 prill qyteti i Durrësit përkujton me një sërë veprimtarish, 130 vjetorin e lindjes së aktorit të madh me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Pas ceremonisë që do të zhvillohet në banesën ku aktori kaloi fëmininë, prezantohet ekspozita fotografike kushtuar Aleksandër Moisiut.

Jeta në fotografi e aktorit do të shoqërohet me zërin e tij që përcjell monologje të regjistruar të roleve të Hamletit, Faustit, Prometeut të Lidhur etj.
Drejtori i muzeut "Aleksandër Moisiu", Edmond Agolli, thotë se në këtë ditë, "të gjitha institucionet që mbajnë emrin e tij, do të dërgojnë në Presidencën e Republikës kërkesën që aktorit Aleksandër Moisiu t'i jepet titulli "Nderi i Kombit"."


Agolli gjithashtu bën të ditur se "ceremonia do të shoqërohet me ekspozimin e dokumenteve autentike arkivore, të cilat tregojnë se i ati i aktorit nuk quhej Kostandin por Moisi Moisiu."

Veprimtaria e 2 prillit është një bashkëpunim i shtëpisë muze "Aleksander Moisiu", dmth Bashkia e qytetit të Durrësit, i Teatrit dhe Universitetit që gjithashtu mbajnë emrin "Aleksandër Moisiu".


Fluturat pushtojnë Ministrinë e Kulturës

Ministria e Kulturës dalëngadalë dhe si pa e kuptuar po i bëhet rivale Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ndonjë institucioni tjetër të specializuar për veprimtari kulturore. Aty bëhen koncerte, konferenca, takime të shkrimtarëve me fëmijët, seminare, dhe ekspozita.

Dje ishte ekspozita e radhës në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë. Piktorja Ardiana Shasivari-Kika vjen nga Kosova për t'u prezantuar në galerinë "Ibrahim Kodra" të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Artistja trajton fluturat në dy plane si motive dhe si femra. Duke u bazuar në përcaktimin që anglezët i bëjnë një lloji të caktuar fluture "monarch butterfly" piktorja Shasivari-Kika i quan fluturat e saj "flutura mbretërore".


Dueti piano-flaut në Akademinë e Arteve


Stina koncertore e "Klasikut" sjell këtë fundjavë koncertin duo të pjanistes shqiptare Almira Emiri dhe flautistes hungareze Lilla Szucs. Nesër në orën 19:00 dy artistet do të interpretojnë në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Në program Bach, Chopin, Enescu, Karg-Elert, Liszt, Faur dhe Piazolla. Të njëjtin repertor Emiri dhe Szucs do të interpretojnë në datë 3 prill në teatrin "Bylis", në Fier.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›