Arsimi dhe Politika
"Arsimi është metodë bazale e përparimit dhe e reformimit social" / Xhon Djui
Nëse sistemet arsimore kërkojnë të përmirësohen, kjo vjen ngaqë bota që njohin të rinjtë e sotëm, nuk është më bota e mëparshme e gjyshërve dhe e prindërve të tyre.
Gjërat kanë ndryshuar, shoqëria ka evoluar dhe pritshmëri të reja po ravijëzohen në horizont. Kudo pranohet se shkolla duhet t'u përgjigjet më mirë nevojave të të rinjve dhe t'i ndihmojnë ata të arrijnë suksesin.
Tek ne, më shumë se kudo tjetër. Ndërkaq, arsimi, për sa thuhet dhe bëhet për të, shërben si "letër lakmusi" për aftësinë konceptuese dhe menaxhuese të çdo ekipi qeverisës.
POLITIKA ARSIMORE E SË DJATHTËS / Nuk ishte e vështirë të parashikohej dështimi i politikës arsimore të qeverisë Berisha. Qoftë pse, gjatë kohës që ishte në opozitë, asnjë nga partitë e djathta nuk arriti të konfiguronte një program arsimor që integronte vizionin evropian me arritjet dhe nevojat shqiptare.
Qoftë pse, ministri i saj i Arsimit nuk e kuptoi "Strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar 2005-2015", që u miratua në nëntorin e vitit 2007, sikundër nuk kuptoi dhe, për pasojë, nuk arriti të përdorë Masterplanin për arsimin e lartë. Edhe pse të dy dokumentet u asistuan dhe u financuan nga Banka Botërore.
Madje, qeveria Berisha nuk arriti as t'i legjitimojë ata, pasi nuk i kaloi në Kuvendin e Shqipërisë. Ministrat e saj të Arsimit nuk arritën as të gërvishtin "lëvozhgën" e trendit evropian në arsim - që nga reformimi i kurrikulit (përfshirë maturën shtetërore) dhe korniza evropiane e kualifikimeve e deri te modeli i Bolonjës dhe Interneti. Kufizimet kushtëzuan dhe politikat gjegjëse në secilin domen.
Ato u sendërtuan me mangësi konceptuese, ligjore dhe administrative dhe, për më shumë, me eficencë të dyshimtë.
Alterteksti zëvendësoi studimin dhe përmirësimin e teksteve shkollore me deklaratat ministrore për fitoret në luftën kundër korrupsionit.
Politika arsimore, që zbatoi z. Pollo, injoroi kuadrin rregullator që përcaktonte standardet e teksteve shkollore dhe licencimin e shtëpive botuese; ajo zëvendësoi debatin akademik dhe kërkimin shkencor në fushë me komunikatat për sukseset e radhës dhe lejoi shtëpitë botuese, nën hundën e MASH-it, të vënë nën presion shkollat për përzgjedhjen e teksteve brenda dy javëve të para të muajit korrik, etj.
Vlera e munguar e maturës shtetërore mund të parashihej me lehtësi kur konstatuam si u deformua parimi themelor modern i procesit vlerësues, sipas të cilit, vlerësimi nuk është qëllim në vetvete; nxënësit nuk nxënë që të vlerësohen, por ata vlerësohen që të ndihmohen të nxënë më mirë; kjo vlerë e munguar konstatohet lehtësisht, pasi çdo vit njihemi me serinë e re të formularëve që duhen plotësuar apo me koeficientet e rinj që duhen konsideruar.
Programi për E-shkollat, edhe pse Berisha e ktheu në "kalin e betejës" në fushën e arsimit, "më shumë se një ëndërr, qe injorim i realitetit, perde e rëndë që pllakos materien e problemeve serioze që ndesh Shqipëria në këtë fushë, sepse Interneti vjen pas shkollës së ndërtuar mirë, vjen pas ngrohjes, vjen pas një libri të mirë, pas një mësuesi të mirë. Në të kundërtën, interneti nuk vjen kurrë, por mbetet atje, i paarritshëm, si një ëndërr shumë e bukur për të qenë e vërtetë".
Po e plotësoj këtë konstatim brilant, bërë nga një studiues ditët e fundit, me rezultatet e studimit të paradokohshëm të UNICEFI-it. Sipas tij, rreth 80% e fëmijëve të mostrës në studim, nuk kanë dëgjuar, pra nuk e njohin Internetin, ndërsa një pjesë e mirë e atyre që deklarojnë se e njohin, e përdorin atë për lodrat elektronike, por jo si burim për nxënie.
Modeli i Bolonjës, u tjetërsua dhe na dhuroi një tjetër "risi" shqiptare: "Me një arsim të prapambetur, Shqipëria shprehet për një sistem të komplikuar, që nuk konvergon, përkundrazi, divergon, i largohet procesit të Bolonjës. Kjo është "Bolonja" shqiptare, një sistem i pakrahasueshëm me asnjë tjetër në hapësirën evropiane dhe që, pikërisht për këtë, nuk është pjesë e kësaj hapësire" ("TemA", 13.03.2009).
Po e ilustroj idenë me projektin për Fakultetin e Arsimit. Tendencat bashkëkohore kurrikulare (Evropa Perëndimore, Amerika e Veriut) i barazojnë kreditet e grupit të lëndëve akademike me ato profesionale, ndërsa tek ne, si dikur, u jepet përparësi e dukshme lëndëve akademike.
Kjo lë të kuptosh se Qeveria Berisha, që e miratoi dokumentin, nuk kuptoi as thelbin e shtysës reale për krijimin e këtij fakulteti: nevoja për mësuesin profesionist, të pajisur me një korpus të ri kompetencash profesionale.
Programi arsimor i PD-së është i paqartë. Por nisur nga politika e ndjekur për 4 vite, nuk do të jetë e vështirë të parashikohet dëmi që do të vazhdonte t'i sillte arsimit kjo formë konceptimi dhe menaxhimi.
ARSIMI SI PËRPARËSI - OFERTA E PS-së / Në terma të përgjithshme, PS-ja - subjekti i vetëm i së majtës që ka përgatitur deri tani një program arsimor konkret dhe të plotë - deklaron se gjendja dhe nevojat tona, si shtet e si komb, kërkojnë një reformë komplekse në arsim, që duhet të përfshijë të gjithë nivelet arsimore (parauniversitar dhe arsimin e lartë) si dhe të gjitha ndryshoret që e bëjnë shërbimin arsimor efektiv dhe eficent.
Në linjë me rekomandimet e BB-së, ky subjekt politik artikulohet mjaft qartë për standardizimin e programeve dhe teksteve dhe për njësimin e tyre me gjegjësit në Republikën së Kosovës (madje, për disa lëndë, edhe njësimin me programet dhe tekstet bashkëkohore evropiane), reduktimin e ndjeshëm të analfabetizmit, përmirësimin e mjediseve mësimore dhe të kushteve, jo rrallë të mjerueshme, të shkollave në periferi të qyteteve të mëdha, por edhe larg tyre, në zonat e thella malore. Të gjitha këto, pak a shumë, e bëjnë programin konkret dhe real për Shqipërinë.
Programi i PS-së duket se konkretizon konceptin modern të shek. XXI për kuptimin e ri të dijes, kuptim që është i dallueshëm nga ai mbi të cilin mbështetet shkolla jonë. Sendërtimi i këtij kuptimi kërkon një kuadër rregullator, tërësisht të ri në arsim, kuadër, që merr parasysh kuptimin e ri të dijes dhe që, njëherazi, i siguron kujtdo mundësi të njëjta për sukses.
Me gjuhën e metaforës, kuadri i ri do të mundësojë një ndryshim arsimor të ngjashëm me procesin revolucionarizues të digjitalizimit të televizionit, që zëvendësoi përsëritësit (repetitorët) e panumërt dhe defektozë, anembanë vendit, me sistemin numerik dhe transmetimin satelitor, prej nga buroi cilësia e lartë e figurës dhe rritja marramendëse e shikuesve, anekënd globit.
Në këtë kuadër, reformimi i kurrikulit - si zemra e sistemit - mbi baza tërësisht novatore, synon të ndihmojë çdo nxënës të ndërtojë grupe të strukturuara kompetencash funksionale.
Kjo konkretizon zhvendosjen nga dijet enciklopedike (të pamundura për t'u përvetësuar sot, kur informacioni e shumëfishon veten me shpejtësi të madhe), drejt një kulture të re të veprimi konceptualizues, që përfshin zbatimin në jetë të strategjive dhe teknikave të përshtatshme.
Koncepti është në harmoni të plotë me politikën që mbështet Këshilli dhe Parlamenti Evropian, shpallur prej tyre në fundin e vitit 2004, në Kornizën Evropiane të Kompetencave Kyçe për Nxënien e Përhershme. Përparësitë e këtij konceptimi, njëherazi, lehtësojnë plotësimin e objektivit për njëjtësimin e programeve dhe teksteve me Kosovën, si dhe për përdorimin në shkollat tona të teksteve të standardit evropian (për një grup lëndësh).
Kultura e re e veprimit konceptualizues, që gjeneron programi arsimor i PS-së, do të krijojë kushtet të ndryshojë, hap pas hapi, raporti mes llojeve të arsimit dhe të progresojë, si kudo në Evropë, arsimi profesional.
Programi i PS-së parasheh për këtë formalizimin rrënjësor të tregut të punës, si parakusht për ngritjen e shkollave profesionale në përputhje me kërkesat e këtij tregu. Këndej do të rezultojë rritja reale dhe përparuese e numrit të nxënësve në shkollat profesionale.
Programi për arsimin i PS-së - produkt për të cilin ky subjekt politik duket se ka kohë që po punon - rezulton si oferta më profesionale në qarkullim