E Diel, 1 Nëntor 2026

Arshi Pipa: Poet pa vepra, poet në potencë, qe çka asht Noli



Noli në sytë e Arshi Pipës. Në moshën 20-vjeçare, Arshi Pipa shfaq guximin e tij kritik mbi veprat e Nolit, si dhe mbi shënimet kritike letrare që Mitrush Kuteli u bën veprave të Nolit; “Cinizmi” intelektual përkthehet në rreptësinë që kishte studiuesi Pipa, duke zbuluar për herë të parë në revistën “Kritika” një nga polemikat letrare më të forta mbi dy burrat e letërsisë shqipe, që deri në atë kohë për nga viganizmi dhe mprehtësia kritike nuk ishin “goditur” aq keq sa ç’bëri Pipa

Kur ishte në të njëzetat, sapo kishte mbaruar studimet në Firence, Arshi Pipa boton revistën "Kritika", revistën e parë dhe ndoshta të vetme në llojin e vet. Në këtë revistë që 20-vjeçar Pipa guxon dhe merret me Nolin e madh dhe të afirmuar. Në fillim kemi vështrimin kritik mbi përmbledhjen me poezi, “Mall e brengë”, vështrim kritik prej Mitrush Kutelit, të Fan Stilian Nolit, - Arshi Pipa e boton në revistën e tij letrare “Kritika”, dhe e rendit tek “Panoramë kritike”, “Libri shqip”. Këtu, Pipa nuk bën thjesht një kritikë mbi poezitë e Nolit, por një vështrim kritik mbi vështrimin kritik të Kutelit.

“Nuk asht punë e lehtë kjo mbledhja e vjershave të Nolit. Dhe nga vështirësia për t’i gjet nga pamundësia për me i ba libër, Noli ka shkruar nja dhjetë vjersha gjithsej; ato shtatë që gjinden në: “Mall e brengë”, tri të tjera që Kuteli përmend në ndonjë shënim dhe ndonjë tjetër që mund t’i ketë qëllu mbledhësit. Si me ba libër me nja dhjetë cope vjersha? Prandaj Kuteli ka mendue të radhojë veç vjershave origjinale, edhe përkthimet e tija. Nuk mund sërish ato tri përkthime lirikash nga Longfellow “Skënderbeu” dhe nga Poe “Korbi dhe Anabel Lee”. Kështu volumi nuk do të rritej fort. Kuteli ka mbledh edhe ato kangë qi gjendeshin nëpër tragjeditë e Shekspirit si ato të Ofelisë dhe të Desdemonës, u ka shtue këtyne ndonjë monolog të përmendun si atë të Hamletit si edhe fjalimin e Mark Antonit si edhe nja dy kangë nga Don Kishotit. Deri këtu ishte deri një punë mbledhësi dhe rradhuesi. Por Kuteli ka dashtë ta lajë më thellë vulën e mendjes së vet, prandaj nga “Rubaitë” zgjedh disa qi i kanë temat e përbashkëta tue i rradhitun si ndër kapituj poezie të veçantë... Dhe nga Makbethi zgjedh disa fragmente, i kombinon bashkë dhe na jep sintezën e një poezie pothuajse të plotë.

Kjo me pak fjalë, gjeneza e librit. Dhe kur marrim tash parasysh se mas një të katërtat e librit përbëhet nga “vështrimi kritik” i vetë Kutelit mbi Nolin, na vjen ta emërtojmë librin jo vetëm me emrin e Nolit, por edhe me emrin e kritikut të tij, kështu që për kritikën dy janë vehtjet për t’u çmue: Noli dhe Kuteli. “Do kemi raste të shprehim një mendim për poezinë noliane, ndërsa kritikojmë punën e Kutelit””.

Tek kjo pjesë e fundit na shfaqet kritika e kritikës. Le të vazhdojmë të eksplorojmë bukurinë e cinizmit dhe të goditjeve të kritikut 20-vjeçar ndaj korifenjve të kohës së tij, Kuteli e Noli. Të befason dhe të ngazëllon loja e fjalëve që bën Pipa me titullin e vëllimit “Mall e brengë”, kur arrin në përfundimin se titulli i vëllimit nuk është titull i poezisë së Nolit, por është titull i vendosur nga Kuteli. Bashkuar edhe me arsyetimin e mësipërm, libri del sipas tij me dy autorë, Kuteli dhe Noli, pavarësisht se emri është i Nolit. Ta lëmë një çast mënjanë gjuhën therëse të Pipës, por veç saj, të bie në sy që për herë të parë kemi një vështrim të librit si integral, lexim të një teksti që nuk ka të bëjë vetëm me fjalën e drejtpërdrejtë, si na është mësuar shpesh në shkolla, por me një të kuptuar tërësor të librit, të parët e tij në tërësi si tekst. Koncepti i Pipës për tekstin është shumë i avancuar për kohën, ai përfshin jo vetëm tekstin e shkruar, por edhe tekstin e perceptuar si të tërë, si libër gjithëpërfshirës. Ky do të jetë dhe teksti që do të analizojë Pipa. Pipa e çmon Nolin shumë lart, e çmon si personalitet social, politik, si orator, e vendos aq lart sa thotë se mund të përqaset vetëm me Fishtën dhe ai, edhe e nis këtë përqasje (më tej do të shohim se ai është kulturologu i parë i mirëfilltë shqiptar), dhe në ketë përqasje ai zbulon të përbashkëta, por edhe të veçanta shumë interesante. Edhe gjuha me të cilën flet për to nuk është gjuhë shkencore, por ajo është një gjuhë që ka adhurimin, jo shumë terma dhe shkencë, sepse në konceptin e Pipës kritika shpesh është “letërsi mbi letërsinë”. Dhe befasia më e madhe për një njeri që është mësuar me mitet e historisë kombëtare është kur lexon pohime të tilla që përmbysim sistemin e arsimit letrar në shkollat tona: “origjinaliteti, kushti i parë i çdo poezie, i mungoi gjithmonë Nolit. Gjithë vepra e tij krijuese përfshihet në dhjetë vjersha dhe në ndonjë dramë djaloshare “Izraelitë e filistinë”. Asht njëmend edhe historia e Skënderbeut, por kjo nuk asht prej veprave që shtojnë njëmend në krijimin e nji poeti, (Historia asht ma parë shkencë, e mandej poezi) tek Noli pyesim mos kemi ndoshta të anasjelltën. Puna vigane e Nolit janë përkthimet, por përkthimet nuk e bajnë poetin.

Gjatë gati nji gjysmë shekulli eksperiencë krijuese, Noli po të kishte qenë poet duhet të na kishte dhanë një vepër ku të dukej shtama e gjeniut krijues. Fatkeqësisht ai nuk na dha gja, vepra ma e mbrame e tij, “Hymnorja” asht prova ma flagrante e mungesës së tij krijuese: në gjithë veprën vetëm nji a dy krijime janë të Nolit, të tjerat janë vetëm adaptime” dhe pastaj vjen një retorikë që të bën për vete: Jemi ngutë ndoshta tepër? Do dishrojshim fort të kishim gabue, do dishrojshim fort qi rrijmë tue vu në dukje mungesën e fuqisë krijuese të Nolit aj të na deltë befas me nja disa vepra origjinale të punueme në mërgim, prej nesh të panjohuna.

***

Sipas Pipës, ka dy lloj gjenish: gjeni krijues dhe gjeni asimilues, riprodhues, edhe këta të fundit janë gjeni, nga këta është edhe Noli.

Pipa kritikon analizën formaliste që Kuteli u bën veprave të Nolit duke e quajtur atë më tepër analizë “anatomike” për të mos u zgjatur. Pipa merret fund e krye me çdo fjali që Kuteli flet për Nolin. Aty ku Kuteli lavdëron metrin dhe prozodinë e vjershave, Pipa thotë se ajo çka e bën vjershën nuk janë elementet teknike të strukturave, por thellësia psikologjike, dhe kjo pikërisht i mungon Nolit. Zbërthimi analitik i kritikës së Kutelit vjen dhe bëhet një degradim dhe përçmim për shumë elemente të poezisë së Nolit. Por edhe kritikat që Pipa bën për Nolin, nuk kanë asnjë shenjë tendence. Thjesht estetika e Nolit nuk përputhet me normat e estetikës klasike të Pipës, ndërsa logjika promovuese, adhuruese dhe formaliste e Kutelit, nuk i vjen përshtat një kritiku modern, goditës, që e koncepton kritikën njësoj si art dhe kërkon po njësoj të marrë kreditë si kritik, siç do të merrte, si artist. Tek Pipa, siç do të shohim më vonë, kemi kritikun që, qysh në nisje është edhe një “show-men” i vërtetë sa i përket gjuhës. Dhe vijnë pastaj frazat spektakolare: “poet pa vepra, poet në potencë, ja çka asht Noli”.

E thënë në klimën letrare të vitit 1944, nga një njëzetvjeçar, pikërisht për Nolin, i cili si poet nuk pati njohur kritika deri atëherë, e thënë si përgjigje ndaj Kutelit që ishte në kulmin e veprimtarisë së tij studimore dhe të reputacionit krijues, dhe sidomos e argumentuar me një frazë që do të tingëllonte njëlloj bukur edhe po të recitohej në publik, kjo bëhet kulmi i një “show” të gjuhës shqipe. Por Pipa çmon lart Nolin si përkthyes. Ai shkon deri atje sa edhe të arsyetojë e të justifikojë mungesën e produktivitetit tek Noli. Po edhe në këtë pohim ka doza cinizmi. “Tue lexue autorët më të mëdhej botërore Noli u mat me ta dhe u gjet i vogël, e atëherë, sa me shkrue vepra qi nuk do të arrijshin kurrë me u krahasue me kryevepra botërore preferoi me heshtë, dhe atë potencial që do ta kishte shpenxue në krijimin e veprave origjinale - sado të vogla para letërsisë botërore vigane për letërsinë tonë - ai e shpenzoi në përkthimin e këtyre vepravet”. Me këtë pohim kritik, Pipa është ndër të parët studiues që e shikon Nolin nga këndvështrimi i përkthyesit të madh, mbas deklarimit të Kutelit natyrisht. Na del këtu edhe një herë një tipar i kritikës së Pipës, përpjekjet për kritike psiko-analitike dhe biografike, tendenca që ai do t’i ketë vazhdimisht të gjalla në përpjekjet për të shpjeguar dhe kuptuar autorët. Lexojmë recensën lidhur me studimin e Kutelit për Nolin dhe studimin e Pipës për veprën “Mall e brengë” dhe ndihesh brenda një spektakli gjuhësor. Mbasi kemi parë në skenë demonstrimin e një empiriku, historicisti dhe formalisti të saktë si Kuteli, shohim një lojë gjuhësore dhe debati prej toreadorësh nga ana e Pipës. Recensa e Pipës mbi vëllimin “Mall e brengë”, përfundon me keqardhjen se përse Kuteli flet kaq pak për “Izraelite e filistinë”. Pipa e zbut tonin e kritikës së tij kur flet në një recensë për këtë dramë. Natyrisht ai nuk qëndron indiferent përpara të metave të veprës, “skelet drame” siç e quan edhe vetë Noli. Por siç do të ndodhë edhe në rastet e tjera të mëvonshme, Pipa nuk mund të gjykojë kurrë për veprën artistike duke u mbështetur vetëm tek teksti, pa u marrë me personalitetin e artistit në një tërësi më të gjerë. Dhe këtu qortimet ndaj tekstit përzihen me kritikat ndaj gjykimin, ndaj profilit të përgjithshëm të krijuesit: “...Kujdesi i madh i Nolit për përsosmërinë artistike duket qartazi nga këto pak radhë. Pse nuk mujte me krijue në nji mënyrë të përsosun, prandaj Noli i ashtë shmangë krijimevet. Ka “përvijosë” pa realizue, ka provue pa u knaqë. Atëherë nuk ka krijue. Asht kufizue me përkthye. Ose kur ka shkrue vepra origjinale, ka qëndrue me dashje në nji plan populluer, larg artit të madh”.

Më poshtë do të vijojnë kritikat, por edhe këto të përziera me elemente përgjithësuese, ku duke goditur fort, e ku duke lavdëruar, me arsye, por po në atë masë, sepse kritiku profesionist duhet të ruajë balancën në shkrimet e tij, dhe Pipa 20-vjeçar është mjeshtër i madh edhe i kësaj praktike.

“Ky asht nji “skelet drami” qi Noli punoi kur ishte njizetëdy. I mungon sigurisht lidhja dramatike, i mungon ndërtimi i karaktereve (megjithëse ndonjë si Samsoni e Rabini janë gati të plotë). Në aktin e tretë, ku duhet të kulmojë veprimi, aksionet janë të panevojshme dhe e vonojnë efektin final. E sa të meta të tjera mund të rreshtojmë (nën.im-H.Ç.) Por nga ana tjetër ç'fuqi ndjenjash, ç'hove titanike. Deri tash kush ka folur kështu në letërsinë tonë, me kaq kuptim të thellë, mbi esencën e gjeniut, mbi heroin, mbi lirinë? Dhe në qoftë se gjenialiteti matet me thellësinë dhe madhninë e ideve, dhe në qoftë se është e vërtetë ajo fjala e Gëtes se vetëm heroi e njeh heroin, ai që ka paraqitë në këtë mënyrë shpirtin e Samsonit nuk mund të mos kishte vetë shkëndija gjenialiteti në kraharorin e tij.

Pipa, një numër më pas, po tek revista “Kritika” do të publikojë një tjetër ese mbi Fan S. Nolin. Në të hasim edhe këtë sintezë: “Letërsia jonë e Rilindjes i gjallon një trolli të ashpër, tue punue, ngutshëm e më shumë mundime, e të mbjellun jo me lule, por me pemë, nëse edhe lulet kanë dalë, këto janë zakonisht lulet e vetë pemvet, përpara se të lidhë kokrrat. Ndër vende, e tradite arti, asht e drejtë qi lulja të çmohet vetëm si bukuri, vetëm si aromë: arti asht shprehje dhe aq. Por nder ne, duhet të çmohet edhe toka ku ajo lule ka rranjën, bashkë me lulen i gjithë trupi i saj deri në rranjë. Dhe këto rranjë kur i ndjekim, na çojnë gjithherë në nji elementaritet primitiv të dheshëm e të nëndheshëm qi ne i quajmë me nji fjalë, atdhe: rranjë qi te disa janë politike e fetare, (Naimi, Noli, Fishta) e të disa të tjerë vetëm politike (Konica, Gurakuqi) jeta e Nolit na intereson pra po aq sa edhe arti i tij...”.

Eseja titullohet “Bariu i popullit“ dhe është si përcjellje e një përmbledhjeje me ligjëratat e Fan Nolit të botuar aso kohe. Pipa merret me një analizë të pastër retorike të fjalimeve të Nolit, ose të paktën të disa prej tyre. Fjalimet e tij shikohen sa në aspektin e situatës retorike (audiencës, kujt i drejtoheshin, nevojës së kohës për të trajtuar tema të caktuara, vendit ku u mbajtën, mesazhit që do të jepte Noli, gjuhës së përdorur nga Noli e kështu me radhë).

Si gjithmonë, Pipa e ka të pamundur të ketë vetëm një hapësirë të caktuar në esetë e veta.

Ai e kapërcen nivelin e analizave retorike dhe kalon në vlerësimin e rolit të Nolit tashmë jo si poet, por si patriot, iluminist, humanist e kontribuues i shkëlqyer ndaj çështjes kombëtare dhe zhvillimit të Shqipërisë. Eseja e tij në këtë pikë është tepër artistike, ai nuk merr përsipër të analizojë rolin historik të Nolit, por ta ngrejë atë lart. Natyrisht ato që thotë Pipa qëndrojnë, por ndryshe nga herët e tjera, këtu nuk kemi të bëjmë me analizë historike, siç do ta lypte një ese mbi rolin e një figure historike. Pikënisja e esesë është Noli si figurë letrare, por fund e krye shkrimi përshkohet nga adhurimi për Nolin, deri dhe mitizimi i tij.

Veprës së Nolit, Pipa do t’i kthehet edhe një herë, në monografinë e tij “Contemporary Albanian Literature”, ku do ta vendosë Nolin si pararendësin e letërsisë shqipe të realizmit socialist, duke mohuar kështu një pozicion që deri atëherë i ishte atribuuar Migjenit. Siç do të shohim më poshtë, më gjerësisht, ai merret me analizën e të tri botimeve të “Historisë se Skënderbeut”, të cilat i gjen të pasakta shkencërisht dhe të orientuara majtas, në aspektin ideologjik. Po kështu ai merret edhe me analizën e parathënieve që Noli u bën përkthimeve të tij, duke i parë ato në mënyrë shumë kritike, duke i gjetur arsyetimet e pasakta dhe interpretimet e Nolit krejtësisht personale dhe të orientuara nga ideologjia e tij prej revolucionari, por që i largohen, sipas Pipës, kuptimit të vërtetë të veprave të përkthyera.

Edhe këtu mënyra e arsyetimit e Pipës është befasuese, krejtësisht çmitizuese (çmitizim që do ta gjejmë me vonë edhe në veprën e Mensur Raifit), ku edhe një herë gjejmë një kritike që mbasi e shikon tekstin në analizën gjuhësore dhe stilistike, shkon edhe më tej, me lidhjet midis tekstit, kontekstit kulturor dhe historik të shkrimit, si edhe të biografisë së autorit.

Pohimi i mësipërm mbi domosdoshmërinë e shpirtit refleksiv të kritikut, konvergon me pikëpamjen themelore të Benedeto Kroçes (1866-1952) shprehur gjithandej veprës së tij, por sidomos edhe në trajtimin filozofiko-estetik të kësaj dukurie, tek vepra e tij shumë e njohur (Estetica come scienza dell’espressione e linguistica generale” (1902). Në atë libër që mori rëndësinë e një “manifesti estetik”, Kroçe mbronte parimin e intuitës, si vlerë themelore e një artisti. Ai e shtrinte këtë parim edhe tek lexuesi dhe ca më shumë tek kritiku i letërsisë, i cili bën një lexim refleksiv të veprës letrare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›