Shqiptarët e Shkupit
Nëse shkon në Shkup këto ditë, ajo që të bie më tepër në sy kohët e fundit, është një dekor gjigant sllavo-ortodoks, flamuj shtetërorë gjigantë, një kryq i madh gjigant, përmendore gjigante.
Kjo ka ardhur si rezultat i një projekti qeveritar për vendosjen e disa përmendoreve në Shkup, duke patur si synim forcimin e identitetit kombëtar të palës maqedonase.
Edhe shqiptarët që banojnë në Shkup, kanë paraqitur projektet e tyre. Kështu, ata kanë propozuar që bulevardi "Nikolla Karev", të marri emrin e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton.
Gjithashtu, bulevardi "Kërste Misirkov", është propozuar që të marrë emrin "Nënë Tereza", ndërsa bulevardi "Cvetan Dimov", të marrë emrin e "Adem Jasharit "...Por, ndonëse propozimet e shqiptarëve që banojnë në Shkup janë bërë që në muajin shkurt të 2007-ës, ato kanë ngelur nëpër sirtarët e qeverisë dhe asnjëri prej tyre nuk merr jetë ...
Por, e vërteta është krejt ndryshe; pas zgjedhjeve janë bërë gati që të vendosen 60 buste dhe monumente që të gjitha maqedonase. Propozimet e shqiptarëve kanë përfunduar në kosh ...Shkupi do të tjetërsohet brenda natës dhe Shkupi i vjetër dhe gjithçka që është shqiptare atje, do të asimilohet ...
Ky projekt çoroditës dhe tendencioz i qeverisë në mënyrë të heshtur, po e ndan qytetin përgjatë lumit Vardar duke sjellë zhvendosjen graduale të shqiptarëve nga Shkupi. Shqiptarët, me të gjitha këto përmendore që do të ngrihen në Shkup, ndjehen të rrezikuar dhe do t'ju duket sikur nuk jetojnë në qytetin e tyre, por në një qytet të huaj. Shqiptarët e Shkupit shprehen se ky projekt gjigant i qeverisë, me ngritjen e gjithë këtyre përmendoreve, po cenon rëndë inteligjencën e popujve të tjerë multietnikë që banojnë në Maqedoni.
Opinioni ndërkombëtar e ka të qartë se ky eksponim arrogant dhe agresiv i njërës palë në një shtet multietnik do të provokojë ndjenjat e qytetarëve të tjerë.
Por ka dhe intelektualë maqedonas, të cilët e kanë kritikuar mbi baza shkencore ngritjen e Vojvodëve maqedonas mbi kuaj në dy skajet e Urës së Gurit, duke pohuar se Vojvodët maqedonas kanë vepruar në male dhe Shkupin as që e kanë parë me sy. Dihet, thonë ata, se në ato kohë, në Shkup, me kalë shëtisnin askertë turq...
Por, kuptohet, skenari i qeverisë, i vendosjes së monumenteve vetëm maqedonase, ka si qëllim që shqiptarëve t`u imponojë inferioritetin.
Ky gjest i qeverisë maqedonase i revolton dhe fyen shqiptarët. Çuditërisht, shqiptarët kanë një praktikë të gabuar në Maqedoni, që fillojnë e reagojnë para faktit të kryer dhe jo kur diskutohet projekti. Është vërtet e çuditshme, thonë shqiptarët e Shkupit, që subjektet politike shqiptare e kanë zërin e ngjirur për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.
Por, është krejt paradoksale që edhe intelektualët e shquar shqiptarë në Shkup, heshtin ose bisedojnë midis tyre vetëm në tavolina kafenesh, pa e ngritur zërin atje ku duhet. Ata thonë se këtë përgjegjësi politike e kanë partitë shqiptare në Maqedoni!
Është vërtet paradoksale që Shkupi është qyteti me numër më të madh të shqiptarëve në gjithë Ballkanin, por ai dalëngadalë dhe në mënyrë të heshtur po u merret shqiptarëve krejtësisht, duke u kthyer në një qytet sllavo -ortodoks.
Është fakt që, tashmë, ndarja etnike në Maqedoni, vihet re në çdo sferë në arsim (ndarja e klasave në gjimnazin e Strugës mbi baza etnike), ndarja në kulturë, ekonomi, media, etj. dhe kjo realizohet me një arrogancë verbuese dhe me një ndjenjë superioriteti ndaj shqiptarëve.
Është duke u krijuar një opinion se shqiptarët dhe politika e tyre aktuale investon në kultivimin dhe thellimin e intolerancës ndëretnike, pikërisht në kohën kur qeveria e Maqedonisë kërkon të integrohet në strukturat euroatlantike dhe në BE. Opinioni ndërkombëtar e di se një shoqëri multietnike nuk toleron arrogancën e shumicës dhe agresivitetin e saj në kurriz të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet.