Arratia e parë me helikopter që çuditi Greqinë
Më 4 qershor të vitit 2006, një helikopter u ul në oborrin e burgut të Koridhalosit. Gardianët nuk i kushtuan rëndësinë e duhur, duke menduar se ishte mjet i policisë për shkak të ngjyrës së bardhë dhe vijave të kaltra. Kur ai u ngrit në qiell, brenda kishte dy prej kriminelëve më të kërkuar në shtetin helen, Vasilis Paleokostas dhe Alket Rizai. Reja e madhe e pluhurit që u ngrit brenda në burgun e Koridhalosit dhe veprimet e shpejta nga ana e planifikuesve të arratisjes spektakolare bënë që gjithçka të shkonte me sukses. Nga mediat u komentua një arratisje në “stilin hollivudian”, që nuk ishte realizuar asnjëherë më parë. Një ngjarje që shkaktoi një “rrëmujë” të vërtetë në shtetin grek. Vetëm një njeri kishte tentuar të arratisej në të tillë mënyrë, në një burg në Francë, por që nuk ia doli, ndërsa shqiptari dhe shoku i tij ia arritën pas asnjë problem. Hetimet treguan se ideatorë të kësaj arratisjeje të veçantë ishte krimineli më i kërkuar në Greqi dhe vëllai i njërit prej të arratisurve, Vasilis Paleokostas.
Pas arratisjes, helikopteri u ul dhe i zbriti dy të arratisurit në një fushë të gjelbër pranë varrezave të zonës S'histu, në pjesën perëndimore të portit të Pireut. Të arratisurit braktisën helikopterin dhe u larguan me dy motoçikleta. Pas disa orësh, edhe këto mjete u gjetën të braktisura, në rrugën nacionale Athinë-Korint, në vendin e quajtur Skaramanga, pranë hotelit "Alfa".
Autorët kishin llogaritur gjithçka në detaje. Për të vonuar sa më shumë policinë, ata kanë lënë një bombë nga e cila policia u detyrua të vonohej edhe më shumë duke bërë çaktivizimin e saj.
Nga hetimet e policisë greke rezultoi se arratisjen e ka organizuar vëllai i Paleokostas, Niko, i cili është aktualisht personi më i kërkuar në Greqi. Ata kishin fluturuar edhe më parë me mjetin, por duke kaluar vetëm afër burgut. Niko ka qenë nën shoqërinë e dy femrave dhe të një shqiptari tjetër. Ata kishin paguar për udhëtimin rreth 1400 euro. Ata vajtën sërish të dielën e 5 qershorit tek piloti dhe prenotuan helikopterin.
Sipas policisë, piloti kishte leje vetëm për fluturim lokal përgjatë hapësirës qiellore të Athinës. Kur u ngritën në fluturim, dy rrëmbyesit e kërcënuan pilotin me armë dhe granata dore, duke e detyruar t'i nënshtrohej planit të tyre. Ai u drejtua për tek burgu më i madh i Greqisë, Koridhalosi, ku u ul bë katin e dytë të një godine. Sipas deklaratave të bëra, gardianët kujtuan se ai ishte mjet i shtetit dhe se po transportohej ndonjë i dërguar VIP në këtë burg. Kjo, për shkak të ngjyrës së helikopterit. Por kur vunë re arratisjen, ata nisën ndjekjen e mjetit. Policia greke deklaroi se nuk mund të kapte në radar helikopterin që kreu arratinë, pasi ishte i një sistemi që nuk e lejonte diçka të tillë, për më tepër edhe të ultësisë së kryerjes së fluturimit në ajër. Ndërkohë, duket se organizatorët e arratisjes i kishin menduar gjërat mirë. Kjo, pasi ata kishin mundësinë edhe të ngatërronin policinë. Në kohën e arratisë, në ajër ndodheshin 18 helikopterë.
Shqiptari dhe miku i tij grek, i dënuar për rrëmbim dhe grabitje bankash, kanë ndaluar në një zonë periferike pranë varrezave të një prej lagjeve të Athinës dhe më pas janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Dy të arratisurit dhe ndihmësit e tyre janë futur në thellësi të zonës së pyllëzuar dhe askush nuk ka mundur t’i ndalojë. Sipas mediave greke, kjo ishte arratisja më spektakolare e ndodhur ndonjëherë, protagonistë të së cilës ishin shqiptari Rizai dhe miku i tij grek, Paleokostas.
Arrestimi i shqiptarit të shumëkërkuar
Pas tre muajsh kërkime, në shtator të vitit 2006 u arrestua në shtetin helen, shqiptari Alket Rizai. Ndalimi i tij u bë në një zonë bregdetare jashtë Athinës. Sipas burimeve të policës greke, Alket Rizai është gjetur në një vilë dykatëshe dhe strehohej atje nga një kushëri i vet që prej tre muajsh. Në banesë u gjetën një granatë, një pistoletë dhe një automatik tip UZI. Në operacion u angazhuan mbi 30 forca speciale të policisë greke. Siç u shprehën burimet policore, gjatë arrestimit të Alket Rizait pati shumë kujdes se kishin frikë se mos qëllohej drejt policisë dhe se mos merrej edhe ndonjë peng prej tyre. Kur u futën në banesë, Alket Rizai menjëherë në përballje me policinë greke tentoi të merrte një granatë që e kishte atje pranë, por policia e neutralizoi menjëherë atë. Bashkë me Alket Rizain policia greke bëri edhe arrestimin e kushëririt të tij, duke e akuzuar atë si strehues të tij. Sipas policisë, mësohet se Alket Rizai, për të humbur gjurmët nga policia greke, kishte ndryshuar luk, kishte lënë mjekër dhe kishte lyer flokët e tij, duke i transformuar nga ngjyrë të zezë më parë në biondë. Policia greke në konferencën e saj për shtyp tha se ishte një sukses i madh për të, që, pas tre muajsh mundi të bënte arrestimin e shumë të kërkuarit Alket Rizai. Gjithashtu, policia tha se janë në gjurmë edhe të të arratisurit tjetër të një kohe me Alket Rizain, të grekut Vasilis Paleokostas.
Kush është Alket Rizai
Shqiptari Alket Rizai, 32 vjeç, nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit, ka emigruar prej disa vjetësh në Greqi. Emigrant prej vitesh në Greqi, ai vuante dënimin për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësi Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Ngjarja ka ndodhur me 3 maj 2003. Autorët e rrëmbyen të riun helen Koropiotis në Marusi dhe më tej me një makinë e dërguan në pyjet e zonës se Atikis ku edhe e ekzekutuan e më pas zhduken kufomën. Policia fillimisht arrestoi tre bashkëpunëtoret e Rizait, dy grekë dhe një ruse, ndërsa një muaj më vonë u arrestua edhe i dyshuari shqiptar. Në pranga ranë grekët Kiriako Pakaturidi, Janguli Foka dhe e huaja Viktorja Taraseviç. Shqiptari akuzohej në Greqi edhe për trafik të lëndëve narkotike.
Kush është Vasilis Paleokostas
Vasilis Paleokostas është një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Greqi. Ai së bashku me vëllanë e tij, Niko, i kërkuari numër një në shtetin helen, akuzohen si organizatorë të shumë veprave penale.
Më 21 gusht të vitit 2008 ai u arrestua pas arratisjes spektakolare me shqiptarin Alket Rizai në Selanik. Gjatë kohës që ishte i lirë, 44-vjeçari grek akuzohet se është organizatori i rrëmbimit të presidentit të industrialistëve të Greqisë së Veriut, njëkohësisht pronarit të shoqërisë Alumil, me degë edhe në Shqipëri, Jorgos Milonas.
Paleokostas është arrestuar në një fshat të vogël afër Selanikut, bashkë me një bashkëpunëtor të tij. Për lirimin e biznesmenit grek, Paleokostas mori nga familja e tij rreth 12 milionë euro dhe më pas pengu u lirua pas 13 ditësh.
Paleokostas akuzohet se së bashku me vëllain e tij Niko, kanë kryer edhe një rrëmbim të ngjashëm të një biznesmeni grek në vitin 1995 në Selanik.
Në akuzat që rëndojnë mbi të shtohen vjedhje të tjera me armë, arratisje, përleshje me policinë dhe mbi të gjitha arratisja spektakolare me helikopter së bashku me Alket Rizain në qershor të vitit 2006, e cila u përsërit sërish ditën e djeshme. Kur ai u arratis nga burgu i Koridhalosit, vuante dënimin me 25 vjet burg, i akuzuar për 17 vepra penale.