E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: Raporti i zyrës së OKB-së për drogat, më i miri ndër vite



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, ka deklaruar se është dhënë një goditje e fortë ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, që tani, në ndryshim nga disa vite më parë, bëhet në pronat e askujt. Numri një i policisë e ka cilësuar raportin e OKB-së si më të mirin ndër vite, ndërsa ka shtuar se institucioni në të cilin ai punon, do të vazhdojë luftën ndaj këtij fenomeni. Në raportin e OKB-së për drogat thuhet se tashmë Shqipëria nuk është më vend transit për rrugën e kalimit të drogave të forta, në ndryshim nga disa vite më parë. Tashmë trafiku i heroinës dhe kokainës drejt vendeve të Evropës Perëndimore bëhet në vendet e Ballkanit Verior.

“Raporti i zyrës së OKB-së për drogat është më i miri në vite për sa i përket Shqipërisë. Në këtë raport, për sa i përket situatës së drogave, kultivimit dhe tranzitimit të tyre në rajonin e Ballkanit, Shqipëria përmendet vetëm dy herë”, - u shpreh Prençi në një konferencë për shtyp përpara mediave.

Sipas numrit një të Policisë së Shtetit, është dhënë një goditje e fortë ndaj kultivuesve të kanabis sativës në vend. Tashmë, ata e “mbjellin” lëndën narkotike në pronat publike.

“Kultivimi i kanabisit tashmë bëhet vetëm në “prona publike”, pra prona të askujt dhe për sa u përket drogave të forta, raporti konfirmon se që nga viti 2007 kemi një devijim të rrugës së tranzitimit të drogës nëpërmjet Shqipërisë ose, siç thotë raporti, tashmë rruga tradicionale është ajo e Ballkanit Verior Turqi - Bullgari –Rumani - Hungari dhe më pas Austri”, - vazhdoi ai.

Prençi shtoi se tani është ndryshuar rruga e trafikimit të drogave të forta, ku Shqipëria nuk është më një ndër vendet “e preferuara” të trafikantëve, duke u zëvendësuar nga vendet e Ballkanit Verior.

“Në ndryshim nga raportet e mëparshme, ku problematika e Shqipërisë ishte evidente në të gjithë raportin, në këtë raport konstatohet që problematika spostohet në vende perëndimore, si Spanja, Franca, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Austria, të gjitha këto vende të BE-së në të cilat evidentohet një rritje të kultivimit, tregtimit, tranzitimit dhe konsumit të drogës”, - shtoi drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Ai shtoi: “Puna e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me institucione të tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, ka pasur dhe do të ketë prioritet kryesor luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme për ta fshirë përfundimisht emrin e Shqipërisë nga harta e kultivimit, tranzitimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike”. Sipas Prençit, raporti është në vazhdën e vlerësimeve pozitive që kanë dhënë publikisht në Tiranë drejtori i përgjithshëm i Policisë Italiane, ministri britanik për Sigurinë, drejtori i FRONTEX-it dhe personalitete të tjera.

Tashmë, në ndryshim nga disa vjet më parë, Shqipëria nuk është më vend transit për transportin e drogave të forta. Pas vitit 2007, trafikantët po përdorin më pak Shqipërinë për të trafikuar drogën drejt Italisë dhe më pas në vendet e Evropës Perëndimore. Sipas të dhënave, tani vendet e preferuara të tyre janë Bullgaria dhe Rumania. Më pas, droga transportohet më Austri për t’u shpërndarë në tregjet kryesore të Francës, Anglisë, Gjermanisë e shteteve të tjera.

Raporti i OKB-së për drogat për Ballkanin

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër drogës tha në raportin e fundit se Ballkani, që është përdorur tradicionalisht për të trafikuar heroinë nga Afganistani dhe Azia Qendrore për në Evropën Perëndimore, po përdoret gjithnjë e më shpesh si rrugë furnizimi për të sjellë edhe kokainën në Evropë. Sipas këtij raporti, çmimi i kokainës në Evropë ka pësuar rënie, pasi kontrabandistët përdorin tashmë linja të reja rrugore përmes Afrikës Perëndimore dhe Ballkanit.

Të dhënat e paraqitura nga Bordi i Kontrollit Narkotik Ndërkombëtar tregojnë se Ballkani, i cili tradicionalisht është përdorur për të trafikuar heroinë nga Afganistani dhe Azia Qendrore drejt Evropës Perëndimore, tashmë përdoret si rrugë furnizimi edhe për të sjellë kokainën në Evropë.

Çmimi i kokainës në rrugët e saj ka rënë në mënyrë të theksuar në 10 vitet e fundit dhe ka prirje për rënie të mëtejshme deri në pakësimin e furnizimit.

Sipas specialistëve, duhet ndërprerë patjetër transportimi i kokainës dhe drogave të tjera, ndërsa linja e transportit për trafikantët është bërë më e lehtë.

Një raport i mëparshëm i OKB-së deklaronte se krimi i organizuar në Ballkan dhe lidhjet e tij me politikanët dhe biznesin vazhdon të përbëjë një sfidë dhe problem në shtete të ndryshme të rajonit.

Heroina që gjendet në tregjet e paligjshme të Evropës, e ka origjinën në Afganistan dhe kalon në Evropë përmes njërës prej rrugëve kryesore: ajo e Ballkanit apo e ashtuquajtur rruga e mëndafshit. Ajo kalon nga Azia Qendrore në Federatën Ruse dhe që atje në vendet evropiane. Kjo vazhdon të jetë rruga kryesore e kontrabandës së heroinës përmes Evropës Lindore dhe që andej në anën perëndimore. E ashtuquajtura rruga e Ballkanit Verior, e cila kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë, u përdor më shumë në vitin 2007. Ndërsa ajo e Ballkanit Jugor, që kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë dha pastaj nga Maqedonia në Itali, duket të jetë përdorur më rrallë për trafikun e drogës në vitin 2007 sesa në vitet e mëparshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›