E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret veten 34-vjeçari, plagoset vëllai në përpjekje për ta ndaluar



Një 34-vjeçar nga Lazarati ka vrarë veten me armë, ndërsa vëllai i tij është plagosur ndërsa po tentonte që ta ndalonte për kryerjen e këtij veprimi. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.

Sipas burimeve nga policia, Adriatik Skënderi është përballur këtë fundjavë me një gjendje të rënduar psikologjike.

Sipas policisë, i riu po kalonte një situatë depresive që po i sillte dëshirën për të mos e jetuar më pjesën tjetër të jetës së tij.

Fillimisht ai ka pirë disa gota pije alkoolike, ndoshta për të nxitur edhe më shumë sigurinë në dëshirën për të kryer vetëflijimin e dhimbshëm.

Pas mesnate është kthyer në shtëpi dhe aty ka vendosur të mbyllë hesapet me jetën e tij.

Duket se është kuptuar nga familjarët, sepse i vëllai, 32-vjeçari D. Skënderi, nuk i është ndarë për asnjë çast, edhe në momentet fatale të vetëvrasjes.

Tridhjetë e dyvjeçari është përpjekur ta bindë vëllain, dy vjet më të madh, që të mos e ndërmerrte aktin e vetëvrasjes.

Minuta të dhimbshme janë përjetuar mes tyre, kur i sigurt në atë që donte të bënte, Adriatiku ka rrëmbyer armën e zjarrit dhe ka nisur të bëjë qitje.

Arma është shndërruar në mjet flijimi, por edhe plagosjeje, sepse ndërsa përpiqej të vetëvritej, Adriatiku hasi në përpjekjet e të vëllait që donte ta shpëtonte.

Për pasojë, 32-vjeçari mbeti i plagosur në krah, duke u hedhur i përgjakur përdhe.

Duket se ky ishte momenti më i mirë për Adriatikun, që duke mos u ndeshur më me kundërshti nga i vëllai, ka përfituar të nxitojë në realizimin e planit vdekjeprurës.

Pak minuta pas ngjarjes, familjarët i dërguan që të dy vëllezërit e plagosur tek urgjenca e spitalit rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër.

Atje, ndihma mjekësore për 34-vjeçarin Adriatik Skënderi ishte e kotë, sepse plumbat e kishin bërë të vetën, duke i sjellë vdekjen e dëshiruar vetëm pak minuta më vonë.

Vëllai 32-vjeçar ka marrë plagë në krahë. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk paraqet rrezik për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›